Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic ka ngrirë pjesëmarrjen në takimet trelaterale ndërmjet Serbisë, Bonjës dhe Hercegovinës dhe Turqisë dhe pret kërkim falje nga Turqia për fjalimin e kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan në Prizren, të cilin, presidenca serbe, e quan skandal.
“Me të marr funksionin e presidentit, trashëgova marrëdhënie të mira me Turqinë, të cilat i kishte vendosur paraardhësi, ish presidenti i Serbisë. U angazhova që marrëdhëniet të shndërrohen në miqësi të sinqertë të dy popujve. Gjatë gjithë i kohës kam tërhequr vërejtjen presidentit të Turqisë se nuk është në rregull që zyrtarët turq kërkojnë nga shtetet tjera që ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Nikolic, thuhet në një komunikatë të presidencës serbe.
Presidenti serb pretendon që kryeministri i Turqisë me fjalimin e tij në Prizren, në mënyrë të ashpër, ka shembur marrëdhëniet e mira miqësore, të ndërtuar deri më tani, pasi ai nuk ka respektuar sovranitetin e Serbisë, duke i bërë një revidim historisë.
Sipas Nikolicit, idetë e Kemajl Ataturkut më nuk janë ide të udhëheqësisë së Turqisë.
“Pres që në Turqi të fitojë arsyeja dhe që Turqia t’i kërkojë falje Serbisë për shkak të agresionit pa armë. Deri atëherë, si president i Serbisë, ngrijë pjesëmarrjen time në takimet trelaterale të Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Turqisë, pasi ai nuk është takim i vendeve luftënxitëse, por shteteve demokratike, në të cilat arsyeja shtetërore udhëheq kah paqja në Ballkan”, ka përfunduar presidenti serb.