Projekti do të mundësojë llogaritjen e kohës së saktë të muajit Ramazan, Sheval dhe Dhul-Hixhe
Shumë vende islame kohën e tyre do t’ia përshtatin
orës së lartë, e cila është e vendosur në kullën mbi Qabe, në Mekë. Këtë
lajm e ka bërë të ditur Al Jazeera, dhe pritet që e tërë bota t’i
përshtatet “orës së re mekase".
Në kullën e lartë mbi Qabe, ku është vendosur edhe ora e madhe, do të
hapet qendra për llogaritjen e kohës e cila do t’i shërben të gjithë
muslimanëve.
Ora e madhe është vendosur në katër kate. Në këtë hapësirë, në vitin
2013 planifikohet hapja e muzeut. Në një nga katet do të ekspozohet
maketa, mjetet, dhe dokumentaret për ndërtimin e kësaj kulle. Kulla,
gjithashtu do të ketë një ekran të madh televiziv përmes të cilit do të
përcillen imazhet nga hapësirë, si dhe një observator për ta vëzhguar
Hënën dhe orën atomike. Përmes këtyre mjeteve synohet përcaktimi i saktë
i fillimit të muajit të Ramazanit, Shevalit dhe Dhul-Hixhes.
Projektin e ka nisur familja mbretërore e Arabisë Saudite, dhe pritet që
të gjitha vendet islame, kohën e tyre t’ia përshtatin asaj mekase.
Gjatë periudhës osmane, koha është llogaritur sipas meridianit "Arz
Halifa" ose "Arz Istanbul", meridianit i cili kalonte nën kupolën e
Ajasofisë. Por, në viti 1926 kjo ka ndryshuar, atëherë qeveria turke
miratoi një sistem të llogaritjes kohore sipas Greenwichit ((GMT -
Greenwich Mean Time).
Projekti ka filluar 33 vjet më parë në Stamboll
Në vitin 1979, në takimin e vendeve islame në Stamboll, të organizuar
nga Drejtoria e Çështjeve Fetare të Turqisë, është propozuar që në Mekë
të ndërtohet një Observator për vëzhgimin e hënës, në mënyrë që
muslimanët ta kenë një kalendar të unifikuar. Megjithatë, nuk janë
ndërmarrë kurrfarë hapa serioz në implementimin e këtij projekt, dhe
shumica e vendeve nuk kanë pas një datë të përbashkët për fillimin e
Ramazanit dhe të Kurban Bajramit.
Gjatë ndërtimit janë shpenzuar gjashtë ton ari
Kulla Zemzem është ndërtesa e dytë më e lartë në botë. Lartësia e saj
totale, bashkë me sahat kullën, e cila është ndërtuar në të, është 817
metra, vetëm 11 metra më pak se ndërtesa më e lartë në botë (Burj
Khalifa). Në çdo 46 metra, në diametër, gjenden katër copë xhami të
mbuluara me fletë ari. Kjo Kullë paraqet Sahat kullën më të lartë në
botë.
Për prodhimin e xhamit, që është vendosur në ndërtesë, janë përdorur
gjashtë ton ar. Xhamat janë ndërtuar në atë formë që t’i refuzojnë
rrezet e dëmshme të diellit dhe brendësia të mos dëmtohet. Vetëm akrepi i
cili tregon minutat, është 22 metra i gjatë dhe peshon 10 ton.
Nga një distancë, rreth 10 kilometra, mund të shihet qartë sa është ora,
derisa e tërë kulla mund të shihet nga një distancë prej 30 kilometrash
të pabesueshme.
Ora ka katër anë. Në dy është shkruar "Allah", ndërsa në dy tjera
shkruan "kelime teuhidi." Në mes gjendet emblema mbretërore, e më poshtë
sillen ajetet e ndryshme kuranore të ndriçuar me llamba LED.
Altoparlanti është lidhur direkt me sistemin e zërimit, ndërsa gjatë
ezanit emitohet në 170 decibel. Ky ezani mund të dëgjohet në një
distancë prej 10 kilometrash.
Drita laserike nga maja e kullës mund të shihet nga 340 kilometra. Nëse
kjo dritë do t’i drejtohej ndonjë organizmi të gjallë brenda 10
kilometrave, ai nuk do të kishte mbijetuar.
Menjëherë nën kullë gjenden katër kate mbretërore për mysafirë të
veçantë, si dhe një kat i rezervuar ekskluzivisht për familjen Saud. Mbi
të gjendet tarraca me pamje nga Qabja.
Në maje të kullës gjendet hëna e re, simboli i Islamit, me diametër prej
23 metrash. Në të, në katër kate, gjenden katër apartamente. Secili
apartament ka dhomë pushimi, mesxhid dhe vend për të marrë abdes.
Kjo sahat kullë ka thyer rekorde të shumta.