Drejtoresha e shkollës në Kaukazin Verior të Rusisë ua ka ndaluar vijimin e mësimit pesë vajzave muslimane nëse gjatë orëve të mësimit nuk e heqin shaminë
Prindërit e revoltuar i kanë parashtruar ankesë prokurorit lokal për shkak të këtij incidenti.
Ky incident ndodhi javën e kaluar në shkollën e fshatit Kara-Tyube në rajonin rus Stavropol. Vajzave të moshave të ndryshme u është thënë se nuk do të lejohen të ndjekin mësimet në qoftë se nuk e heqin shaminë.
"Kjo nuk është e pranueshme në fenë tonë", thotë Ravil Kaibaliyev, babai i një prej vajzave gjatë intervistës për gazetën lokale ‘Izvestia’.
Prindërit kanë paraqitur një ankesë në Zyrën e Prokurorisë së rrethit, sepse shkolla ka shkelur të drejtat e tyre të garantuara kushtetuese për arsim dhe liri të shprehjes së besimit.
Prokurori ka premtuar se brenda 30 ditëve do të bëjë një vlerësim nga pikëpamja ligjore dhe në qoftë se konstatohet që drejtoresha e shkollës ka shkelur ligjin, atëherë do të merren masat e duhura.
Drejtoresha e shkollës, Marina Savçenko tha se bartja e shamisë bie në kundërshtim me politikën e shkollës, e cila kërkon që nxënësit të ndjekin mësimet në "veshje laike."
"Nuk kemi insistuar në mosmbulimin e vajzave, por që shaminë e tyre, gjatë mësimit, ta zëvendësojnë me një shall të thjeshtë", tha ajo.
Ministria ruse e arsimit ka mbështetur administratën e shkollës duke thënë se shkollave u është lejuar t’i kenë rregullat e tyre në lidhje me uniformat dhe normat e sjelljes.
Megjithatë, Ombudspersoni për të drejtat e fëmijëve, Pavel Asrakhov, tha se shkolla në Kara-Tyube e ka tepruar me vendimin e saj.
"Nuk ka rregulla të përbashkëta që kanë të bëjnë me pamjen e nxënësve. Edhe shamia, në këtë rast, nuk mund të cilësohet si veshje e pasjellshme", tha Astakhov, duke shtuar se në vendet perëndimore konfliktet e ngjashme zgjidhen në favor të tolerancës.
Bashkësia Islame në Rusia ka dënuar incidentin, duke thënë se në vend nuk ekziston asnjë ligj që rregullon pamjen e një personi. Shamia është gjithashtu pjesë integrale e jetesës së muslimanëve, tha një zyrtar i lartë nga Këshilli i myftive, bënë të ditur ‘Izvestia’.