Në kohën e Ebu Bekrit ndodhi një thatësirë e madhe, aq sa njerëzit u mblodhën para shtëpisë së halifes dhe po i ankoheshin se qielli nuk po pikonte, toka nuk po mbinte dhe njerëzit ishin në vështirësi të madhe.
Ebu Bekri u tha: “Shpërndahuni dhe duroni, se në mbrëmje Allahu ka për t’jua sjellë inshallah zgjidhjen.”
Nuk ndejtën shumë kur u panë punëtorët e Uthmanit që ktheheshin me karvan nga Shami, në të cilin gjendeshin plot njëqind deve me ushqim. Njerëzit u mblodhën përpara shtëpisë së tij dhe filluan t’i ankoheshin, tregtarët po i qanin hallin dhe vështirësinë dhe po e nxisnin t’u shiste ushqimin që kishte sjellë nga Siria.
Ai u tha: “Sa më jepni?”
“Për çdo dhjetë dinarë të japim dymbëdhjetë.” Uthmani ua ktheu: “Më kanë dhënë më shumë se kaq.”
Ata i thanë: “
Për çdo dhjetë dinarë të japim pesëmbëdhjetë.”
Ai u tha sërish: “Më kanë dhënë më shumë se kaq.”
Tregtarët të habitur ia kthyen: “O Uthman, nuk ka tregtarë të tjerë në Medine, të gjithë jemi këtu, cili është ai që të ka dhënë më shumë?”
Ai u tha: “Allahu më ka dhënë për çdo dinar dhjetë dinarë.
Dëshmoj para jush se ushqimin e këtij karvani e kam dhënë sadaka për fukarenjtë e Medines.”