Simbolet islame janë nga shenjat e Islamit. Prezenca e Islamit duhet të shihet qartë nëpër shtëpitë, rrugët dhe qytetet tona. Ashtu siç na tregon prezenca e minareve se në atë rajon jetojnë myslimanë, në të njëjtën mënyrë një rajon i pastër apo një njeri i pastër është një nga shenjat e Islamit që tregon se tek ai person ekzistojnë shenjat e Islamit.
Pejgamberi (s.a.s) thotë se feja Islame është e ndërtuar mbi themelet e pastërtisë. Kjo do të thotë se pastërtia për myslimanin nuk është diçka e thjeshtë, në kuptimin “është mirë nëse mbahet pastërtia dhe s’është mirë nëse nuk mbahet”. Pastërtia është diçka e patjetërsueshme.
Emri Kuddus i Allahut xh.xh. nënkupton atë që është larg nga të gjitha mangësitë, i pastër dhe që pastron. Allahu xh.xh., i cili është krijues i të gjitha gjallesave, atyre ua ka falur edhe aftësinë për t’u pastruar. Ujëvarat pastrohen duke rrjedhur pa ndërprerë. Qielli është gjithmonë i pastër. Kafshët, me intuitën që ua ka falur Zoti, pastrojnë trupin dhe vendqëndrimin e tyre. Njeriu i pastër do të jetë mbështetur në emrin Kuddus i Allahut dhe njëkohësisht do të ketë gjetur një rrugë shpëtimi.
Njeriu i pastër (kuddus) është ai që do ta ndjejë veten më rehat (pa brenga) në prani të Zotit. Islami është feja e njerëzve të pastër. Çdo gjë që ka krijuar Zoti është shumë e bukur dhe perfektë. Prandaj edhe njeriu duhet të posedojë një pamje të pastër dhe të bukur.
Ai i cili mban të pastër trupin, veshjen, shtëpinë dhe rrethinën, në jetën e tij është duke reflektuar emri Kuddus i Zotit. Përderisa pastërtia vjen nga besimi, duke filluar që nga larja e duarve e deri në kujdesin për të mos hedhur as edhe një grimcë papastërtie në tokë apo në det, e gjithë kjo vjen si rrjedhojë e besimit. Kujdesi për pastërtinë e shtëpisë, ndërtesës, rrugës, fshatit apo qytetit, në të njëjtën kohë do të thotë kujdes për të mos hyrë në hakun e të tjerëve (mos shkeljen e të drejtës së tjetrit).
I gjithë ky përkushtim për pastërti duhet bërë vetëm për hir të Zotit, duke menduar rëndësinë që Islami i kushton pastërtisë.
Allahu, i cili e ka krijuar njeriun, është i informuar për çdo gjendje të tij. Ai që ka urdhëruar pastërtinë, është Allahu. Personi i cili e mban veten të pastër vetëm e vetëm ngaqë Allahu e ka urdhëruar atë, i është përulur urdhrit të Allahut, mbështetet tek Ai, ndjehet i kënaqur nga jeta e tij, e ndjen veten mirë dhe shëtit me vetëbesim. Kur të kalojmë nga një rrugë të pastër për të hyr në një shtëpi të pastër, edhe namazi që do ta falim atje na bën të ndjehemi më të qetë për dallim nga një shtëpi të çrregullt.
Njeriu i cili pastrohet për hir të Zotit, e ndjen veten më afër tek Zoti. Ashtu që ai i afrohet adhurimit dhe të qenit rob i Zotit. Që do të thotë se ai person është duke u zhvilluar nga aspekti shpirtëror.
Është e qartë se spastrimi material ka shumë ndikim në botën tonë shpirtërore. Pa dyshim që vendi i spastrimit shpirtëror është i veçantë.
Nga vetë arsyeja që njeriu nuk është i krijuar vetëm prej mishit dhe eshtrave, spastrimi material nuk është i mjaftueshëm. Ngaqë posedojmë mendje, zemër, imagjinatë, kuriozitet dhe dashuri, kemi nevojë edhe për pastrim shpirtëror.
Pastrimit shpirtëror bëhet me anë të pendimit. Pasi që pendimi të shprehet me gjuhë, assesi nuk duhet afruar tek mëkati për të cilin jemi penduar. Kështu që pendimi do të jetë realizuar edhe në praktikë dhe shpresohet që të jetë pastruar edhe zemra e njeriut.
Njëra nga shenjat e pastrimit shpirtëror është praktikumi i gjërave që na ka urdhëruar Zoti dhe largimi nga gjërat që na i ka ndaluar. Ta jetosh Islamin do të thotë t’i përshtatesh sunnetit të Pejgamberit s.a.s., të largohesh nga mendimet dhe ndjenjat e liga, të mundohesh të jesh një person i mirë, të shpëtosh nga injoranca, ta pastrosh nefsin nga papastërtitë e ndryshme dhe të jesh i pastër nga aspekti shpirtëror.
Pastërtia materiale dhe shpirtërore në fenë Islame janë aq të rëndësishme, saqë edhe kufoma që do të varroset në tokë së pari lahet (pastrohet) dhe më vonë varroset. Këtu mund ta kuptojmë edhe vlerën që Islami ia kushton njeriut.
Hekimoglu Ismail / [email=hek%C2%ADi%C2%ADmo%C2%ADglu@ti%C2%ADmas.com.tr]hekimoglu@timas.com.tr[/email]