Me mijëra vetë sot morën pjesë në namazin e xhumasë në Christchurch në Zelandën e Re për të shënuar një javë që kur 50 njerëz ranë dëshmorë në dy xhami. Hutbja u transmetua në radio dhe televizionin kombëtar.
Më poshtë është teksti i ligjeratës së mbajtur nga Imam Gamal Fouda i cili është imam i Xhamisë “Al Noor” në Christchurch:
“Të premten e kaluar unë isha në këtë xhami dhe pashë me sytë e mi urrejtjen dhe zemërimin në sytë e terroristit që vrau dhe masakroi 50 njerëz të pafajshëm, të plagosur mbetën 42 vëllezër dhe thyen zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën. Sot nga i njëjti vend unë shikoj dhe shoh dashuri dhe dhembshuri në sytë e mijëra bashkëqytetarëve të Zelandës së Re, dhe nga e gjithë bota, që mbushin zemrat e miliona njerëzve që nuk janë me ne fizikisht.
Ky terrorist përpiqej ta ndajë kombin tonë me një ideologji të ligë që e ka copëtuar botën. Por ju kemi treguar se Zelanda e Re është e pathyeshme dhe se bota mund të shohë në ne një shembull dashurie dhe uniteti. Neve na ka thyer zemrën, por nuk ka mundur të na prish zemrën. Ne jemi gjallë. Ne jemi së bashku. Ne jemi të vendosur të mos lejojmë që dikush të na ndajë. Jemi të vendosur të duam njëri-tjetrin dhe të përkrahim njëri-tjetrin.
Familjeve të viktimave ju them se të dashurit tuaj nuk vdiqën kot. Gjaku i tyre i ka ujitur farat e shpresës. Nëpërmjet tyre, bota do të shohë bukurinë e Islamit dhe bukurinë e unitetit tonë.
Dhe Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Mos thuaj për ata që janë vrarë në rrugën e All-llahut se ata janë të vdekur, ata janë të gjallë duke u gëzuar me Zotin e tyre.” (3, 169)
Ata ishin më të mirët prej nesh, në ditën më të mirë, në vendin më të mirë dhe duke kryer veprimet më të mira. Dhe ata nuk janë vetëm dëshmorë të Islamit, por janë dëshmorë edhe të këtij vendi dhe këtij populli.
Ne kemi mësuar nga Pejgamberi, paqja dhe bekimet tona qofshin mbi të, se kurrë nuk do të mund të tregoni mirënjohjet tuaja ndaj Zotin e Plotfuqishëm, nëse nuk jeni në gjendje ta falni shokun tuaj.
Faleminderit për njerëzit e Zelandës së Re.
Faleminderit për lotët tuaj.
Faleminderit për lulet tuaja.
Faleminderit për dashurinë dhe dhembshurinë tuaj.