Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka kërkuar nga Siria fqinje, që menjëherë të lejoj hapjen e korridoreve humanitare, për t’i ndihmuar civilët e kërcënuar nga ofensiva qeveritare kundër protestuesve anti-qeveri.
Duke folur në një takim me ligjvënësit nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, z.Erdogan, që është edhe lider i kësaj partie, ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar për t’i bërë presion presidentit sirian, Bashar al-Asad, që të lejoj dërgimin e furnizimeve me ndihma për civilët.
Turqia dhe Siria e kanë një kufi të përbashkët prej 910 kilometrash gjatësi.
Sipas të dhënave të qeverisë në Ankara, afro 11 mijë sirianë kanë arritur në Turqi, prej se forcat siriane të sigurisë e kanë filluar goditjen e tyre kundër kundërshtarëve të regjimit të Asadit, para një viti.
Kryeministri turk, Erdogan, është njëri nga kritikët më të fuqishëm të ish aleatit të tij, Bashar al-Asad, për shkak të goditjes së forcave qeveritare, nga e cila, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, janë vrarë së paku 7500 njerëz.
Z.Erdogan e ka përkujtuar Bashar al-Asadin se “herët ose vonë ai do të përgjigjet për mizoritë dhe masakrat e tij”./bs/