Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i pranishëm në ceremoninë e hapjes së një shkolle në Rize, vendlindjen e tij ka deklaruar se Turqia në vitet e mëparshme ka shënuar përparime në zhvillimin ekonomik, të cilin, disa qendra me ndikim duan ta ndalin, raporton Anadolu
Agency (AA).
Duke u ndalur tek zhvillimi i Turqisë, Presidenti Erdogan theksoi se Turqia në 12 vitet e mëparshme ka arritur stabilitet dhe përparim në fushën e ekonomisë, politikës së jashtme dhe demokracisë.
"Turqia në këtë periudhë ka arritur një shkallë të lartë të unitetit, prosperitetit dhe sigurisë. Me shënimin e 100-vjetorit të Republikës së Turqisë, apo deri në 2023, vendi është i gatshëm të bëhet edhe më i zhvilluar dhe më dinamik. Por disa duan që të ndalojnë këtë përparim dhe zhvillim", deklaroi presidenti turk.
Ai theksoi gjithshtu se Turqia është një nga vendet e pakta që ka arritur të paguajë gjithë borxhin ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). "Turqia është vendi që e ka kthyer gjithë borxhin ndaj FMN-së dhe ka ardhur në një situatë ku edhe ajo vetë i ka huazuar të holla kësaj organizate. Të ardhurat kombëtare të Turqisë janë rritur nga 230 miliardë dollarë në 820 miliardë. Disave i pengon Turqia e tillë", nënvizoi Erdogani.