Mbretit, një ditë i lindi një ide: Të shpallë një konkurs për pikturën më të bukur të paqes. Ai që do të pikturonte tablonë më të bukur me subjekt paqen, do i jepej një shpërblim i majmë. Piktorët ia nisën menjëherë punës dhe numri i tablove ishte goxha i madh. Mbreti i pa një e nga një të gjitha punimet, të cilat sigurisht ishin të arrira. Në fund, ai zgjodhi dy prej tyre, si më të qëlluarat. Njëra tablo përmbante një liqen të qetë, i rrethuar nga male të veshur me gjelbërim, qiell ngjyrë blu me disa re të bardha, si dhe zogj ngjyra-ngjyra që fluturonin në paqe dhe harmoni. Të gjithë ishin dakord që ajo ishte tabloja më e bukur dhe më e goditur. Ndërkohë, tabloja e dytë, ishte krejt ndryshe nga ajo e para. Edhe ajo përmbante male, por jo si e para. Malet e saj ishin të thepisur dhe të zhveshur nga bimësia, qielli i zymtë dhe plot re të zeza, shiu i rrëmbyer dhe vetëtimat përreth të frikshme. Nga fundi i malit, sytë të zinin një ujëvarë nga e cila vërshonte ujë në sasi të madhe. Gjithçka që të zinte syri, nuk kishte asnjë lidhje me paqen.
Por, mbreti kishte sy më të mprehtë se të tjerët. Pas ujit të ujëvarës, ai kishte pikasur një pemë të vogël, e cila kishte lëshuar rrënjët brenda një të çare në shkëmb. Në degët e pemës, një harabel kishte ngritur folenë e tij. Në mesin e këtij moti të frikshëm, harabeli nënë qëndronte në folenë e tij në paqe të plotë.
Të gjithë, ishin të sigurt se mes dy tablove, mbreti do të zgjidhte të parën, por ai i befasoi dhe i la pa gojë kur zgjodhi të dytën. E kur e pyetën, u tha duke buzëqeshur:”Të jesh në paqe, nuk do të thotë të jetosh në një vend ku gjithçka është në vendin e duhur, një vend pa zhurmë, pa probleme, pa vështirësi dhe krejtësisht të qetë. Jo miqtë e mi. Të jetosh në paqe, do të thotë të jesh i rrethuar nga të gjitha sfidat, e megjithatë, ti arrin ta ruash qetësinë tënde. Ti e sheh dhe e pret lindjen e diellit duke buzëqeshur. Ti e gjen të bukurën edhe në ngjyrën e një luleje të vogël të porsa çelur, ti përjeton kënaqësi edhe në fluturimin e një fluture apo blete!