Tenda e famshme beduini e Muamar Gedafit, ku diktatori libian qëndronte gjatë vizitave jashtë vendit, ka dalë në ankand në internet dhe deri tani ka mbledhur oferta që arrijnë në 27 000 dollarë, shkruhet në faqen e internetit të transmetuesit arab ”Al Arabiya”, që shton se atë e ka nxjerrë për shitje Masud al Mashai. Ai pretendon se ka marrë një nga çadrat ku Gedafi qëndronte dhe merrte kryetarët e shteteve të shoqëruar nga grate e tyre, nga një person i afërt i diktatorit të vrarë në vitin 2011 gjatë Pranverës Arabe.
”Oferta më e lartë e marrë deri më tani është 37 000 dinarë, e barabartë me 27 000 dollarë”, shpjegoi ai duke shtuar se ndoshta nuk do ta shesë për këtë shumë pasi ka marrë tashmë shumë oferta nga vetë Libia, Egjipti dhe Britania e Madhe.
Sipas Mashait, në fakt, tenda është një gjë vërtetë e rrallë, e bërë me materiale të papërshkueshme nga uji, me baza shumë të forta dhe dekorime të brendshme madhështore.
Udhëheqësi diktator e çonte tendën pothuajse kudo në udhëtimet e tij.
Në 2009 në Romë, gjatë një takimi me kryeministrin e atëhershëm, Silvio Berlusconi, ai arriti ta vendoste atë në Villa Doria Pamphili, parku më i madh publik në kryeqytet.
Dhe madje, në vitin 2007, ajo u vendos në kopshtin Elysée në Paris, por kur regjimi i kolonelit u bë zyrtarisht i padëshiruar nga francezët, fotot u fshinë nga faqja e presidencës.
Ndërsa në 2009-ën Gedafi donte të vendoste tendën e tij në Central Park, Nju Jork, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, gjë që nuk u lejua nga autoritetet amerikane.
Sharm el-Sheik, Egjipt
Itali, Villa Doria Pamphili, Rome
Bedford, Britani e Madhe