Për gjashtë muaj 76 vetëvrasje
Raportet ditore të policisë, flasin për rritje të ndjeshme të numrit të tentim vetëvrasjeve dhe vetëvrasjeve në Maqedoni. Kjo rritje, sipas sociologëve dhe psikologëve klinikë, po vjen si pasojë e mungesës së kujdesit shpirtëror në planin individual dhe në atë institucional. “Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në tërë territorin e Maqedonisë janë regjistruar 76 vetëvrasje dhe 107 tentime për vetëvrasje, derisa në rajonin e Shkupit ka pasur 12 vetëvrasje dhe 10 tentime për vetëvrasje. Krahasuar me një vit më parë, statistikat bëjnë të ditur se gjatë periudhës së njëjtë kohore ka pasur 12 vetëvrasje dhe 5 tentime për vetëvrasje”, citon agjencine e lajmeve "INA" Marija Jakovlevsken, nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë.
Sipas të dhënave, numri më i madh i vetëvrasjeve është shënuar në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, ku vetëm gjatë këtij viti janë shënuar tri vetëvrasje më shumë krahasuar me një vit më parë, për periudhën e njëjtë kohore - këtë vit janë shënuar 12 vetëvrasje.
Ndryshe, të dhënat e policisë flasin se vetëvrasjet kryesisht bëhen me tableta helmuese, preparate higjienike, toksina të tjera ose varje me litar.
Shumica e atyre që kryen vetëvrasje këtë vit, janë burra deri në moshën 30- vjeçare, ndërsa më i riu që i mori jetën vetes ishte një 12-vjeçar. Rasti i fundit ishte ai i 16-vjeçares nga Shkupi, e cila i mori jetën vetes me armë zjarri në shtëpinë ku punonte si pastruese.