Secili njeri ka qëllimet apo synimet e veta se çfarë dëshiron të arrijë në jetë. Përderisa ai nuk i arrin majat e suksesit nuk do të jetë i kënaqur, por për t’i arritur këto maja para vetit kemi një rrugë të gjatë dhe mjaft të mundimshme.
Rruga që na shpie drejtë suksesit, lavdisë e krenarisë është e mbushur me sakrifica të mëdha, lodhje, mundime, por njëkohësisht na dhuron edhe kënaqësi kur shohim rezultatet e mira që kemi arritur. Edhe shumë njerëz para nesh iu nisën kësaj rruge të gjatë, e cila dikujt i duket se nuk do të mbarojë kurrë, sepse ka prej tyre që nuk ia aritën qëllimit, disa prej tyre ngelën në mes të rrugës, disa para përfundimit, por shumë pak prej tyre arritën deri në fund të kësaj rruge. Bile ka njerëz që nuk arritën ta shijojnë aspak kënaqësinë e suksesit e të lavdisë.
Njerëzit që panë fundin e kësaj rruge apo thënë më ndryshe, që i shkuan rrugës gjer në fund janë shumë pak. Ata na shërbejnë si shëmbëlltyrë gjatë rrugëtimit tonë drejt majave te suksesit. Shembulli më i mirë për këtë është Muhammedi a.s., që gjatë rrugëtimit të tij për ta përhapur të vërtetën e quajtur “Islam”, vuajti lloj - lloj maltretimi e keqtrajtimi, por asnjëherë nuk hoqi dorë, sepse ishte i vendosur në atë që e bënte. E tërë jeta e tij është një shembull për atë se si ne duhet të jetojmë këtë jetë dhe si duhet të veprojmë ndaj çdo gjëje që na del përpara. Ai shkëlqen po si hëna e plotë ne errësirën e natës. Po ashtu edhe në cilin do prej shokëve të tij ne mund të marrim shembull, pasi ata janë si yje, që shkëlqejnë përreth kësaj hëne të plotë.
Për të arritur gjer ne fund të kësaj rruge ne duhet të kemi shumë durim ,sepse në çdo moment mund të ballafaqohemi me gjëra të papritura. Prandaj durimi duhet të jetë tretman i çdo problemi dhe sfide që do t’ia hap rrugën punës e angazhimit, për ta plotësuar tretmanin dhe së bashku të mundësojnë realizimin e qëllimit final të jetës sonë.
Mon 14 Jan 2013 - 8:20 nga Zudi Fejzuli