Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë informon opinionin e gjerë se do të bojkotojnë konferencën për dialog ndërfetarë dhe ndërkulturor 2013, i cili do të mbahet gjatë periudhës 10-12 maj në Shkup dhe Ohër, dhe e cila organizohet nën mbikëqyrjen e Qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës të RM-së
BFI-ja e Maqedonisë ka një mijë arsye për ti thënë JO kësaj konference, e cila gjithsesi se paraqet vetëm një dyfytyrësi e llojit të veçantë, sepse në Maqedoni mund të ketë gjithçka por jo dialog ndërfetarë dhe ndërkulturorë mes komuniteteve që jetojnë dhe veprojnë në Maqedoni.
Edhe pёrkundёr asaj qё kohëve tё fundit gjithnjë e mё tepër kemi paralajmëruar se durimit i vjen fundi ,dhe nuk mund tё presim mё shumë qё tё kenë zgjidhje problemet e akumuluara me vite si; Çarshi Xhamia nё Prilep, Xhamia nё Llazhec, kryqet nё Sahat Kullat e Manastirit dhe Prilepit, kthimi i tokave tё nacionalizuara tё BFI-sё, ndarja e tokës pёr ndërtimin e Qendrës Islame nё Shkup, përjashtimi i elementit islam nga Qendra e Shkupit me projektin Shkupi 2014 dhe të tjera, fatkeqësisht asnjë vesh qeveritar nuk u tregua serioz tё dëgjoj kërkesat tona me vite.
Edhe në vitin 2010, gjatë mbajtjes së të njëjtës konferencë në Ohër, BFI-ja paralajmëroi bojkotin për disa arsye dhe kërkuan;
Rindërtimi i xhamisë së Prilepit;
Ndërtimi i xhamisë së Llazhecit;
Ndarja e një lokacioni për rezindecë dhe qendër kulturore për BFI-në;
Përdorimi i gjuhës shqipe në Konferencë, e vetmja pikë që u plotësua në vitin 2010 ndërsa për këtë vit nuk jemi të sigurt.
Problemi i parë – Çarshi xhamia e Prilepit
Për këto kërkesa dhe veçanërisht për Çarshi xhaminë e Prilepit u nënshkrua edhe një Memorandum për mirëkuptim mes BFI-së dhe institucioneve shtetërore më 05.05.2010, i cili memorandum u nënshkrua me ndërmjetësim të Ambasadës amerikane në Shkup, me saktë ekselencës së tij, z. Filip Riker.
Ky memorandum, ishte arsyeja kryesore për pjesëmarrje në konferencë, me shpresë se të gjitha kërkesat e BFI-së do të fillojnë të realizohen pas konferencës.
Më 29.07.2010 nënshkruam marrëveshje për donacion për sanimin, konservimin dhe restaurimin të xhamisë së djegur të Prilepit, me çka në buxhetin e shtetit, BFI-ja donoi 2 milion denarë, ndërsa buxhetin tjetër duhej ta realizonte Ministria e Kulturës. Prej atëherë e deri më sot nuk është bërë asgjë. Çarshi xhamia e Prilepit vazhdon të jetë dëshmi e gjallë e një diskriminimi klasik që po bëhet në Maqedoni.
Ne si BFI, gjithmonë kemi qenë për dialog dhe të gatshëm për zgjidhjen e problemeve në mënyrë demokratike, por Qeveria mirëkuptimin e ka pas vetëm në mënyrë deklarative dhe asgjë deri më tani nuk ka marrë në mënyrë serioze.
Problemi i dytë – xhamia e Llazhecit
Kërkesa për xhami në Llazhec daton me dekada, por të mos kthehemi aq pas. Të nisim prej vitit 2008, kur në një takim mes përfaqësuesve të BFI-së dhe institucioneve shtetërore, BFI-ja për të marrë leje për ndërtimin e xhamisë në Llazhec bëri një lëshim aq të madh sa që u pajtua që në pronën e saj, ne mesin e fshatit të ndërtohen kishë dhe me përmasat e njëjta edhe xhami.
Por ortodoksët maqedonas për ti thënë jo xhamisë refuzuan edhe kishën. Përsëri BFI-ja tregoi gatishmëri për dialog ndërfetarë dhe ndërkulturorë mes komuniteteve dhe më vitin 2010 u pajtua që të dislokojë vendin e xhamisë dhe nga qendra e fshatit ta ndërtojë diku në periferi. Mirëpo edhe ky mirëkuptim i BFI-së u hodh në ujë nga institucionet e shtetit dhe sot në maj të vitit 2013 akoma nuk është vendos një gurthemel i kësaj xhamie edhe përkundër asaj që dokumentacioni ka kaluar nëpër të gjitha fazat, por vetëm pengesë paraqitet komuna e manastirit e cila nuk jep leje për fillimin e xhamisë.
Problemi i tretë – Ndarja e një lokacioni për rezindecë dhe qendër kulturore për BFI-në
Edhe përkundër faktit që bashkësitë tjera fetare gëzojnë privilegje nga ana e shtetit që nënkupton që përpos që me të madhe u kthehet prona në procedurë denacionalizimi, përsëri shteti përveç që ju ka kthyer pronat KOM-it, Kishës Katolike, Komunitetit hebrej përsëri u ka siguruar edhe vende për rezidencë. BFI-ja e Maqedonisë edhe këtu është e diskriminuar. Kërkesa për sigurimin e një vendi për rezidencë dhe qendër islame në Kala të Shkupit, daton shumë vite dhe BFI-ja ka bërë harxhime të mëdha për sigurimin e dokumentacionit dhe ndryshimeve të planit detal urbanistik për atë pjesë, mirëpo Ministria e Transportit dhe lidhjeve për arsye që i din vetëm ministri Mile Janakievski, akoma nuk hap tenderi për marrjen e pronës dhe fillimit të punëve nga ana e BFI-së.
BFI-ja e Maqedonisë si pjesmarrëse e Konferencës për dialog ndërfetarë dhe ndërkulturor si në vitin 2007 ashtu edhe në vitin 2010, ka nënshkruar Deklaratën e përgjithshme ku mes tjerash kërkohet “ që të gjithë palët pjesmarrëse obligohen që të forcojnë dialogun ndërfetarë, duke promovuar tolerancë dhe bashkëjetesë dhe se do të luftojnë ndaj çdo lloj paragjykimi, jotelerance dhe diskriminimi” ( citat nga deklarata).
Por në vend realizimit të programeve të përbashkëta, BFI-ja e Maqedonisë pёr çdo dit përballet me një politik shtetërore e cila gjithnjë e mё tepër po prodhon diskriminim, pamundësi pёr tё realizuar synimet, shkelje flagrante tё tё drejtave fetare dhe njerëzore, nënçmim dhe pakёnaqёsi tё tjera.
Prandaj tё përballur me njё injorancë tё tejskajshme ndaj kërkesave tona nga ana Qeveris dhe organeve tё shtetit, do tё ishte njё manipulim me besimtarët nёse ne vazhdojnë tё trumbetojnë dialog fetar dhe religjioz nё Shkup dhe Ohër vetёm 2 ditё ndërsa 363 ditё tё tjera detyrohemi tё luftojnë diskriminimin klasik , injorimin dhe nënçmimin e institucionit mё tё lartё fetarё islam nё Maqedoni. Publikisht themi MJAFT MË.
Pёr hapin tonë gjithnjë e mё tepër kohët e fundit kemi paralajmëruar si institucionet e vendit ashtu edhe ambasadat dhe zyrat e lidhjeve ndёrkombёtare dhe nga tё gjithё kemi kёrkuar qё tё ulemi dhe tё fillojmë tё zgjidhen problemet me tё cilat po pёrballet BFI.
Nёse dikush tani shprehet i habitur pёr kёtё hap tonin, atёherё ai nuk ёshtё asgjё mё tepёr vetёm se njё aktor qё aktron çmendurinë nё kёtё teatër diskriminues.
Në fund apelojmë deri tek të gjithë Bashkësitë Fetare Islame në Botë, qendrave të ndryshme islame, shoqatave jo qeveritare, universiteteve dhe personave individual që thirren nga Ministria e Kulturës vetëm pse janë mysliman, që të solidarizohen me ne dhe ti thonë JO vendit ku nëpërkëmbet islami. /bfi.mk/