Kohë më parë varrezat muslimane në Manastir të Maqedonisë ishin në kushte shumë të këqija. Por, muajt e fundit, pas fillimit të punimeve, kushtet dhe karakteri i tyre gradualisht ka filluar të ndryshojë
“Manastiri do të bëhet me varreza më moderne muslimane në Ballkan”, thotë myftiu i Manastirit, Pëllumb Veliu.
Ai më tej thotë se varrezat e reja do të zënë një sipërfaqe prej 35.000 metra katrorë dhe do të përmbushin nevojat e muslimanëve të qytet për 100 vitet e ardhshme. Parcelat e reja do të jenë sipas standardeve ndërkombëtare, kadastrale të rregulluar dhe të numëruara. Kompleksi do të ketë morgun, hapësirën për pastrimin e xhenazes, hapësirën për organizimin e riteve fetare, si dhe hapësirat tjera përcjellëse. Tashmë është ndërtuar porta kryesore dhe një pjesë e madhe e rrethimit me beton dhe hekur.
Sipas projektit, oborri do të jetë i zbukuruar me një shatërvan, me rrethrrotullim dhe do të ketë parkingun e vet. I gjithë projekti është planifikuar të financohet nga BFI e Maqedonisë, i cili do të kujdeset edhe për menaxhimin, ndërsa të gjitha ndërtimet janë parashikuar të përfundojnë deri në vitin 2015. Sipas vlerësimeve të para është paraparë që i gjithë projekti të kushtoj rreth 800,000 € .
Myftinia e Manastirit është e bindur se kompleksi i varrezave të reja në Manastir do t’i përmbushë standardet më të larta ligjore dhe fetare dhe do të jetë një nga më modernet në Ballkan.