Jeta në këtë botë është arenë në të cilën fitohet bota tjetër, por si do të fitohet kur feja (Islami) është lënë në harresë, apo ndoshta në pragun e derës dhe kush kalon i bie me këmbë, pa i shkuar kujt mendja ta marrë në dorë për të parë dritën e saj.
Nga preokupimi i tepërt për këtë botë dhe nxitimi për të arritur diçka në të na bën që përkujtimin e Zotit dhe zbatimin e urdhrave të tij, t’i bëjmë si një meny ushqimore nga e cila zgjedhim vetëm atë që na pëlqen. Kjo, ngase kemi harruar së pari të përkujtojmë veten, trupi dhe shpirti na janë bërë peng i së kotës.
Kemi rënë në kurthat e shejtanit dhe të kësaj bote, pa e kuptuar se ashtu është jeta, përplot sfida dhe labirinte, në të cilat njeriu ndonjëherë hutohet se nga cila anë të shkojë, mirëpo për të gjetur rrugën e duhur duhet tepër mund.
Dikush mund të thotë se mendimi dhe puna e secilit është e drejtë e tij, për shkak se edhe ashtu jemi krijuar, të lirë, por jo edhe të lirë që të jetojmë si shtazët, kuptohet, nëse dëshirojmë ta arrijmë të vërtetën për të cilën na krijoi Zoti i Madhëruar, adhurimin e Tij.
Dëshmitë që tregojnë qëllimin e krijimit tonë janë të shumta, mirëpo nga hutitë e “jetës moderne” na janë verbuar sytë e shpirti dhe nuk shohin gjë tjetër përpos të kotës, e cila nuk shpie askund pos në një dëfrim të shkurtër dhe në një rezultat të vyshkur.
Për këtë flasin shumë ajete të Kur’anit Famëlartë ku All-llahu xh.sh. thotë: ”Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën për t’ju sprovuar se cili prej jush është më vepërmirë.
Ai është Ngadhënjyesi, Mëkatfalësi”. (El-Mulk: 2)
E këtillë është jeta në këtë botë, qëllimi i së cilës është sprovë për ne, që na nxit të shohim se cili është në gjendje të arrijë kulminacionin në zbulimin e të vërtetës. Rëndë është të gjesh sot dikënd që përkujton.Krijuesin e botëve, të gjesh dikënd që mendon mbi atë se çfarë duhet vepruar për të arritur kënaqësinë e Tij dhe të fitojë shpërblimin që na e ka premtuar, ajo që punohet sot në relacion me atë që duhet punuar dallojnë si nata me ditën. Shkak i gjithë kësaj është se nuk përkujtojmë se Zoti xh.sh na krijoi dhe na përsosi në çdo pikëpamje, na përsosi dhe na veçoi mbi të gjitha krijesat, na bëri mëkëmbës në tokën prej të cilës u krijuam, njeriu është përbuzës aq i madh, sa që nuk mendon se një ditë do të kthehet në barkun e asaj mbi të cilën ec sot.
Me çfarë veprash vallë do të dalim para Zotit të gjithësisë edhe pse mëshira e tejkalon hidhërimin e Tij, por nëse nuk jemi munduar as 1%, atëherë, vetë duhet ta dijmë se këtë gjë as që duhet ta paramendojmë.
Prandaj, të vrapojmë që t’i paraprijmë kohës dhe mos të lejojmë që ajo të na arrijë e të kalojë mbi ne dhe të na lërë pa punuar asgjë, nga e cila do të kemi dobi, por ta zëmë të sotmen pa na ikur se nuk e dimë në do të na arrijë e nesërmja... jetës nuk i dihet...