Në Hagley Park në qytetin Christchurch të Zelandës së Re, u organizua një program përkujtimor për viktimat e sulmeve terroriste më 15 mars gjatë faljes së namazit të xhumasë në dy xhami, transmeton Anadolu Agency (AA).
Dhjetëra mijëra njerëz me prejardhje të ndryshme etnike dhe besimeve të ndryshme morën pjesë në programin përkujtimor të organizuar në Christchurch për 50 personat që u vranë në sulmet terroriste në xhamitë Al Noor dhe Linwood.
Zyrtarët kanë theksuar se rreth 40 mijë njerëz kanë marrë pjesë në programin përkujtimor i cili filloi në orët e drekës në ‘Hagley Park‘ pranë xhamisë Al Noor dhe që ka vazhduar deri në mbrëmje me kryerjen e lutjeve, mbajtjen e fjalimeve dhe ku u lexuan emrat e 50 personave që humbën jetën në sulm.
Shtetasi turk Mustafa Boztaş, i cili shpëtoi i plagosur nga sulmi terrorist ka ndjekur programin i ulur mbi një karrocë me rrota ku ka thënë: “Është mirë të shohim shoqërinë e mbledhur për të na kushtuar vëmendje dhe të tregojmë se jemi të gjithë një”.
Boztaş, i plagosur me dy plumba në sulmin terrorist ndaj xhamisë Al Noor tha se shpreson që së shpejti të mund të ecë plotësisht.
Ndërsa Okirano Tilaia, përfaqësuesi i shkollës së mesme “Cashmere” nga ku në sulmin terrorist kanë humbur jetën dy nxënës të saj një ish dhe një nxënës aktual, në një fjalim të mbajtur në aktivitetin përkujtimor ka përmendur fjalët e aktivistit amerikan dhe mbrojtësit të të drejtave të njeriut Martin Luther King Jr se “Errësira nuk mund ta mposhtë errësirën, këtë mund ta bëjë vetëm drita. Urrejtja nuk mund ta mposhtë urrejtjen, por këtë mund ta bëjë vetëm dashuria”.
Personat që humbën jetën në sulmet ndaj xhamive Al Noor dhe Linwood përkujtohen në të gjithë Zelandën e Re me aktivitete të ndryshme dhe me pjesëmarrje nga popullata dhe zyrtarë të ndryshëm ndërsa e pranishme në këto organizime përkujtimore ka qenë edhe kryeministrja e vendit, Jacinda Ardern.
Xhamitë Al Noor dhe Linwood, të cilat ishin në objektivin e sulmeve terroriste në qytetin Christchurch u hapën dje për vizitorët pas përfundimit të inspektimeve të kryera nga forcat e sigurisë. Ndërkohë që ende nuk dihet se kur do të hapen xhamitë për kryerjen e adhurimeve.