Një ditë Nastradini së bashku me djalin e tij u nisën që të shkonin në një fshat. Djalin e la që të hipte në gomar e vet ecte këmbë. Ata i takuan ca njerëz dhe thanë:
“Sa çudi e madhe në këtë kohë. Shikoni se si djali ka hipur në gomar, e babain e tij plak e të moshuar e ka lënë të ecë në këmbë!”
Djali i dëgjoi dhe i tha Nastradinit:
“O baba, a nuk të thashë hip ti? E kur hipi Nastradini, ndërsa djali zbriti, ata i takoi një grup tjetër njerëzish dhe thanë:
“Sa çudi e madhe çfarë po shohim, plaku i fortë e i shëndoshë ka hipur në gomar, kurse këtë djalin e vogël e ka lënë të eci në këmbë!”
Nastradini e mori djalin dhe e uli prapa tij në shpinë të gomarit e sa ecën pak, ata i takuan disa njerëz të tjerë të cilën thanë:
“Ky njeri s’paska kurrfarë mëshire për kafshën, si kanë hipur ai dhe djali i tij mbi këtë gomar te dobët? Nuk e kanë lënë gomarin të ecë vetë e ata të ecin në këmbë në këtë kohë të nxehtë!”
Atëherë Nastradini ua ktheu:
“O ju, a kurrë nuk jeni çuditur ndonjë herë a? Tashmë nuk ka mbetur gjë tjetër, vetëm që ne të ecim në këmbë dhe ta hipim gomarin në shpinat tona!”
Ja pra të respektuar vëllezër e motra, ja se ç’ndodhë nëse i dëgjojmë të tjerët e nuk vazhdojmë sipas asaj që kemi vendosur vetë. Ne duhet që t’i mbështetemi Allahut Fuqiplotë dhe të vazhdojmë rrugën tonë, pavarësisht fjalëve të njerëzisë, sidomos të këtyre të sotmëve, Zoti xh.sh. na udhëzoftë të gjithëve! Pra, le të vazhdojmë, të ecim rrugës së Tij, se padyshim që ndihma e Allahut xh.sh. është me ne. Tek e fundja, siç thotë populli, pyet njëqind vet e puno si di vetë. Qofshim gjithmonë nën ndihmën dhe përkrahjen e Zotit tonë të Madhërishëm, Amin!