Kungulli (Jaktin)
Në fakt, fjala jaktin në arabisht nuk tregon vetëm kungullin, por shënon çdo lloj bime tjetër që ka kërcell zvarritës, si shalqini apo kastraveci.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Ne bëmë që një bimë kungulli (jaktin) të rritej deri mbi shtatin e tij (profetit Junus).” [Saffat, 146]
Fjala jaktin e përdorur në këtë ajet do të thotë ‘kungull’, i cili ndryshe quhet (në arabisht) edhe dubba.
Në dy Sahih-ët shënohet se, njëherë, një rrobaqepës e ftoi Pejgamberin alejhi selam në shtëpi për të ngrënë një vakt që ai kishte përgatitur. Bashkë me Pejgamberin alejhi selam shkoi edhe Enesi (r.a.). Rrobaqepësi u nxori bukë prej elbi dhe një supë me kunguj e pastërma. Enesi rrëfen: “Unë e pashë vetë se si i Dërguari i Allahut alejhi selam i gjurmonte copat e kungullit nëpër pjatë, dhe që atëherë kungulli u bë shumë i dashur për mua.”
Ebu Taluti tregon: – Kur hyra njëherë tek Enes ibn Maliku, ai ishte duke ngrënë kungull e duke thënë (duke iu referuar kungullit): “Ti je një bimë shumë e dashur për mua, sepse Pejgamberi alejhi selam të pëlqente shumë kur të hante.”
Kungulli është bimë e ftohtë dhe e lagësht. Ai është një ushqim që tretet lehtë. Nëse kungulli nuk prishet në stomak përpara se të tretet plotësisht, ai prodhon një përzierje të mirë atje, sidomos kur shoqërohet me ushqim të përshtatshëm me të. Për shembull, shoqërimi i kungullit me sinap krijon një sekrecion (lëng) të hidhur, ndërsa kur i hedh kripë, e bën atë të kripur dhe, me substanca tkurrëse, sekrecioni bëhet kapsues. Nëse ha kungull të shoqëruar me ftonj, i ke dhënë trupit një ushqim të mirë.
Kungulli është i lehtë për stomakun, sidomos për ata që nuk vuajnë nga këlbaza apo nga i ftohti. Lëngu që përmban ai ndihmon në shuarjen e etjes, nëse e pi atë, dhe në qetësimin e dhembjeve të kokës, nëse e lan kokën me të. Kungulli e zbut stomakun, sido që ta përdorësh, dhe është tepër i dobishëm për ata që kanë temperament të nxehtë.
Po ashtu, kungulli i përzier me brumë dhe i pjekur në furrë, bashkë me lëngun e tij të përzier me pije të lehta, ndihmojnë në uljen e temperaturës së etheve, shuajnë etjen dhe shërbejnë si ushqim i mjaftueshëm për trupin. Nëse ai përzihet me reçel ftoi dhe menna, asgjëson vrerin.
Po ta ziesh kungullin dhe lëngut të përftuar t’i hedhësh pak mjaltë dhe natrium, ai do të shkaktojë këlbazë dhe acid. Ndërsa po të vësh si kompresë në kokë kungull të shtypur, ai do të lehtësojë gjendjen e xhungave të nxehta në tru.
Lëngu i lëkurës së kungullit i përzier me vaj trëndafili ndihmon kundra tumoreve të nxehta, nëse hidhet me pika në vesh. Lëkura e tij qetëson çibanët e nxehtë të syrit dhe shërben kundra përdhesit.
Kungulli është tepër i dobishëm për ata që kanë temperament të nxehtë dhe për ata që vuajnë nga ethet. Megjithatë, nëse ai has në stomak me substanca të prishura, atëherë edhe ai prishet, duke krijuar atje një përzierje të dëmshme. Në këtë rast, për të shmangur pasojat, njeriu duhet të përdorë uthull ose gjëra të tjera të tharta.
Në përgjithësi, kungulli është një ndër ushqimet më të lehta dhe më të tretshme. Enesi (r.a.) na ka treguar se edhe Pejgamberi alejhi selam e pëlqente shumë atë.
Shkeputur nga libri “Zad el Mead”.
Autor Ibn Kajim el Xheuzije
Perktheu Ismail Bardhoshi