Kryeministri turk, Rexhep Erdogan, ka refuzuar të pranojë draft rezolutën e këshillit të BE, në të cilën kritikohet mënyra si ka reaguar kryeministri turk dhe qeveria e tij në trajtimin e protestave të Taksim dhe Gazi Park në Stamboll. Erdogan tha:”Ne nuk e njohim këtë draft rezolutë.”
Në fjalën e tij të mbajtur para kryetarëve të bashkive dhe komunave, Erdogan tha:”Ku është këshilli i BE me mënyrën si i trajtoi Britania protestat dhe demonstratat në Londër një ditë më parë, të cilat zhvilloheshin paralelisht me fillimin e punimeve të G8, ku u protestua kundër kapitalizmit? Vallë çfarë draft rezolute do të miratojë këshilli i BE-së ndaj Britanisë, për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve në Londër? Kjo, edhe pse Britania është anëtare në BE. Ndërkohë, Turqia nuk është anëtare, por thjesht është në proces bisedimesh.”
Erdogan i bëri thirrje BE që të njihet më thellë me natyrën e protestave në Stamboll, ti lexojë ngjarjet më objektivisht dhe pastaj ti kritikojë të tjerët.
Sakaq, gazeta gjermane Allgemeine Zeitung, nën titullin “Kur ka qenë Turqia më demokrate se në kohën e Erdogan?!” ka marrë mendimin e pesë akademikëve turq që jetojnë në Gjermani, lidhur me protestat e sheshit Taksim në Stamboll. Pothuaj të pesë akademikët, të cilët përfaqësojnë opinionin e pjesës më të madhe të komunitetit turk në Gjermani, ishin dakord me të drejtën e protestës, por, ata ishin kundër akteve të dhunës nga ana e protestuesve. “Asnjë shtet në botë, e sidomos Gjermania, nuk lejon që protestuesit të dalin me maska në fytyrë, të prishin pronën publike dhe private, ashtu siç ndodhi në Turqi. Reagimi i policisë erdhi vetëm pas akteve vandale dhe të dhunës nga ana e protestuesve. Kur ka qenë Turqia më demokratike sesa është sot në kohën e Erdogan? Përgjigja është”Asnjëherë”, madje mund të themi që ka qenë e kundërta. Erdogan është politikani më i mirë në të gjithë historinë e vendit tonë.” u shprehën ata. /ardhmeriaonline/