Vëllezër dhe motra!
Eselamu alejkum! Është mirë të mësojmë nga ngjarja e një të moshuari. Ndodhia në fjalë
zgjon interesim, ofron dobi dhe mësime.
Një plak i shtyrë në moshë gjendej i shtrirë në shtratin e vdekjes. Rreth tij ishin tubuar
anëtarët e familjes, të afërmit dhe miqtë. Momentet e fundit të vdekjes... qimet e bardha i
kishin mbuluar kokën, shenjat e pleqërisë vëreheshin dukshëm, por ai ishte i përmbajtur
në fytyrë. Të gjithë rreth tij shikonin me kujdes dhe vëmendje. Mbretëronte qetësia..
Plaku filloi të flasë: -O bijtë e mi! Kur i mbusha të njëzetat, kisha ambicie, aspirata dhe
synime të mëdha. Ato ishin gjithëpërfshirëse, synoja të ndryshoja për së miri tërë dynjanë
(botën), të bëja një përmirësim të shkëlqyer. Këto ishin ëndrrat e mia!
Kaluan vitet, i bëra njëzet e një, njëzet e dy, njëzet e tre... arrita në të tridhjetat. Kështu e
pashë veten se gjatë kësaj periudhe kohore vetëm kisha menduar, por asgjë nuk kisha
ndryshuar.
Synimi për të ndryshuar botën është një gjë e vështirë, prandaj nga ky moment vendosa të
reformoja shtetin ku jetoja. Patjetër mendoja që duhet të kontribuoja për vendin tim duke
e transformuar në një gjendje më të favorshme. Kështu dëshirat filluan të zbehen
dalëngadalë, vit pas viti. Tridhjetë e një, tridhjetë e tre... dhe i bëra dyzet vite jetë. Vërtet
me keqardhje po e them se prapë asgjë nuk arrita të bëja, vërejta se ishte e vështirë.
Vendosa të përqendrohesha vetëm në qytetin ku jetoja, së paku këtu t’i realizoja ëndrrat e
mia. Për çudi, vitet shkonin: dyzet e një, dyzet e tre dhe i plotësova pesëdhjetë vite, por
përsëri nuk arrita të realizoja asgjë dhe të bëja asnjë ndryshim.
Kështu, duke parë veten pa rezultate, vendosa ta jepja kontributin tim në një nivel më të
vogël dhe zgjodha lagjen ku banoja, me shpresë se këtu do ta arrija qëllimin. E, një ditë i
mbusha gjashtëdhjetë vite! Përsëri, shumë me keqardhje duhet të them se nuk arrita të
përmirësoja dhe të ndërroja as lagjen time.
Vendosa të ndryshoja shtëpinë time, anëtarët e familjes sime. Fillova të veproja në këtë
drejtim, shkoi një vit, i dyti, i treti dhe i mbusha shtatëdhjetë vite jetë e përsëri nuk arrita
të përmirësoja dhe të ndikoja as në familjen time.
Nuk pata sukses dhe dështova në të gjitha rastet. Vallë! Ku është problemi? I mbusha të
shtatëdhjetat dhe tani jam në shtratin e vdekjes.
Plaku u tha bijve të vet: -Unë e mësova arsyen e dështimit në të gjitha këto përpjekje.
Ishte e nevojës dhe parësore që unë të filloja së pari nga vetja, të përmirësoja veten. Po qe
se nuk ndryshon veten, assesi nuk ke mundësi të ndikosh te të tjerët. Allahu i Lartësuar
thotë:
“Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata tëndryshojnë ç’kanë në vetvete.”Plaku shprehet: -Po të më japë Allahu jetë edhe dhjetë vite, që nga ky çast do të filloja ta
përmirësoja veten dhe jam më se i bindur se kur ta arrija këtë, do të kem mundësi të
ndikoj dhe të përmirësoj familjen time, lagjen ku banoj, qytetin dhe vendin tim.
Kur Muhamedi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, filloi komunikimin e
mesazhit islam, filloi nga vetja dhe më pas e zgjeroi shtrirjen e udhëzimit.