Ministri serb i punëve të jashtme, Ivica Daçiq, ka deklaruar sot se vizita në Beograd e kryeministrit shqiptar Edi Rama, nuk e ka realizuar qëllimin e vet, sepse “nuk ka bërë hap” në përparimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Ai ka shtuar se paraqitja e kryeministrit Aleksandar Vuçiq i është kushtuar të ardhmes, ndërsa deklarata e Ramës se Beogradi duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës ka krijuar “gjest jo diplomatik”, të cilin asnjë politikan i huaj që e ka vizituar Serbinë, nuk e ka bërë.
Duke komentuar deklaratën e Ramës në Preshevë se shqiptarët në jug të Serbisë kanë më pak të drejta sesa serbët në Kosovë, Daçiq ka thënë se këto mesazhe janë të “pakuptimta” dhe se Rama kështu nuk duhej të fliste edhe kur dhe edhe sikur “Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës”, transmeton Koha.net.
“A është Rama kryeministër i Kosovës apo i Shqipërisë? Pse nuk flet për serbët në Shqipëri. Gjejeni një serb në atë vend me mbiemrin që përfundon me ‘iq’. Serbët janë shqiptarizuar e ai flet për serbët në Kosovë. Çfarë lidhje ka ai me këtë. A është kjo Shqipëria e Madhe?”, ka pyetur Daçiq.