Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutollu akuzoi sot presidentin sirian, Beshar al-Esad se kishte kaluar në "planin B" në luftën kundër kryengritësve, që është sipas tij "spastrimi etnik" në disa rajone të Sirisë.
"Ia kam shpjeguar Kerryt, masakra në Banias është një hap tjetër i sulmeve të kryera nga regjimi në Damask", deklaroi për të përditshmen vendase "Hurriyet", Davutoglu duke iu referuar një bisede telefonike të zhvilluar kohët e fundit me homologun e tij amerikan.
"Ajo që më shqetëson në rastin e Banias, është kalimi në një strategji të spastrimit etnik në disa rajone", theksoi Davutoglu.
Të paktën 62 trupa të pajetë u zbuluan në një lagje në Banias në perëndim të Sirisë, pas sulmeve të kryera nga forcat e regjimit, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH)./trt/