Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Gjermani tejkaloi shifrën 2.000 ndërsa numri i rasteve të konfirmuara tani është pothuajse 110 mijë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Firma e analizës së të dhënave Risklayer dhe Instituti i Teknologjisë Karlsruhe që përpilojnë të dhëna në kohë reale nga afro 400 autoritete lokale, raportuan për 207 vdekje të reja gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 2.017.
Me 4.284 raste të reja, numri i pacientëve të infektuar me virusin është rritur në 107.659.
Sipas të dhënave të publikuara në të përditshmen Tagesspiegel, mbi 33 mijë persona janë shëruar nga virusi deri më tani.
Gjermania aktualisht ka numrin e pestë më të lartë të të infektuarve me COVID-19 në botë, duke u renditur pas SHBA-së, Spanjës, Italisë dhe Francës. Por, numri i vdekjeve mbetet shumë më i ulët se të tjerët.
Përpos testimit të gjerë nga koronavirusi, Gjermania gjithashtu ka rritur ndjeshëm numrin e shtretërve të kujdesit intensiv në spitale: nga 28 mijë në afro 40 mijë brenda dy javësh.
Qeveria e koalicionit të kancelares gjermane, Angela Merkel ka njoftuar se masat e rrepta të bllokimit do të vazhdojnë të paktën deri më 20 prill.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale me epiqendër të re Evropën, pasi Kina kryesisht ka dalë nga kriza.
Sipas të dhënave nga Universiteti “Johns Hopkins” me bazë në SHBA, deri më tani numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus ka tejkaluar shifrën 1.4 milionë, me mbi 82 mijë vdekje dhe mbi 301 mijë të shëruar.