Wassam Azaqeer, një libanez, i cili jeton në vendin e rrethuar me ajsbergë, të quajtur Grenlandë, është muslimani i vetëm në këtë shtet. Ai agjëron çdo ditë për 21 orë me vendosmëri.
Grenlanda është ishulli më i madh në botë; shtrihet mes Atlantikut të Veriut dhe Oqeantit Arktik, një provincë vetë-qeverisëse e Danimarkës. Sipas një raporti të një televizioni Arab, Wasam Azaqeer, i cili po jeton në Grenlandë për disa vite, është quajtur “Kolombi Arab”. Ai është arabi i vetëm musliman, i cili jo vetëm që ia doli të jetonte në Grenlandë, pavarësisht udhëtimit të gjatë e të lodhshëm, por gjithashtu drejton një biznes të suksesshëm në kryeqytetin e Grenlandës, të quajtur Nuuk.
Wassam po menaxhon restorantin e tij, ku mikpret 200 klientë çdo ditë. Muaji i Ramazanit këtë vit qëlloi në verë, kështu që Wassam duhet të agjërojë për 21 orë dhe pas iftarit ai ka vetëm dy orë për të përgatitur syfyrin, vaktin para fillimit të agjërimit të ditës tjetër. Gjatë këtyre dy orëve Wassam ka për të kryer faljen e Akshamit dhe të Jacisë.
Ai thotë se është krenar që është muslimani i vetëm në ishull, i cili agjëron edhe falet në emër të Allahut. Wassam thotë se shpesh mendon për të shkuar në Libi gjatë këtij muaji, por ai e ndalon veten duke menduar se nëse ai e lë Grenlandën, nuk do të ketë më kush të agjërojë apo të falet në ishull.
Përktheu nga anglishtja:
Indira Krymi, Shkodër