Athina është kryeqyteti i vetëm në Evropë që nuk ka një xhami ku muslimanët e këtij vendi do t’i kryenin ritet e tyre fetare
Qeveria greke po ecën përpara me planin për ndërtimin e xhamisë së parë në Athinë. Kjo ndodh pas rritjes së presionit dhe ksenofobisë nga grupet nacionaliste, duke i bërë të pasigurta vendfaljet e muslimanëve të këtij vendi, bën të ditur BBC.
Sipas BBC-së, popullsia muslimanë në Athinë është rritur dhe tani mendohet se janë 300 mijë muslimanë në një qytet 5 milion banorësh.
Ata janë duke i shfrytëzuar disa dhoma nëntokësore për t’i kryer ritet fetare. Hapësirat e improvizuara janë të paligjshme, por ky komunitet i madh nuk ka asnjë opsion tjetër.
Presioni i tyre për ndërtimin e një xhamie është në rritje, por po ashtu në rritje është edhe frika se grupe si Agimi i Artë do t’i radikalizojë qëndrimet ndaj xhamisë.
“Është një tragjedi e vërtetë për ne si muslimanë të mos kemi një xhami këtu. Greqia ka prodhuar demokracinë, qytetërimin dhe respektin për religjionin, por ata nuk respektojnë muslimanët duke siguruar një xhami të rregullt dhe të ligjshme”. thotë Syed Mohammad Jamil nga shoqata Pakistan Helenike.
Plani për ndërtimin e xhamisë po kundërshtohet nga komuniteti ortodoks i këtij vendi. Peshkopi Serafin thotë se vendi i tij duhet të ruajë identitetin e vet “Greqia vuajti pesë shekuj tiranie islamike gjatë sundimit turk dhe ndërtimi i një xhamie do të fyente martirët që na çliruan”, thotë ai.
Derisa opinionet e qytetarëve janë të ndryshme. “Është e drejtë që edhe muslimanët të kenë tempullin e tyre”, thotë bankieri Kali Patounia, por në anën tjetër një bashkëqytetar i tij mendon ndryshe “Sipas kësaj edhe emigrantët grekë në vendet tjera u dashka të ndërtojnë kishat e tyre... kjo është hipokrizi”, thotë ai.