Duke pas parasysh se në Ohër, varrezat muslimane janë në të njëjtin vend (lokacion) me ato të krishtere, objekti që shërben si morg dhe kapelë, nuk përmbushte nevojat për ceremonitë mortore të pjesëtarëve të komunitetit musliman.
Nga kjo, është ngritur iniciativë për ndërtimin e një objekti të veçantë për nevoja të pjesëtarëve të komunitetit musliman në Ohër.
Këtë iniciativë, të shëndërruar në dokumentacion përkatës, e ka miratuar edhe Këshilli i komunës së Ohrit dhe këto ditë është vënë gurthemeli i morgut dhe kapelës muslimane në varrezat e qytetit të Ohrit.
Vetë kryetari i komunës së Ohrit, Aleksandër Petreski është shprehur se duhet patur kujdes dhe duhet menduar edhe për nevojat dhe interesat e të gjithë qytetarëve. Vlerësohet se me këtë veprim, ai tregon një shembull për bashkëjetesën dhe respektimin e dallimeve etnike dhe fetare.
“Deri më tani, është përdorur kapela e përbashkët në varreza, por nevoja dhe kërkesa për një objekt të këtillë dita ditës është shtuar ndaj ishte e patjetërsueshme investimi dhe ndërtimi i një objekti të këtillë që përmbush kërkesat dhe nevojat e besimtarëve musliman”-ka thënë Petreski.
Duke theksuar se objektet dhe veprat e mira mbeten edhe pas nesh, muftiu i Ohrit, Afrim Xhelili, me rastin e gurthemelit të morgut dhe kapelës muslimane, është shprehur:”Një vepër që mbetet, në të cilën siç ka thënë profeti ynë, se njeriu edhe pse kalon në jetën e amshueshme, veprat e mira i mbeten në këtë botë. Njeriu mund ta ndërrojë jetën, ndërsa veprat e tija mbeten të përjetshme, e në qytetin tonë kemi shumë vepra të këtilla”-ka thënë myftiu Xhelili, në vënjen e gurthemelit.