Mjekët francezë të grupit humanitar Mjekët pa Kufij (Médecins Sans Frontieres ose MSF ) thonë se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë me urgjencë ndaj krizës humanitare në Siri. MSF bëri thirrje të ngutshme për shkatërrimin e armëve kimike dhe qasje në ndihma, vecanërisht ato ushqimore.
Sipas Mjekëve pa Kufij, kequshqyerja dhe uria kanë arritur nivele dramatike, veçanërisht në zonat ku qasja është bllokuar nga luftimet e vazhdueshme.
Ndërkohë, aeroplanët luftarakë dhe helikopterët e regjimit nuk kursyen bombat ndaj civilëve as në festën e Kurban Bajramit.
Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut tha se aeroplanët luftarakë bombarduan pjesën veriore të provincës Hama, duke vrarë tre fëmijë, si dhe objektivat në rrethin e Ghoutas Lindore, afër Damaskut.
Vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se më shumë se 100,000 njerëz janë vrarë në luftën 30 –mujore, ndërsa grupet për të drejtat e njeriut dhe aktivistët në terren thonë se numri i tyre është mbi 200.000. Lufta ka zhvendosur më shumë se 2 milionë njerëz brenda vendit dhe miliona të tjerë në vendet fqinje. /mesazhi/