Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.
***
“Ai që shpërngulet për hir të Allahut, do të gjejë në tokë shumë vendstrehime dhe liri. Atij që del nga shtëpia e vet dhe emigron për hir të Allahut dhe të Pejgamberit të Tij dhe i vjen vdekja, atij i është garantuar shpërblim nga Allahu, sepse Allahu është i mëshirshëm dhe falë shumë.” (Nisa, 100).
Të dashur xhemat, në hutben e sodit vendosa që të flas përsëri për hixhretin, duke e pasur parasysh faktin se nga ai mund të mësohet shumë dhe të nxirren mësime të dobishme dhe të mëdha për mirëqenien tonë. Vallë, çfarë na mëson Hixhreti dhe çfarë na solli ai?
Së pari, Hixhreti solli xhaminë. Se sa rëndësi ka xhemati dhe xhamia, pikërisht këtë na e mëson hixhreti. Ende pa e përfunduar rrugëtimin e tij nga Mekeja në Medine, Muhammedi a.s., e ndërtoi xhaminë e parë. Me këtë ai, në vendin e quajtur Kuba, krijoi edhe një rrethanë të re, një ambient të ri besimi dhe adhurimi. Përmes hixhretit, ai s.a.v.s, kërkoi lirinë, lirinë e bashkësisë së tij, mirëpo e dinte edhe këtë se pa xhami nuk ka as bashkësi. Nga ky veprim i të dashurit tonë, mësojmë se muslimani nuk mund të jetojë pa xhami. Kudo që të jetë muslimani, me rastin e parë që i jepet, ai shikon të gjej lidhjen e tij me xhaminë. Kjo sepse nga ajo gjen udhëzimin e jetës dhe siguron një jetë më të shëndosh për gjeneratat e reja.
Hixhreti solli edhe ezanin. Ezani i parë u këndua në xhaminë e parë në Medinën e ndritshme. Që atëherë e deri më sot, nuk ka cep të tokës ku nuk dëgjohet thirrja e Ezanit dhe ku nuk ftohet njërëzimi për unitet dhe shpëtim. Ja, edhe ky ezan që sot u thirr në xhaminë tonë, është po ajo thirrje që nis me hixhretin. Thirrje e cila fton për jetë të frytshme dhe plotë gjallëri…
Hixhreti e solli edhe ditën e xhuma. Pejgamberi a.s., mundi të falte namaz xhumaje vetëm pasi që bëri hixhretin. E xhumaja na i kujton mirësitë e Allahut, ajo nuk na lë të largohemi nga rruga islame, madje edhe atëherë kur harrojmë, ajo na e kujton se jeta nuk kalohet duke e çuar nëpër gjumë. Gjithashtu, nga mësimet profetike mësojmë se xhumaja na i fshinë mëkatet e bëra gjatë javës, dhe se braktisja e tri xhumave, pa ndonjë arsye sheriatike, e largon njeriun nga hidajeti i Allahut.
Hixhreti e solli edhe vëllazërinë ndërmjet muslimanëve, midis muhaxhirëve dhe ensarëve. Ky vëllazërim nuk ishte një gjest formal, por i vërtetë dhe i realët.
Ensarët, apo medinasit, bënë gjestin, ndoshta, më humanin në historinë njerëzore. Ata, ç’kishin, e ndanë me vëllezërit dhe motrat e tyre që kishin ardhur nga Mekeja.
Dikush që pati dy shtëpi, e dhuroi njërën, dikush tjetër ndau pasurinë, ndërsa një tjetër dhuroi kopshtin, derisa kështu vepruan të gjithë që patën çfarë të ndajnë dhe të japin… Ky gjest i tyre human i hapi rrugën shkëlqimit të hixhretit që të sjellë lindjen e një shoqërie të fuqishme dhe shembullore, që do të mbahet mend për shumë shekuj me radhë.
Tani të kthehemi pak në kohën e hixhretit tonë. Jemi në vitin 1436. Si numër nuk jemi pak, por edhe me resurset nuk jemi keq. Kemi arritur të jemi gati në dy miliardë muslimanë.
Mirëpo, sa na ndihmon numri? Si mund t’i arsyetohemi Allahut për faktin se vëllezërit dhe motrat tona në Mijanmarr akoma nuk mund të jetojnë të lirë? Si mund të arsyetohemi ndaj vëllezërve dhe motrave palestineze kur ato nuk mund ta jetojnë fenë as në shtëpitë e tyre, e kur në xhaminë e Aksasë vështirë se mund të falesh?
Nuk kemi se si të arsyetohemi përpara Allahut, por edhe përpara historisë sonë, për faktin se fëmijët tanë më shumë e duan dhe e presin me gëzim Hellouinin sesa që e presin hixhretin.
Nuk ka arsyetim edhe për faktin që kemi lejuar që dikush të manipulojë me emrin e Islamit, duke terrorizuar dhe dhunuar njerëz të pafajshëm. Shteti islam i Pejgamberi a.s., në Medine ishte ndryshe nga shtetet që sot tentohet të promovohen. Në shtetin e tij nuk gjen asnjë rast dhune dhe terrori. Të gjithë mundnin ta jetonin jetën lirshëm dhe besimin ta zbatonin normalisht, kjo sepse Islami nuk lejon dhunën në përhapjen e tij.
Ne nuk kemi se si të arsyetohemi edhe për faktin që kemi mbetur të izoluar dhe pa ndonjë ndikim në rrafshin global, botëror.
A nuk na mëson hixhreti se Ummeti duhet të ketë anëtarin e vet në Këshillin e Sigurimit. A nuk na mëson hixhreti se muslimanët duhet të jenë bashkë dhe në emër të tyre duhet të flasin njerëz të besueshëm dhe të ndershëm? Si do të dalim përpara Allahut për këto dështime të hidhura?
Vëllezër e motra të nderuara, hixhreti ynë është që sot ta shikojmë gjendjen tonë dhe shpejt t’i rimarim në duar çështjet tona dhe për fatin tonë të kujdesemi vetë ne. Hixhreti është vetëllogaritja jonë vjetore, andaj, ata popuj që llogarisin të arriturat, madje edhe dështimet e tyre, ata synojnë të ardhmen e ndritur dhe nuk jetojnë vetëm me të kaluarën.
Për në fund e kam edhe një porosi: Hixhreti ynë na fton te ndryshimi për të mbarë, ndërkohë që Hellouini na fton djajve për t’u ngjarë…
(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 31.10.2014 nga imami i xhamisë, Hfz. Mehas Alija)
(Breziiri)