Një herë gjatë kohës së haxhit disa njerëz të mirë ishin mbledhur në Mekë dhe po kuvendonin. Më i riu nga ta ishte Xhunejd Bagdadi (r.a.). Temë e bisedës ishte “Dashuria ndaj Allahut të Madhërishëm” dhe se kush ishte ai që vërtet e do Allahun e Madhërishëm. Shumë nga ta i paraqitën opinionet e veta, ndërsa Xhunejdi (r.a.) rrinte pa bërë zë, vetëm kujtohej, pa thënë gjë.
Shokët e detyruan që të thoshte diçka, të hapte zemrën edhe ai dhe të shprehte mendimin e vet. Me kokën ulur dhe me lotë ndër sy ai tha:
“Ai që e do Allahun e Madhërishëm është ai që e harron vetveten; ai gjithmonë eshtë i zënë me të përkujtuarit e Allahut xh.sh dhe duke i pasur parasysh e çuar në vend të gjithë urdhërat e Tij; ai e sheh Allahun e Lartmadhërishëm me sytë e tij të zemrës, e cila përvelohet nga nxehtësia e frikës ndaj Tij; përkujtimi i Allahut xh.sh. e pushton, e deh; ai i flet fjalët e Allahut të Madhërishëm (p.sh., Kur’anin – shën. i përkth.) sikurse Ai të fliste përmes gojës së tij; nëse ai leviz, këtë e bën sipas urdhërit të Allahut xh.sh; ai përfiton paqe në mendjen e tij vetëm përmes nënshtrimit ndaj Tij; dhe kur ky nivel arrihet, ai ha, pi, fle, zgjohet, shkurtimisht, të gjitha veprimet e tija janë për kënaqësinë e Allahut të Lartmadhërishëm; ai as që i merr parasysh gjërat e kësaj bote, e as që i kushton ndonjë rëndësi kritikave jo miqësore të njerëzve.
Përktheu: Breziiri