Puna jonë është e lehtë, vëlla i nderuar. Arritja e kënaqësisë së Allahut Teala është një qëllim. Arritja
e të konceptuarit të kësaj mirësie është fatmirësi.Përpjekja për të jetuar “në rrugën e drejtë” për hir të të Vërtetit është çështja jonë themelore. Meqë mendimet dhe ndjenjat ushqehen nga informacioni, njohja e të vërtetave është çështje që ka përparësi për ne. Këto mendime, ndjenja dhe veprime do të bëhen shkak për një iluminim të brendshëm dhe një prehje shpirtërore.
Përgjatë kohës kushtet mund të na dobësojnë. Punët në këtë botë provizore mund të mos shkojmë siç dëshirojmë ne. Atëherë çfarë të bëjmë? Mos vallë duhet të ulemi dhe të qajmë? Ja që i gjalli nuk mund të vdesë me atë që ka vdekur. Ata që janë gjallë, janë të detyruar të jetojnë dhe ta vazhdojnë jetën. Andaj duhet t’i kalojmë vështirësitë një e nga një para se të na lidhen duart dhe këmbët. Nëse i drejtohemi me shpresë Zotit të Arshit në kohët e vështira, kjo do të na bëjë të fortë. Lutje do të thotë se nuk jemi vetëm. “Allahu është me ne në çdo situatë”. Nëse kjo është kështu, atëherë çfarë rëndësie do të kishte
sikur e gjithë bota të ishte kundër nesh?Ne dëshirojmë që në këtë botë të jetojmë në një begati më të madhe dhe në miqësi me njëri-tjetrin.
Por ja që për fat të keq, nuk po marrim dot frymë prej stresit, gjakut, shqetësimit dhe lotëve. Çfarë janë këto që po ndodhin? Çfarë ka myslimani që nuk po merret dot vesh me myslimanin tjetër? Cili
është shkaku që të gjithë janë në gjendje lufte me të tjerët? Mos vallë jemi ballë për ballë me projektet e mendjemëdhenjve të kësaj bote në çdo dimension të jetës? Sa shumë projekte afatgjata që kanë këta njerëz të mallkuar! Ah këtanjerëz që u rënshin në kokë kurthet e tyre! Në të vërtetë, umetit të Muhamedit i ka hije të punojë me projekte afatgjata. Si kanë thënë? “Ai që nuk mendon për të largëtën, është afër brengosjes.” Askund nuk mund të arrijmë me marrjen e masave ditore.
Sidoqoftë ne përsëri le të vazhdojmë ta rregullojmë botën, t’i vendosim gurët mbi gurë dhe të mbjellim pemë buzë rrugës. Le ta konsiderojmë si mirësi mësimin e një ajeti fisnik apo hadithi një fëmije. Le t’u mësojmë të tjerëve sa të kemi mundësi. Le të themi: “Përderisa është Allahu, nuk ka pse të biem në pesimizëm.” Andaj le të përpiqemi.
Nganjëherë njeriu mund të bëhet edhe mbrojtës i një kauze që ka humbur. Ai mund të ndjehet edhe si kuajt që vrapojnë pasi ka mbaruar gara. Por prapë se prapë nuk ka problem. Kjo të paktën është një
ndjenjë fisnikërie. Kush mund të përfitojë për të qarit, ankimeve dhe rënkimeve? Në vend që të ankohemi prej errësirës, le të ngrihemi dhe të ndezim një qiri.” “Ah dashuria! Ti, unë edhe Allahu... Sa mirë do të ishte sikur të bëheshim bashkë të tre dhe të bënim një botë sipas kërkesave tona!”Ah trupat e fëmijëve të vdekur nëpër brigjet e deteve, ah rënkimet dhe vajtimet e nënave në krye të arkivoleve, ah zogjtë që përpëliten sa andej-këtej ngaqë kanë humbur foletë bashkë me të vegjlit e tyre, ah fytyrat e zverdhura të bashkëshorteve të reja, ah mijëra dëshmorë që po japim dita-ditës!.. Po, të gjitha këto mendoj se duhet të na bëjnë të fortë kundrejt të gjitha lodhjeve. Këto duhet të na bëjnë të luftojmë kundrejt çdo lloj padrejtësie. Andaj duhet ta gjejmë çdo gjë që duhet ta posedojmë dhe ta dimë çdo gjë për të cilën kemi nevojë. Nëse është e nevojshme, le të vdesim për këtë...Le ta përmbledhim kështu: Ne jemi punëtorët durimtarë të kësaj bote. Siç thotë hoxha ynë i nderuar: “Kam shpëtuar nga shtypja e problemeve me një tempo të ngjeshur pune.”, edhe ne do të shpëtojmë nga shqetësimet dhe do të arrijmë “kënaqësinë për të jetuar” kur të përpiqemi në maksimum. Ne jemi të dehur nga vera e durimit dhe përpjekjes. Andaj nuk shohim prapa dhe nuk dorëzohemi. Allahu na ndihmon. Ne qëndrojmë vazhdimisht te dera e Mikut të Madh. Kështu që, kush mund të na dalë përballë?Ne jemi si furtuna e maleve me dëborë. Andaj mund ta gjejmë rrugën edhe ndërmjet dëborës që vërtitet nga të gjitha anët për të dashurit tanë. Nganjëherë një ajet fisnik na merr dhe na shpie përtej horizonteve. Ai na i lidh plagët, na shëron dhe na jep prehje. Falënderimet i përkasin Allahut Teala për këtë.Ne e njohim mirë gjendjen e kësaj bote, andaj dhe kemi hequr dorë prej çdo gjëje të sajë. Kemi harruar të preokupohemi me jetën tonë ngaqë jemi punëtorët durimtarë që janë të dashuruar me ndjenjën e ndihmës ndaj të tjerëve. Neve nuk na ka mbetur asgjë tjetër përveç sakrificës. Andaj do të vdesim dhe do të ringjallemi me këtë dashuri. Ne kemi bërë anije në shkretëtirë. Jemi kapur fort pas shpresës dhe besimit nëpër puse. Burgjet i kemi shndërruar në shkolla dhe kemi bërë famë në histori e jemi bërë legjendë për njerëzit. Përgjatë gjithë jetës kemi qëndruar ndërmjet qiellit e tokës.