Kur erdhi në pushtet El Mensuri (Allahu e mëshiroftë!) tek ai hyri Mukatil ibn Sulejmani (Allahu e mëshiroftë!).
El Mensuri i tha: Më këshillo o Mukatil!
Mukatili i tha: Të të këshilloj me atë çfarë kam parë apo çfarë kam dëgjuar?
El Mensuri i tha: Çfarë ke parë.
Ai i tha: O prijës i besimtarëve! Umer ibn Abdulazizit i kishin lindur njëmbëdhjetë fëmijë ndërsa kishte lënë trashëgimi tetëmbëdhjetë dinarë. U qefinos me pesë dinarë, varri i është blerë për katër dinarë kurse pjesa e mbetur iu është ndarë fëmijëve të tij.
Hisham ibn Abdulmelikut i ishin lindur njëmbëdhjetë fëmijë, kur vdiq Hishami, secili prej fëmijëve, pasha Allahun, trashëgoi nga një milion dinar!
Një ditë e pashë një prej djemve të Umer ibn Abdulazizit të jepte sadaka njëqind kuaj për xhihad në rrugën e Allahut ndërsa një prej djemve të Hishamit lypte në treg.
Në prag të vdekjes njerëzit e pyetën Umer ibn Abdulazizin: Çka u ke lënë djemve o Umer? Ai u përgjigj: U lashë devotshmërinë ndaj Allahut, nëse janë të mirë, Allahu i ka në kujdes të mirët, ndërsa nëse nuk janë të tillë, atëherë nuk do t’u lë diçka që do t’i ndihmonte në mëkatimin e Allahut të Lartësuar.
Shumica e njerëzve angazhohen, lodhen dhe mundohen që t’u sigurojnë të ardhmen e fëmijëve duke menduar se pasuria në duart e tyre pas vdekjes së prindërve është siguri dhe garanci për ta, ndërsa kanë harruar sigurinë e madhe, të cilën Allahu i Lartësuar e ka përmendur në Kuran:
“Le të frikësohen ata (në prag të vdekjes) sikur të linin pas vete pasardhës të paaftë për të cilët brengosen (si do të jetë gjendja e tyre), le t'i ruhen Allahut (dënimit të Tij) dhe le të flasin drejt.” [Nisa: 9]
Almedin Ejupi