Prokurori shtetëror egjiptian urdhëroi që Presidenti Muhamed Mursi të ndalohet për 15 ditë për tu marrë në pyetje mbi akuzat për bashkëpunim me lëvizjen palestineze Hamas, njofton agjencia e lajmeve MENA.
Presidenti egjiptian Muhamed Mursi do të mbahet në arrest për 15 ditët e ardhshme, dhe do të jetë në pritje të hetimit ndaj akuzave se ai gjoja se "kishte komplotuar" me lëvizjen e Hamasit në Gaza, për të kryer "akte armiqësore" në Egjipt.
Mursi do të merret në pyetje nëse ai ka bashkëpunuar me Hamasin në sulmet mbi stacionet policore dhe thyerjet e burgut në fillim të vitit 2011, gjatë së cilës u liruan të burgosurit politik të regjimit të Hosni Mubarak.
Ndërkohë, Vëllazëria Myslimane – nga e cila vjen Mursi - tha se ndalimi i presidentit sinjalizon kthimin e regjimit të Mubarakut.
Mursi, presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike i Egjiptit, u përmbys nga ushtria më 3 korrik.
Që nga rrëzimi i tij, mijëra mbështetës të tij kanë organizuar demonstrata të përditshme për të mbrojtur legjitimitetin e tij demokratik dhe kërkojnë rivendosjen e tij.