Sahabiu i dhënë pas shakas dhe dijes Auf ibn maliku
Auf ibn Maliku (r.anh) ishte një fatlum që u takua me të Dërguarin e Allahut, (a.s.), në vitin e gjashtë të hixhretit!.. Ai ishte sahab që mbajti flamurin e fisit “Eshxha” në çlirimin e Mekës dhe një hero që ka marrë pjesë në luftën për çlirimin e Stambollit!.. Ishte një ushtar i besimit që i dashuronte shakatë e gazmoret, por dhe një i dashuruar pas dijes, që përpiqej vazhdimisht të mësonte gjëra të reja nga i Dërguari i Allahut, (a.s.)!.. Ai thirrej me llagape të ndryshme si Ebu Abdullah, Ebu Muhamed, Ebu Amr dhe Ebu Hammad.
Emri i tij i vërtetë ishtë Ebu Abdurrahman Auf ibni Malik ibni Ebi Aufel-Eshxhai. Në literaturë nuk gjenden shumë informacione në lidhje me datën e lindjes dhe vitet e rinisë së Auf ibn Malikut (r.a.), por transmetohet se ai është bërë mysliman në vitin e gjashtë të hixhretit (627). Auf ibn Maliku (r.a.) ka marrë pjesë në luftërat e Hajberit, Mutesë dhe Tebukut, ndërsa në çlirimin e Mekës ka mbartur flamurin e fisit Eshxha.
Gjithashtu ka marrë pjesë edhe në luftën për çlirimin e Stambollit në periudhën e Emevitëve. Transmetohet se i Dërguari i Allahut, (a.s.), ka pas formuar një lidhje vëllazërore ndërmjet tij dhe Ebu’d-Derdasë (r.a.). Auf ibn Maliku (r.a.), ka kryer shërbime të rëndësishme në Luftën e Zatu’s-Selasilit. Komandanti Amr ibn Asi (r.a.) e dërgoi atë si lajmëtar për të njoftuar të Dërguarin e Allahut, (a.s.), në lidhje me rezultatin e luftës.
Për sa u përket shakave, tregohet se ai ishte një sahab mjaft gazmor. Si shembull për këtë transmetohet një ngjarje e tillë: Ai pati marrë pjesë në Luftën e Tebukut, e cila cilësohet si “Xhejshu’lUsra” dhe që përmendet si një luftë e vështirë në historinë islame. Tebuku ishte një qytet shumë larg Medines. Përveç të tjerash, nisja për në këtë luftë filloi në muajin më të nxehtë të stinës së verës, pra në muajin korrik. Kur ushtria ndalohej në ndonjë vend për të pushuar, menjëherë ngrihej një çadër e vogël ose ndonjë vend me hije për të Dërguarin e Allahut, (a.s.).
Në njërin prej këtyre pushimeve Auf ibn Maliku (r.a.) deshi të hynte në çadrën e vogël të të Dërguarit të Allahut, (a.s.). U ul dhe filloi të priste para çadrës. Kur iu dha leje për të hyrë brenda, e hodhi hapin, zgjati kokën drejt çadrës dhe pyeti duke buzëqeshur: “O i Dërguari i Allahut! A të hyj me të gjithë trupin?..” Edhe i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, buzëqeshi ndaj kësaj sjelljeje gazmore dhe pyetjes së tij dhe iu përgjigj: “Hyr me të gjithë trupin!..” Atij i tregoi për disa ngjarje që do të ndodhnin kur të afrohej Kiameti. (Shik. EbuDavud, “Edeb”, 84; IbnMaxhe, “Fiten”, 25; veçanërisht shik. Buhari, “Xhizje”, 15.) Auf ibn Maliku (r.a.), aq sa ishte sahab gazmor, aq ishte edhe i dashuruar pas dijes dhe përpiqej që çdo ditë të mësonte gjëra të reja nga i Dërguari i Allahut, (a.s.). Prej tij na kanë ardhur rreth gjashtëdhjetë transmetime të haditheve. Një pjesë e tyre gjenden në Kutubu’sSitte, ndërsa rreth tridhjetë e shtatë hadithet e tjera gjenden në “Musnedin” e Ahmed ibn Hanbelit. (VI, 22-29.) Disa prej këtyre haditheve janë: Ebu Abdurrahman Auf ibn Malikel-Eshxhai (r.a.) ka thënë: Një grup prej nëntë, tetë apo shtatë vetash, po qëndronim ulur pranë të Dërguarit të Allahut, (a.s.). Ai na tha: “A nuk po ia jepni besën të Dërguarit të Allahut?” Ndërkohë ne sapo ia patëm dhënë besën. Për këtë arsye, i thamë: “O i Dërguari i Allahut! Ne ta kemi dhënë besën!”
Ai përsëri na tha: “A nuk po ia jepni besën të Dërguarit të Allahut?” Këtë herë i zgjatëm duart për t’i dhënë besën dhe i thamë: “O i Dërguari i Allahut! Ne ta kemi dhënë besën. Tani për çfarë të ta japim besën?” I Dërguari i Allahut, (a.s.), na tha duke ulur zërin: “Do të më jepni besën për ta adhuruar Allahun dhe për të mos i bërë shirk asnjëherë, për të falur pesë kohët e namazit, për t’u bindur dhe për të mos kërkuar asgjë prej askujt!” Auf ibn Maliku (r.a.) thotë: ‘Betohem se kam parë disa njerëz prej këtij grupi, që nuk kërkonin asgjë prej askujt. Edhe kur u binte në tokë shkopi, nuk kërkonin që t’ua jepte kush, edhe pse ishin mbi kafshë.’ (Muslim, Zekat, 108. Veçanërisht shik. EbuDavud, Zekat, 27; Nesai, Salat, 5; Biat, 18; IbnMaxhe, Xhihad, 41.)
Në shpjegimin e këtij hadithi fisnik duhet të nxjerrim në pah këto karakteristika të rëndësishme: I Dërguari i Allahut, (a.s.), tri temave themelore si besimit, ibadetit dhe bindjes u ka shtuar edhe “moskërkimin e asgjëje nga askush”. Ai ua ka tërhequr vëmendjen myslimanëve për rëndësinë e kësaj karakteristike. Ndërkohë e ka ndaluar lypjen dhe shtrirjen e dorës ndaj të tjerëve, sepse një mysliman i mirë është një njeri që di ta fitojë vetë riskun e tij dhe që nuk pret asnjë gjë prej askujt. Sipas shpjegimit që jep Auf ibn Maliku (r.a.), disa prej atyre personave, që morën pjesë në këtë besatim, e kanë vlerësuar në kuptimin e përgjithshëm “moskërkimin e ndonjë gjëje prej askujt”.
Për këtë arsye, edhe nëse u binte në tokë shkopi kur ishin në kurrizin e kafshës, nuk kërkonin prej askujt që t’ua jepte. Sahabët e nderuar kanë qenë jashtëzakonisht të përpiktë në këtë çështje. Në këtë mënyrë, është treguar qartë se ndërmjet çështjeve që mundësojnë nderin dhe krenarinë e jetës së myslimanit, siç është besimi, ibadeti dhe bindja, rëndësi të jashtëzakonshme ka edhe moskërkimi i asgjëje prej të tjerëve. Në një transmetim të një hadithi tjetër, Auf ibn Maliku (r.a.) thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin auf ibn Maliku (r.a.), aq sa ishte sahab gazmor, aq ishte edhe i dashuruar pas dijes dhe përpiqej që çdo ditë të mësonte gjëra të reja nga i dërguari i allahut, (a.s.). prej tij na kanë ardhur rreth gjashtëdhjetë transmetime të haditheve.
e Allahut, (a.s.), duke thënë: “Udhëheqësit më të mirë të shtetit janë ata që ju duan dhe që i doni, që luten për ju dhe që marrin lutjet tuaja. Ndërsa udhëheqësit më të këqij të shtetit janë ata që ju urrejnë dhe që janë bërë objekt i urrejtjes suaj, që ju mallkojnë dhe që marrin mallkimet tuaja.” Nisur nga këto fjalë, e pyetën: “O i Dërguari i Allahut! A të luftojmë kundër tyre?” Ai na dha këtë përgjigje: “Jo, përderisa të falin namaz ndërmjet jush. Jo, përderisa të falin namaz ndërmjet jush.” (Muslim, Imare, 65-66.)
I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në këto hadithe tregon se ata që udhëheqin dhe ata që udhëhiqen duhet të jetojnë në harmoni dhe paqe të plotë, sepse njerëzit kanë nevojë për paqe dhe qetësi, në mënyrë që të kryejnë detyrat fetare dhe detyrat e kësaj bote. Pra nëse udhëheqësit si kryetari i shtetit dhe administruesit si prefekti, etj., janë të drejtë në jetën e tyre personale e në qëndrimet administrative dhe veprojnë me drejtësi e mëshirë kundrejt popullit, edhe populli i do ata, lutet për ta dhe i bindet atyre. Ky qëndrim i popullit e kënaq udhëheqësin. Për këtë arsye, edhe ai e do popullin dhe i lutet Allahut Teala që t’i çojë mirësi. Dashuria dhe mirëkuptimi i ndërsjellë mundësojnë zhvillimin dhe forcimin e shtetit, të jetuarit në paqe dhe i motivon të dy palët që të jenë më produktivë.
Udhëheqësit që nuk bëjnë jetë të ndershme, që nuk veprojnë me drejtësi kundrejt popullit dhe që nuk sillen me mëshirë kundrejt shtetasve të tyre, gjithmonë shkaktojnë pakënaqësi. Populli nuk i do ata dhe për këtë arsye nuk u bindet dhe lutet që të rrëzohen e në vend të tyre të vijnë të tjerë. Këta udhëheqës , duke parë pakënaqësinë e popullit dhe kundërshtimin e tij, bëhen edhe më të ashpër në qëndrimet e tyre. E gjithë kjo situatë largon mundësinë e të jetuarit në paqe, si për popullin, ashtu edhe për udhëheqësit. Auf ibn Maliku (r.a.) rrëfen se i kanë thënë Pejgamberit tonë të nderuar: “O i Dërguari i Allahut! Kur të gjendemi në këtë situatë, a të luftojmë kundër këtyre udhëheqësve të këqij për t’i rrëzuar dhe hequr qafe?”
Në një transmetim në Sahihun e Muslimit është përdorur shprehja: “A t’i nxjerrim shpatat dhe të luftojmë kundër tyre?” Ngaqë veprimet, si kryengritja kundër udhëheqësve dhe luftimi i tyre, mund t’i shkaktojnë shtetit dëme të mëdha dhe mund ta zhdukin paqen e qetësinë, i Dërguari i Allahut, (a.s.), ka sqaruar: “Jo, mos luftoni kundër tyre përderisa të falin namaz ndërmjet jush!” Ky hadith fisnik tregon se namazi me të vërtetë është shtyllë e fesë dhe se është një faktor që i bashkon njerëzit me njëri-tjetrin dhe që e mban shtetin në këmbë.
Ndërsa në pjesën e fundit të këtij hadithi, që nuk e dhamë deri tani në këtë material, thuhet: “Nëse dikush e shikon personin që udhëheq shtetin duke bërë një mëkat të madh, le ta urrejë atë mëkat, por të mos bëjë kryengritje kundër udhëheqësit të tij!” Një kryetar i mirë shteti duhet ta dojë popullin dhe duhet të përpiqet për mirëqenien e tij. Ndërsa një popull i mirë duhet ta vlerësojë administruesin e mirë, duhet ta dojë dhe duhet ta ndihmojë që të arrijë suksesin. Për sa kohë që personat që udhëheqin shtetin, falin namazin dhe nuk e kundërshtojnë haptazi Allahun, nuk mund të bëhet kryengritje kundër tyre. Transmetohet se Ebu Abdurrahman Auf ibn Maliku (r.a.) ka thënë: I Dërguari i Allahut, (a.s.), fali një namaz xhenazeje. Atë e dëgjova duke u lutur dhe menjëherë e mësova përmendsh lutjen e tij: “O Allah! Fale, mëshiroje dhe mbroje nga ndëshkimi e vështirësitë atë! Falja mangësitë! Dhuroji pjesë prej Xhenetit dhe zgjeroja vendin ku do të hyjë (varrin)! Pastroje atë me ujë, dëborë dhe akull! Pastroje atë nga mëkatet siç pastrohet rroba e bardhë nga papastërtia! Jepi një shtëpi më të mirë se shtëpinë e tij, jepi një familje më të mirë se familjen e tij dhe jepi një bashkëshorte më të mirë se bashkëshorten e tij! Fute në Xhenet dhe mbroje nga dënimi i varrit dhe Xhehenemit!” Auf ibn Maliku thotë: “Kur e dëgjova këtë lutje të bukur, me vete thashë: ‘Ah sikur të isha unë në vend të këtij të vdekuri!’ (Muslim, Xhenaiz, 85. Veçanërisht shik. Tirmidhi, Xhenaiz, 38; IbnMaxhe, Xhenaiz, 23.)
Auf ibn Maliku (r.a.) u largua nga Medina në periudhën e kalifatit të Ebu Bekrit (r.a.) dhe shkoi në Humus. Deri në vitet e para të periudhës së Abdulmelik ibn Mervanit jetoi në Humus dhe aty ndërroi jetë. Prej tij kanë transmetuar hadithe sahabët si Ebu Hurejra (r.a.), Ebu Ejjub el-Ensariu (r.a.), Mikdam ibn Ma’dikerib dhe tabiinët si Ebu Muslimel-Havlani, Ebu IdriselHavlani dhe Shabi. Allahu qoftë i kënaqur prej tij! Allahu na bëftë të gjithëve të dashuruar pas besimit dhe dijes si Auf ibn Maliku (r.a.)! Amin!