Filozofët myslimanë i kanë kushtuar vëmendjen e duhur shpirtit dhe sëmundjeve të tij. Ata u shquan për diagnostikimin dhe trajtimin e këtyre sëmundjeve. Një ndër ata që është shquar për metodologjinë e tij në këtë fushë është dhe Ebu Hamid Gazali, mendimet e të cilit dallojnë nga mendimet e filozofëve grekë, por edhe të filozofëve të tjerë myslimanë.
Dallimi mes Gazalit dhe filozofëve të tjerë, është se ai i merr bazat e filozofisë së tij nga islami, duke shtuar përvojën e tij personale me sufizmin. Vlen të dihet se sufizmi ka lidhje të ngushta me psikologjinë, dijen e shpirtit dhe Gazali është një nga hulumtuesit dhe studiuesit e shpirtit. Sufizmi ka përmban një lëndë të vyer lidhur me shpirtin, e cila josh çdo studiues në këtë fushë. Përvoja personale e Gazalit, pati ndikimin më të thellë në shkrimet e tij mbi psikologjinë e njeriut, analizën e sëmundjeve, perceptimin e drejtë të motiveve dhe reagimeve, njohjen e emocioneve dhe devijimeve dhe për rrjedhojë, diagnostikimin dhe trajtimin e duhur.
Prandaj dhe vendosëm që në këtë artikull, të ndjekim analizën e Gazalit lidhur me disa tematika të shpirtit, si natyrën e emocioneve dhe kontrollin e tyre, sëmundjet e zemrës, shkaqet dhe mënyrën e trajtimit. E gjitha kjo, në kuadrin e krahasimit me teoritë moderne, duke nxjerrë në pah metodën e Gazalit në analizë, metoda e të cilit është e përafërt me metodat moderne, sidomos në pikënisjen e njohjes së vetes me anë të reflektimit dhe meditimit, si dhe falë vëzhgimit dhe eksperimentimit. E gjitha kjo, bazohet në rastet e treguara vetë nga Gazali dhe përvoja e tij personale.
Besojmë se nga e gjithë trashëgimia e pasur që ka lënë pas Gazali, do të sjellim sado pak nga metodologjia e tij në trajtimin e sëmundjeve të shpirtit, me të cilën, ai u ka paraprirë shumë prej teorive moderne.
Thelbi i sëmundjeve të shpirtit sipas Gazalit
Ebu Hamid Gazali (1056 – 1111) është nga mendimtarët më të shquar myslimanë të cilët i kanë kushtuar një vëmendje të madhe shpirtit të njeriut. Ai u ndal tek shumë mekanizma që e kontrollojnë atë, diagnostikoi shumë sëmundje dhe patologji të tij dhe u përpoq të ofrojë trajtimin e këtyre sëmundjeve të shpirtit.
Nuk gabojmë aspak nëse themi që tek Gazali gjejmë konturet e para të teorisë së psikoanalizës, teori të cilën Gazali e bazon tek islami. Ne do i qasemi veçorive më karakteristike të teorisë së Gazalit rreth shpirtit, instinktit dhe emocioneve dhe ndikimit të tyre në aktivitetin e shpirtit, sëmundjeve të shpirtit, shkaqeve dhe mënyrës së trajtimit. Kjo do të na ofrojë një imazh të plotë të ideve pararendëse të Gazalit.
Gazali flet për sëmundje e shpirtit, të cilat i emëron si sëmundje të zemrës. Në arabisht, zemra dhe shpirti vijnë me të njëjtin kuptim ndonjëherë. Këto sëmundje, lindin kur prishet ekuilibri mes përbërësve të shpirtit të njeriut, kur njëri element dominon mbi të tjerët nga njëra anë, si dhe nga paaftësia e arsyes për të ruajtur kontrollin nga ana tjetër. Kjo çon në raste devijimi të sjelljes dhe bindje të verbër ndaj epsheve, të cilat e marrin në kontroll të plotë jetën e njeriut dhe janë ato që e orientojnë.
Gazali ka folur për sëmundjet e shpirtit, të cilat nuk janë shtjelluar sot në psikologjinë moderne, por edhe nëse është folur, nuk janë përcaktuar saktësisht, ose nuk janë konsideruar aq emergjente saqë të kërkojnë trajtim. Prandaj dhe Gazali konsiderohet si prijatar në këtë fushë, pasi përveçse u është qasur këtyre sëmundjeve, ka vendosur dhe mënyrën e trajtimit. Edhe pse Gazali ka përfituar shumë nga feja në eksplorimin e këtyre sëmundjeve, atij i mbetet merita e aftësisë së diagnostikimit, emërtimit, përshkrimit, diagnostikimit dhe eksplorimit të shkaqeve të këtyre sëmundjeve, por edhe ofrimit të recetës për trajtimin e tyre. Gazalit i takon merita e zbulimit të metodës së eksplorimit të këtyre sëmundjeve, nga të cilat mund të përmendim:”Mendjemadhësinë, vetëpëlqimin, smirën, gënjeshtrën, koprracinë, syfaqësinëetj...”
Shkaqet e sëmundjeve shpirtërore
Ndër shkaqet themeltare të sëmundjeve shpirtërore, ose sëmundjeve të zemrës siç i quan Gazali, është konflikti mes forcave të së mirës dhe forcave të së keqes, mes arsyes dhe mes instinktit, mes nevojës për kënaqësi dhe kërkimit të saj. Paralelisht me këtë, është dhe ndjesia e fajit në çastin kur u bindesh kërkesave të trupit dhe kur shkel urdhrat e arsyes. Që këtu lind stresi, tensioni, zemërata, agresiviteti, frika dhe hakmarrja. Sjelljet pësojnë çrregullim me tu shfaqur emocionet e mësipërme. Me përsëritjen e tyre, ato shndërrohen në ves dhe zakon, të cilat e shtyjnë në sjellje të tjera, të cilat kanë ndikim akoma më të thellë në shpirtin e njeriut.
Imam Gazali, mendon se shkak i përhapjes së sëmundjes së zemrave më shumë se sëmundjet e trupit, janë tre gjëra:
E para, mos dija e të sëmurit se është i sëmurë.
E dyta, kur sindromat dhe pasojat e sëmundjes nuk janë të prekshme dhe të shkueshme, siç ndodh me sindromat e sëmundjeve fizike, të cilat kanë si përfundim vdekjen që shihet dhe konstatohet.
E treta, mungesa e doktorit. Në këtë rast, doktori është dijetari, të cilët ata vetë janë të sëmurë.
Emocioni i zemërimit dhe trajtimi i tij
Analiza e shpirtit dhe trajtimi i sëmundjeve të tij, për të cilat flet imam Gazali, është diçka e thellë. Gazali thotë se para se të japim recetën e trajtimit, duhen njohur dhe eksploruar shkaqet që çuan tek këto sëmundje. Vetëm pas kësaj bëhet konfrontimi mes simptomave dhe të kundërtave të tyre. “Kam kuptuar se trajtimi i çdo sëmundjeje bëhet duke përcaktuar prerazi burimin e saj dhe pastaj luftimin e shkaqeve” thotë ai.
Për shembull, lidhur me zemërimin, imam Gazali bën një përshkrim të detajuar, i cili nuk është më pak se analiza e shkollës fiziologjike. Në analizën e tij, ai sqaron raportin e ngushtë mes trupit dhe shpirtit në aktivizimin e emocioneve, duke theksuar se trupi është pasqyra dhe imazhi i ndryshimeve të brendshme. Ai thotë:”Ndër shenjat e jashtme të zemëratës, është ndryshimi i ngjyrës, dridhjet e forta të gjymtyrëve periferike, sjellje të pakontrolluara, çrregullim të lëvizjes, shkumëzim të gojës, fryrje të damarëve të qafës, shpërfytyrim të mimikës, fryrje të vrimave të hundë. Nëse personi që është pushtuar nga zemërimi do të mund ta shihte çfarë pamje të shëmtuar ka marrë, do i qetësohej vala e zemëratës në vend nga turpi. Megjithatë, shëmtia e brendshme është më e madhe se ajo e jashtme, pasi aparenca është titulli i të brendshmes. Është shëmtuar e brendshmja fillimisht, gjë e cila pasqyrohet dhe përhapet edhe në shëmtinë e imazhit të jashtëm. Kështu, ndryshimet fizike të jashtme, janë fryt i ndryshimeve të brendshme. Prandaj, për të kuptuar se çfarë ngjet në shpirtin e njeriut, vrojto ndryshimet e tij të jashtme. Ky ishte ndikimi që ushtronte në trup.”
Pas këtij përshkrimi kaq të saktë dhe të detajuar të reagimit fizik dhe marrëdhënieve mes tij dhe zhvillimeve të brendshme, Gazali vazhdon të analizojë rezultatet e valës së zemëratës që shoqërojnë personin e zemëruar dhe deri në ç’nivel të çrregullimit në sjellje mund ta çojë. Ai thotë:”Kjo ushtron ndikimin e saj në gjuhë, e cila shpërthen në sharje dhe fjalë banale, prej të cilave i vjen turp një njeriu me arsye të shëndoshë, madje i vjen turp vetë personit pasi të jetë qetësuar. Ai nuk di çfarë flet dhe si e shpreh. Ndikimi i zemëratës tek gjymtyrët, gjë e cila shfaqet tek agresiviteti fizik, kacafytja, shqyerja e rrobave, plagosja dhe vrasja, pa e bërë qejfin qeder. E nëse personi nga i cili është zemëruar, arrin t’ia mbathë, ose për shkak se nuk e shkarkon dot mbi të zemërimin, shkarkimi bëhet ndaj vetë vetes, duke shqyer rrobat dhe duke ndëshkuar veten. Ai mund të qëllojë tokën me pëllëmbë, rend si një i marrë dhe i dehur, mund të përplaset përtokë pa ndjenja dhe pa mundur të ngrihet. E gjitha kjo, për shkak të intensitetit të valës së zemëratës. Ai mund të qëllojë sendet dhe kafshët, duke ua shkarkuar atyre tensionin, mund të hedhë enët përtokë, të thyejë tavolinën... Ai mund të sillet si një i marrë, duke u folur dhe sharë kafshët dhe sendet, sikur ti fliste një qenie racionale. E nëse e shqelmon kafsha, ai ia kthen me një duzinë shqelmash. Sakaq, ndikimi i zemëratës në zemrën e tij, është urrejtja, smira dhe zilia ndaj personit me të cilin është zemëruar. Ai fsheh mllef të madh në zemër kundër tij, i bëhet qejfi kur vuan dhe ndjen neveri kur gëzohet, tallet, shkel nderin e tij etj... Të gjitha këto, ishin tregues të një zemërate të ekzagjeruar.”
Pas këtij përshkrimi shkencor të detajuar, i cili tregon deri në ëfarë ekstremi agresiviteti dhe dhune ndaj vetes dhe të tjerëve mund të arrijë emocioni i zemëratës, vjen radha e zgjidhjes dhe trajtimit, me qëllim që njeriu të mund ta kontrollojë veten në rast shpërthimi të këtij emocioni. Fillimisht, Gazali mendon që njeriu duhet të bëjë çmos që të ruajë të mesmen e artë dhe ekuilibrin në shprehjen e emocioneve të brendshme. Lidhur me zemëratën, mbetet ekuilibri dhe e mesmja gjëja më e mirë. Kështu, nëse vala e zemëratës e ftoh njeriun, e mpin dhe e bën të gatshëm për të pranuar nënshtrimin dhe poshtërimin, ia heq ëdo formë burrërie dhe qëndrese, ai duhet të trajtohet dhe të merret me veten derisa të fuqizohet. Me këtë, nënkuptojmë që të ruajë dinjitetin dhe respektin. Trajtimi lipset edhe nëse zemërata është në ekstremin tjetër, saqë e bën të shkelë të gjithë kufijtë. Njeriu duhet të ruajë kufijtë e të mesmes dhe ta frenojë veten.”
Në rastet e zemëratës së madhe, imam Gazali ofron recetën e tij, e cila fokusohet tek parandalimi i krizës, duke iu shmangur zemëratës dhe shkaqeve të saj dhe kjo me edukimin e shpirtit që të maturohet, të bëjë durim dhe të ushtrohet me urtësinë. Por edhe kur aktivizohen shkaqet e zemëratës, Gazali fton për maturi dhe rezistencë, me qëllim që njeriu të mos bëjë gjëra të pamenduara dhe të dënueshme. Aktivizimi i zemërimit trajtohet me përzierjen e dijes dhe punëve të mira.
E gjitha kjo, është e ngjashme me terapinë bashkëkohore, atë konjitiv emocionale.
Lidhur me dijen, ajo bazohet tek gjashtë gjëra:
1. Të meditojë rreth sevapit të frenimit dhe kontrollit të vetes, faljes, maturisë dhe durimit, gjë e cila do ia shtojë dëshirën për shpërblimin.
2. Ta frikësojë veten nga ndëshkimi i Zotit nëse i bie në qafë dikujt. Nëse ai është më i fuqishëm se kundërshtari, duhet ta dijë se Zoti është më i fuqishëm se ai.
3. Ti kujtojë vetes pasojat e zemërimit në këtë botë.
4. Të sjellë ndërmend shëmtinë e imazhit të vet kur zemërohet, duke kujtuar imazhin dhe mimikën e personave të tjerë kur zemërohen. Ta përngjasojë personin e zemëruar me një egërsirë.
5. Të meditojë rreth shkaqeve dhe faktorëve që e zemërojnë dhe e nxisin të hakmerret.
6. Të kujtojë se zemërimi i Zotit mbi të, do të jetë më i madh se zemërimi i tij. Kështu, vullneti i Zotit triumfon ndaj vullnetit të vetes.
Sakaq, lidhur me punën dhe të vepruarit:
Të kërkojë mbrojtjen e shejtanit, të kërkojë falje nga Zoti(istigfar) dhe të lutet.
Nëse është në këmbë, të ulet, e nëse është i ulur, të shtrihet.
Të marrë abdes, ose të lahet për ta shuar zjarrin e zemërimit.
Nga e gjitha kjo, konkludojmë se imam Gazali, e bazon terapinë e tij psikologjike, mbi dy gjëra:
E para, është diçka teorike, ose “dija” sië e quan ai.
E dyta, është praktike.
Kjo që thotë imam Gazali, nuk ndryshon fort nga tezat dhe teoritë bashkëkohore të terapisë konjitive, e cila bazohet tek ndërgjegjësimi dhe njohja e sëmundjes, vendosmëria për tu trajtuar dhe kuruar dhe pastaj vjen ndërhyrja praktike dhe pjellore si plotësuese e terapisë dhe që konkretizohet me punën vetjake për tu shëruar.
Kështu, shohim që Gazali i ka paraprirë terapisë konjetiv bihejviorale. Kjo terapi, mund të praktikohet në mënyrë vetjake dhe me përpjekje individuale, të cilat i bën vetë personi. Ose mund të kërkohet ndihma e një eksperti dhe orientuesi, i cili i njeh sëmundjet e zemrës, ose të shpirtit, siç ka qejf ti emërtojë Gazali.
Vazhdon...
Përktheu: Elmaz Fida