Rrjeti social “Facebook” ka shpallur dje blerjen me të madhe në historinë e vet duke shpenzuar një shumë prej 19 miliardë dollarësh për të përvetësuar aplikacionin për mesazhe telefonike “WhatsApp”.
“Kjo blerje do të na mundësojë, nëpërmjet shërbimeve të reja për celularë, që të lidhim edhe më shumë njerëz në botë me njëri-tjetrin dhe do të na ndihmojë që të përforcojmë më shumë që të dyja shërbimet”, deklaroi themeluesi i rrjetit të parë social në botë, Mark Zuckerberg.
Facebook do të paguajë katër miliardë dollarë në para dhe 12 miliardë në aksione për të blerë këtë aplikacion shumë popullor dhe që po njeh një rritje të lartë.
Ndërsa tre miliardët që mbeten do t’i shpërndahen në trajtën e shpërblimeve themeluesve dhe punonjësve të WhatsApp. Pronari dhe themeluesi i WhatsApp, Jan Koum, do të fitojë të drejtën që të jetë pjesë e këshillit të përgjithshëm të administrimit të rrjetit social.