Zoti të pret të pendohesh, kurse ti refuzon?!
Çfarëdo të ketë bërë njeriu, sado të mëdha të jenë gjynahet, sado të rënda të jenë veprat e liga që ka kryer, nëse ai pendohet dhe kërkon falje prej Zotit, Ai e pranon dhe e fal. Allahu (xh.sh.), thotë: “O robërit e Mi, që e keni ngarkuar veten me shumë gjynahe, mos e këpusni shpresën nga mëshira e Allahut. Ai i fal të gjitha gjynahet, sepse është Falës dhe Mëshirues.” (Zumer, 53.) Sahabët e Pejgamberit (a.s.), kanë thënë: “I dërguari i Allahut (a.s.), nuk është gëzuar me asnjë ajet tjetër, sa është gëzuar kur iu shpall ky ajet.” Ky ajet është shumë shpresëdhënës dhe shërben si fasha dhe ilaçi për shërimin e plagës. Ky na mëson se, sado të ketë gjynahe, sado i mbytur në gjynahe qoftë, sido të ketë humbur..., nëse i drejtohet Allahut dhe i thotë: “O Zot, pendohem!”, Ai e pranon dhe e fal njeriun. Shpresëdhënës për këtë fakt janë vetë fjalët: “O robërit e Mi...!”, megjithëse mund t’u drejtohej me fjalët: “O gjynahqarë!”. Shpresëdhënëse janë edhe fjalët: “...Që e keni ngarkuar veten me shumë gjynahe.” Ai nuk i përmend gjynahet që kanë bërë... dhe këtë e bën me qëllim që të mos prekë ndjenjat e askujt. Çdo kompani dhe institucion ka rregullat dhe normat e tij. Nëse dikush bën diçka në kundërshtim me normat dhe rregulloren, fillimisht i tërhiqet vërejtja, paralajmërohet me largim nga puna dhe, nëse vazhdon, atëherë largohet nga puna. Ndërsa Allahu (xh.sh.), nuk largon askënd. Nuk ka gjë që të mban larg mëshirës së Zotit, pasi një nga cilësitë dhe emrat e Tij është emri Et-Tevvab (Pranues i pendimit). Vetëm në suren Et-Tevbe pendimi përmendet 17 herë. Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Allahu gëzohet për pendimin e robit të Tij më shumë se sa gëzohet njeriu në mes të shkretëtirës që gjen devenë e humbur, në të cilën ka ushqimin e tij”. (Buhari, Muslimi). Pejgamberi (a.s.), thotë: “Çdo bir i Ademit është gabues, por më i miri prej tyre është ai i cili pendohet.” (Tirmidhi, Ibn Maxhe, Ahmedi, Hakimi, Albani e ka bërë hadithin sahih). Pendimi ka tre kushte: 1. Të pendohesh dhe të bëhesh pishman për ato që ke bërë. 2. Të largohesh nga ato gjynahe, të cilat i ke kryer më parë. 3. Të jesh i vendosur që nuk do t’i bësh më gjynahet e mëparshme. Në kohën e Musait (a.s.), ndodhi një thatësirë e madhe që nuk ishte përjetuar më parë. Populli i Musait (a.s.), u mblodh një ditë. Njerëzit shkuan te Musai (a.s.) dhe i thanë: “O Musa, lute Zotin që të lëshojë shi nga qielli, pasi mund të vdesim”. Atëherë Musai (a.s.), e mblodhi popullin dhe filloi të lutej, ndërsa populli thoshte Amin, pas çdo lutjeje. Megjithatë shiu nuk binte. Atëherë Musai (a.s.), u drejtua nga Allahu (xh.sh.) dhe tha: “O Zot, përse nuk po na lëshon shi, megjithëse të lutemi?” Zoti i thotë: “O Musa, nuk do të bjerë shi, pasi në mesin tuaj është një njeri, i cili ka dyzet vite që bën gjynahe, pa iu skuqur faqja një herë prej Meje. Nuk do të bjerë shi, derisa ai të dalë nga mesi juaj. Atëherë Musai i mblodhi të gjithë njerëzit dhe u tha: “Nuk do të bjerë shi, derisa të largohet prej nesh ai që ka dyzet vite që bën gjynahe” Personi që kishte 40 vjet që bënte gjynahe, shikoi njëherë majtas dhe djathtas se mos dilte dikush tjetër, por, kur pa që nuk lëvizi kush, e kuptoi që flitej për të. Në ato çaste të vështira, filloi të thoshte me vete: “O Zot, ka dyzet vite që nuk të bindem e kam vazhduar me gjynahe dhe Ti m’i ke mbuluar ato për të mos e marrë vesh asnjë njeri. O Zot, po të dal tani do të dal i poshtëruar dhe, nëse nuk dal, do të vdesim nga etja. O Zot, unë në këto momente pendohem për ato që kam vepruar, prandaj më fal dhe m’i mbulo të metat”. Në atë çast filloi të binte shi. Musai i habitur, e pyeti Zotin (xh.sh.): “O Zot, si ka mundësi që po bie shi, megjithëse nuk doli kush?” “O Musa, - ia ktheu Zoti, - robi im që bëri gjynahe për dyzet vite, u pendua me sinqeritet në ato çaste dhe Unë ia pranova pendimin, prandaj filloi të bjerë shiu”. Musai (a.s.), iu lut: “O Zot, të lutem ma trego, kush është ai njeri!” Por Zoti ia ktheu: “O Musa, ka dyzet vite që bën gjynahe dhe Unë ia kam mbuluar ato, kurse tani që u pendua dhe i la gjynahet, unë ta zbuloj dhe ta poshtëroj para njerëzve?”. Allahu (xh.sh.), thotë: “A nuk e dinë se Allahu e pranon pendimin e robërve të Tij.” (Tevbe, 104.) Kërkesa për pendim në ajetet e Kuranit nuk u adresohet vetëm gjynahqarëve, atyre që kanë shkëputur çdo lidhje me Zotin, atyre që hezitojnë…, por u drejtohet të gjithë njerëzve, të mirë dhe të këqij, me besim të dobët dhe me besim të fortë. Rreth kësaj, Allahu (xh.sh.), thotë në Kuran: “Pendohuni tek Allahu, o besimtarë, sepse vetëm kështu do të shpëtoni.” (Nur: 31.) Imam Naim Drijaj
(Huazuar nga revista Etika nr: 46, Janar 2012 )