Të premten pasdite Amin ngjitet në shpat. Ai këtu vjen gjithmonë vetëm. Çdo javë. Nuk ka mbushur ende 60 vjet, por nga larg duket shumë më i moshuar. Pasi që u ngjit në shpat, ai qëndron shkurt aty, pamja është e dobët. Prapa tij gjenden shtëpitë e qytetit izraelit, Sderot, në të cilin qytet edhe jeton. Para tij gjendet Rripi i Gazës-aty ku ka jetuar dikur. Por Amin sheh më shumë: nga shpati, që gjendet disa qindra metra larg nga Gaza, ai të premteve pasdite i hedh një shikim jetës së tij të dikurshme. "Nuk mund të kthehem. Vetëm nëse shkeli në Gazë, unë do të jem i vdekur", thotë ai. Ai nuk kishte filluar të spiunojë nga bindja fqinjët e tij të dikurshëm. "Ata kanë akuzuar gabimisht vëllezërit e mi si bashkëpunëtorë dhe i kanë vrarë", rrëfen Amin. Kjo nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme: dyshimi është një gjë tejet e përhapur në territoret palestineze, akuzat për bashkëpunim me Izraelin shpesh përdoren, për të qëruar hesapet e vjetra. Amin thotë se ka dashur të hakmerret për vëllezërit e tij. Në vitin 1994, dikush e tradhtoi Aminin. Ai kaloi tri vjet në burg, u torturua, në fund pagoi para për të ikur nga burgu dhe u arratis në Izrael, i ndihmuar nga personat e tij të kontaktit në radhët e shërbimit të fshehtë izraelit. Ai arriti të nxjerrë nga Gaza edhe familjen e tij, mori leje qëndrimi nga Izraeli dhe një pension modest nga qeveria izraelite. Amin kishte hipur mbi shpat edhe ditën, kur u vra udhëheqësi i krahut ushtarak të Hamasit, Ahmed Jabari. Ai dëgjoi shpërthimet, pa tymin duke u ngritur në Gazë. Dhe ai e dinte: pa bashkëpunëtorë, pa informantë palestinezë, ofensiva ushtarake do të kishte qenë e pamundur. Dikush me gjasë kishte tradhtuar Jabarin, siç ishin tradhtuar edhe shumë udhëheqës tjerë të Hamasit para tij. Askush nuk e di se sa palestinezë bashkëpunojnë me shërbimin e fshehtë të Izraelit. Me gjasë janë disa mijëra. Ata jetojnë rrezikshëm: shtatë bashkëpunëtorë të dyshuar u ekzekutuan javën e kaluar në Gazë. Në internet po qarkullojnë xhirime të tmerrshme të ekzekutimit. Një prej kufomave u lidh për një motoçikletë dhe u tërhoq zvarrë nëpër rrugët e Gazës. Amini i ka parë këto xhirime. Ai nuk pranon të thotë se çfarë informata i ka ofruar shërbimit izraelit, por nënvizon se nuk pendohet për asgjë. Ai thotë se e di me saktësi sa Hamasi nuk do të heq dorë kurrë nga taktikat terroriste, por shton se Izraeli duhet t'i mundësojë një jetë normale dhe të ndershme popullatës civile palestineze në Gazë. Janë disa dhjetëra familje të informantëve palestinezë, të cilat sot jetojnë në qytetin e Sderotit. Flitet se me mijëra spiunë palestinezë të Izraelit janë zhvendosur në qytetet izraelite dhe se shërbimi i fshehtë i Izraelit ka një departament të veçantë, i cili është përgjegjës që të kujdeset për agjentët palestinezë të shërbimit. Pjesa më e madhe prej tyre jetojnë në qytetet me popullatë të përzier hebrenje dhe arabe. Aty bien më pak në sy. Por nuk është kujdesi i shtetit i njëjtë për të gjithë. Edhe Mahdub ka spiunuar për Izraelin, por jo vullnetarisht. Ai ishte ende i ri, kur u kap duke vjedhur para nga arka e punëdhënësit të tij. Çmimi për heshtjen ishte bashkëpunimi me izraelitët. Fillimisht, nga ai kërkohej që të jepte informata për atë se ku punonin fqinjët e tij dhe për këto informata paguhej. "Kur të paguajnë një herë, atëherë nuk ka më kthim prapa, të kanë në dorë", rrëfen Mahdub. Ai më tutje shton se shërbimi i fshehtë izraelit shpesh shfrytëzon shantazhin, për të rekrutuar spiunët palestinezë. Kriminelët e vegjël nëpër burgjet izraelite mund të negociojnë lirimin e parakohshëm të tyre, në shkëmbim të spiunimit për Izraelit. Dhe pagesa për këto aktivitete nuk është e keqe. Edhe Mahdub ishte kapur dhe torturuar. Por një ditë, befas, një kushëri i tij që kishte lidhje të mira me Hamasin, kishte paguar një shumë parash dhe kishte blerë lirimin e tij. "Izraelitët më kanë shfrytëzuar dhe më pas më kanë hedhur si një limon të qelbur", thotë Mahdub. Atij i mungon familja, gruaja e tij, të cilën e la prapa pas arratisë në Izrael. Megjithatë, për familjen e tij në Gazë, Mahdub është i vdekur përgjithmonë. Këtë ja ka qartësuar edhe vëllai i tij gjatë një bisede telefonike. (Die Welt)