Shkruan "Ky është një tregim i një motre muslimane të cilën e ka sprovuar Allahu, xhele shanuhu, në ditën e parë të martesës së saj.
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të gjitha botërave, paqja, mëshira dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij të fundit (Muhamedin), mbi familjen tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij deri në ditën e fundit
Si t'ua bësh të tjerëve do të kthehet ty:
Ky është një tregim i një motre muslimane të cilën e ka sprovuar Allahu, xhele shanuhu, në ditën e parë të martesës së saj, por për ata që bëjnë durim Allahu ka thënë: "... Për durimtarët ka shpërblim pa masë." (Zumer: 10)
Martesa e tyre ishte një martesë e thjeshtë islame. Kur erdhi koha të dy bashkëshortët hynë në dhomë. Gruaja u ngrit dhe e solli ushqimin pranë burrit të saj dhe ata u bashkuan në sofër pranë ushqimit. Papritmas dikush trokiti në derë, ndërsa burri i hidhëruar tha: kush është që vjen në këtë orë? U ngrit gruaja për ta hapur derën, u ndal pranë derës dhe pyeti: kush është në derë? Një zë pas derës u përgjigj: jam lypës, kërkoj pak ushqim. Gruaja u kthye te burri i saj dhe i tregoi se kush ishte dhe çfarë donte. Burri u hidhërua edhe më shumë: ky na e trazon qetësinë tonë në natën e parë të dhëndërrisë! Doli te ai dhe e goditi fort duke e larguar atë atë në mënyrë shumë të poshtër. Lypësi u largua nga dera e shtëpisë tij i përulur e uria ia rëndonte shpirtin, trupin dhe nderin e tij.
Burri pastaj u kthye tek nusja e tij i neveritur nga ky person i cili ia ndërpreu kënaqësinë dhe bisedën me gruan e tij, mirëpo papritmas atë e goditi diç e ngjashme me prekje nga xhinët dhe iu ngushtua toka me gjithë gjerësinë që e ka. Ai doli nga shtëpia duke bërtitur dhe duke e lënë gruan e tij në natën e nusërisë, të cilën e goditi një trishtim kur e pa burrin e saj në atë gjendje, mirëpo kjo ishte dëshira e Allahut të Madhëruar.
Kjo motër muslimane qëndroi në këtë gjendje pesëmbëdhjetë vite (pa u martuar) duke duruar dhe shpresuar shpërblimin tek Allahu i Madhëruar. Dhe, pas pesëmbëdhjetë viteve të kësaj ndodhie asaj iu prezentua një musliman për martesë me të cilin pranoi të martohej.Në natën e parë të martesës së saj, ajo u ul me burrin e saj pranë sofrës së ushqimit që të darkonin por papritmas ata dëgjuan se dikush e trokiti derën. Burri i tha gruas së tij që ta hap derën. U ngrit gruaja për ta hapur derën, u ndal pranë derës dhe pyeti: kush është në derë? Një zë pas derës u përgjigj: jam lypës, kërkoj pak ushqim. Gruaja u kthye te burri i saj dhe i tregoi se kush ishte dhe çfarë donte. Burri e ngriti ushqimin me duart e tij dhe i tha: merre këtë dhe ofroja atij le të hajë deri sa të ngopet, e çka të mbetet prej ushqimit e hamë ne.
Ajo e mori ushqimin dhe ia ofroi lypësit por shpejt u kthye duke qarë. Burri i saj e pyeti: ç'ke? pse qan? çka ndodhi? të ofendoi? të injoroi? A të rëndoi diçka? Jo - iu përgjigj ajo kurse lotët i rridhnin nga sytë? E pse qan atëherë? – e pyeti përsëri burri. Ajo u përgjigj: ky njeri pranë derës tënde dhe që han nga ushqimi yt ka qenë burri im para pesëmbëdhjetë viteve. Në natën e parë të martesës, e trokiti derën një njeri dhe kërkoi ushqim por burri im doli dhe e largoi atë nga dera duke e goditur. Pastaj, u kthye tek unë i neveritur por atij iu ngushtua gjoksi e pastaj më duket se është çmendur apo është sëmurë nga xhinët. Ai doli nga shtëpia dhe nuk dinte se kah shkonte dhe prej atij çasti nuk e kam parë më deri sot. Kurse tani ai kërkon lëmoshë nga njerëzit ...
Papritmas burri i saj shpërtheu duke qarë. Ajo e pyeti: pse qan? Ai u përgjigj: a e din se kush ka qenë ai njeri të cilin e ka goditur burri juaj? Kush? – pyeti ajo. Ai u përgjigj duke qarë: unë jam ai.
I Lartësuar qoftë i Fuqishmi Hakmarrës, i Cili u hakmorr për robin e Tij të varfër e të gjorë i cili erdhi me kokë të përulur për të lypur prej njerëzve, kurse dhembja ia rëndonte zemrën e tij prej urisë, dhe ky njeri ia shtoi dhimbjen edhe më shumë duke e larguar në mënyrë mizore prej derës së tij, kurse zemra ime donte të copëtohej për shkak të nënçmimit dhe përbuzjes që e kishte goditur, mirëpo Allahu i Madhëruar nuk e don padrejtësinë, dhe e zbriti dënimin e Tij mbi atë që e nënçmoi njeriun dhe i bëri padrejtësi, dhe e shpërbleu robin i cili bëri durim. Kaluan ditë dhe Allahu e furnizoi me të mirat e Tij, dhe e dërgoi dënimin mbi atë njeri i cili bëri padrejtësi, dhe ia mori mendjen e ia humbi pasurinë, e ai u bë një lypës i gjorë.
Dhe, i Lartësuar qoftë Allahu i Cili e furnizoi robëreshën e ndershme besimtare e cila bëri durim në sprovën e Allahut pesëmbëdhjetë vite dhe ia zëvendësoi burrin e saj me më të mirë.