Në vendin tonë ka shumë të rinj që bien në humnerën e imoralitetit. Imoraliteti i syrit, imoraliteti i këmbëve, imoraliteti i duarve dhe të gjitha imoralitetet e tjera që mund të quhen të tilla, i kanë kapluar mendjen dhe veprimet rinisë, madje myslimani i çdo moshe po hyn në këtë presion. Imoraliteti është i ndaluar në të gjitha fetë. Ndërsa feja jonë, Islami, jo vetëm imoralitetin, por i ka ndaluar edhe të gjitha sjelljet apo veprimet që të shpien te imoraliteti. Kështu, Zoti i Lartësuar, për t’i ndaluar robërit e Tij që të mos drejtohen ndaj rrugëve që përfundojnë në imoralitet, thotë:
“Dhe mos iu qasni imoralitetit, se ai është shfrenim dhe rrugë e shëmtuar!”(Isra, 32)
Ne duhet ta dimë edhe qasjen që kishte në këtë çështje i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, i cili është shembulli më i bukur për ne. Siç tregon një sahab i quajtur Ebu Umame (r.a.), në lidhje me këtë çështje, një i ri që sapo ishte bërë mysliman, shkoi te i Dërguari i Allahut (a.s.) dhe i tha: “O Pejgamberi i Allahut! Më jep leje për të bërë imoralitet, sepse nuk po e mbaj dot veten.” Sahabët që gjendeshin aty u kthyen nga i riu dhe u përpoqën t’ia ndërprisnin fjalën duke i thënë: “Hesht! Hesht!” I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, u kthye nga i riu dhe i tha: “Afrohu!” I riu u afrua te i Dërguari i Allahut (a.s.). Pejgamberi ynë i nderuar i tha: “Ulu!”Edhe i riu u ul. I Dërguari i Allahut (a.s.), e pyeti: “A do të të pëlqente nëse dikush do ta bënte këtë gjë me nënën tënde?” I riu tha: “Jo, për Zotin nuk do të më pëlqente.” I Dërguari i Allahut (a.s.), i tha: “Edhe njerëzve, ashtu si ti, nuk do t’u pëlqente që dikush ta bënte këtë gjë me nënën e tyre. A do të të pëlqente nëse dikush do ta bënte këtë gjë me vajzën tënde?” I riu u përgjigj: “Jo, për Zotin nuk do të më pëlqente.” Pejgamberi, alejhi’s-selam, i tha: “Edhe njerëzit, ashtu si ti, nuk do të pranonin që dikush ta bënte këtë gjë me vajzën e tyre pa pasur lidhje martesore. A do të pranoje nëse dikush do ta bënte këtë gjë me motrën tënde?” I riu u përgjigj: “Jo, për Zotin nuk do të pranoja.” I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i tha: “Edhe njerëzit, ashtu si ti, nuk do të pranonin që dikush ta bënte këtë gjë me motrën e tyre. A do të pranoje nëse halla jote do ta bënte diçka të tillë?” I riu tha: “Jo, për Zotin nuk do të pranoja.” I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, i tha: “Edhe njerëzit nuk e pranojnë këtë për hallën e tyre. A do të pranoje nëse tezja jote do ta bënte këtë gjë?” I riu tha: “Jo, për Zotin nuk do të pranoja.” Pastaj i Dërguari i Allahut (s.a.s.), i tha:
“Si mund ta pranosh për të tjerët diçka që nuk e pranon për vete dhe për të afërmit e tu?” Pastaj e vendosi dorën në supin e të riut dhe u lut për të: “O Zot! Falja mëkatet këtij të riu, pastroja zemrën nga ndjenjat dhe mendimet e tilla dhe ruaja nderin!”Sahabi që e transmeton këtë ngjarje, thotë: “I riu pas kësaj nuk kërkoi më ta bënte këtë vepër të paligjshme.” (Ahmed ibn Hanbel, Musned, 5/256-257.)
Tani ka kaq shumë faktorë që i afrojnë të rinjtë drejt imoralitetit, saqë rrugët, sokakët dhe lagjet janë të mbushura plot me të rinj të pavetëdijshëm. Televizionet e inkurajojnë imoralitetin. Kompjuteri dhe interneti ka plot faktorë të tillë negativë. Ja, pikërisht në këtë gjendje Allahu Teala thotë: “Mos iu afroni imoralitetit! Dilini për zot nefsit tuaj!” Edhe i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, na paralajmëron: “Mos tentoni t’i afroheni një vepre të tillë!” Në të njëjtën kohë na jep edhe përgëzimin për privilegjin e qëndrimit nën hijen e Arshit të Allahut Teala në Ditën e Kiametit kur nuk do të ketë hije tjetër përveç kësaj hijeje.
Ne jemi ballë për ballë me sprovën e nefsit. Nëse nuk i japim rëndësi luftës me nefsin, e cila pranohet si “lufta e madhe” që i Dërguari i Allahut (s.a.s.), u ka thënë sahabëve të tij kur po ktheheshin nga lufta dhe, nëse nuk gjendemi në vende që na ndihmojnë kundër nefsit në këtë luftë, atëherë është çështje momenti për t’u mposhtur nga armiku ynë që quhet nefs. Sepse lufta ndaj nefsit në të njëjtën kohë do të thotë zbatim i ligjit hyjnor “mos iu afroni imoralitetit”. Askush nuk e ka të mundur që të jetë i sigurt nga nefsi i tij. Edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.), është lutur çdo ditë: “O Zot! Mos më lër në dorën e nefsit tim as sa hapja dhe mbyllja e syve!”
Të thuash: “Unë mund të shëtis nëpër vende ku dominon morali i ulët. Sidoqoftë mund t’i dal për zot nefsit tim...” - dhe të pohosh justifikime në formën: “Unë mund të hyj nëpër tunelet e errëta të internetit, sepse i besoj vetes. Mund të flas me gjininë tjetër, sepse jemi vetëm shokë dhe po bisedojmë...”, nuk është gjë tjetër përveçse mashtrim i vetes. Kështu, punët që fillojnë me një bisedë, më vonë i zvarrisin të rinjtë drejt mëkatit. Pastaj njeriu fillon ta pranojë mëkatin sikur të ishte një veprim normal. Më së fundi, zvarritet drejt humnerës së mëkatit dhe rrokulliset në të.
Për shembull, faqet e internetit me emrin “martesa islame”, po na i zvarrisin të rinjtë tanë drejt mëkatit sikur po u japin fetva duke i pasqyruar si normale këto punë. Ata që i shpërndajnë fotografitë private të tyre nëpër rrjeteve sociale dhe ata që justifikohen duke thënë se “nuk ka gjë për një bisedë apo se nuk ka gjë për një shikim”, shihet se e gjejnë veten në humnerën e imoralitetit, madje vihet re se e humbin veten aq shumë saqë fillojnë tregtinë e imoralitetit.
Për këtë arsye, të gjithë individët myslimanë, pra të rinjtë, të moshuarit apo edhe ata që janë në moshë të mesme, domethënë të gjithë ne, duhet ta ndalojmë veten në një mënyrë që na ka hije nga punët që të zvarrisin drejt imoralitetit. Në të njëjtën kohë, në një qoshe të mendjes sonë duhet të gjendet fjala e Jusufit (a.s.): “Unë nuk e shfajësoj veten, sepse nefsi (i njeriut) është fort i prirur për të keqe...”(Jusuf, 53) Nisur nga kjo, ata që i besojnë nefsit të tyre, po shikojmë se po gjenden nëpër humnera. Këto janë humnera aq të tmerrshme saqë edhe shikimi drejt tyre e tmerron njeriun. Nëse përpiqemi për t’i gjetur rrugët e frenimit të nefsit, ndihmësi ynë do të jetë Allahu i Madhëruar. Atëherë dora e Allahut Teala do të jetë mbi ne.
O njeri, mos i beso nefsit! Nefsi të urdhëron të keqen. Prandaj frenoje veten dhe lidh shoqëri me të mirët, në mënyrë që rruga, zemra dhe veprat e tua të jenë të bukura! Mos thuaj: “Një herë është kjo!” Sepse, një gjë që bëhet një herë, bëhet edhe me mijëra herë. Qëndro larg imoralitetit dhe gjërave të ndaluara, në mënyrë që zemrën ta kesh të pastër dhe veprat të sinqerta!