1- Në këto dy ditë hapen dyert e Xhenetit dhe falen të gjithë muslimanët, përveç atyre muslimanëve që janë në armiqësi me njëri-tjetrin.
Muslimi transmeton në Sahihun e tij nga Ebu Hurejre r.a, se i Dërguari i Allahut a.s ka thënë: “Dyert e Xhenetit hapen ditën e Hënë dhe ditën e Enjte dhe Allahu fal çdo person që nuk i shoqëron Atij askënd në adhurim, përveç një personi, i cili është armiqësuar me vëllain e tij. Për këta dy persona thuhet: “I lini këta të dy derisa të pajtohen. I lini këta të dy derisa të pajtohen. I lini këta të dy derisa të pajtohen.””[1]
2- Veprat e njerëzve i paraqiten Allahut në këto dy ditë.
Muslimi transmeton në Sahihun e tij nga Ebu Hurejre r.a, se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Veprat e njerëzve paraqiten dy herë në javë; ditën e Hënë dhe ditën e Enjte, e Allahu fal çdo besimtar përveç atij që është armiqësuar me vëllain e tij….”[2]
Duke pasur parasysh këtë, muslimani duhet t’i largohet armiqësisë, prishjes së lidhjeve apo bojkotit ndaj vëllait të vet. Ai duhet të largohet nga çdo sjellje e gabuar, e ngjashme me këto që sapo thamë, me qëllim që mos e privojë veten nga këto mirësi të mëdha të Allahut.
3- I Dërguari i Allahut a.s. i agjëronte këto dy ditë.
Në disa libra të sunetit transmetohet se Aishja r.a ka thënë: “I Dërguari i Allahut a.s kujdesej shumë për agjërimin e ditës së Hënë e të Enjte.”[3]
I Dërguari i Allahut a.s. e ka argumentuar agjërimin e këtyre dy ditëve me këto fjalë: “Veprat i paraqiten Allahut ditën e Hënë dhe ditën e Enjte, dhe unë dëshiroj që të jem agjërueshëm, kur veprat e mia të paraqiten.”[4]
Muslimi transmeton në Sahihun e tij nga Ebu Katade, se kur i Dërguari i Allahut a.s. është pyetur për agjërimin e ditës së Hënë, ka thënë: “Ajo është një ditë në të cilën kam lindur dhe po në atë ditë më është zbritur shpallja.”[5]
Sanani[6] thotë: “Midis këtyre dy shkaqeve, ose dy argumenteve nuk ka ndonjë mospërputhje.”[7]
Duke u bazuar në këto hadithe themi se për një mysliman, agjërimi i këtyre dy ditëve vullnetarisht është një vepër e pëlqyeshme.
4- I Dërguari i Allahut a.s. i niste shumicën e udhëtimeve të tij ditën e Enjte dhe kjo gjë i pëlqente atij.
Buhari transmeton në Sahihun e tij, se Kab ibn Maliku ka thënë: “Udhëtimet e të Dërguarit të Allahut a.s kanë qenë shumë të rralla në ndonjë ditë tjetër përveç ditës së Enjte.”
Në një transmetim tjetër po nga Kab ibn Maliku thuhet: “I Dërguari i Allahut a.s u nis për në betejën e Tebukut, ditën e Enjte. Ai kishte dëshirë që udhëtimet e tij t’i fillonte ditën e Enjte.”[8]
materiali eshte marrur nga faqja e forumit Selefus-Salih