Nga begatitë e Krijuesit ndaj njerëzimit në përgjithësi është se u shpiku atyre mënyra të ndryshme të lejuara, të arritjes së fitimeve dhe të ardhurave. Me këto, ata i sigurojnë vetes dhe familjeve të tyre jetesën e mirëqenien, por edhe ndërtojnë shoqëritë, ngrenë standardin dhe fuqizojnë ekonomitë e tyre. Në anën tjetër, i sprovoi ata me forma tjera, të cilat janë të ndaluara (haram), për faktin se përmbajnë fitime të papastra, ndalesa e padrejtësi, që prishin moralin e individit dhe infektoj në ekonominë e një vendi. Kështu Allahu i madhërishëm i vuri njerëzit në provë, që të dëshmohet sinqeriteti i tyre në atë që thonë e veprojnë.
Nga veprimtaritë të cilat i lejoi Allahu i madhërishëm është tregtia, ndërsa nga ato që i ndaloi është kamata.
I Plotfuqishmi në Kuranin famëlartë, ka thënë: "Porse Allahu e ka lejuar tregtinë, kurse kamatarinë e ka ndaluar." (El Bekare, 275).
Dispozita islame rreth kamatës
Kamata në jurisprudencën islame është e ndaluar (haram) e tëra, qoftë sasi e madhe apo vogël dhe pa marrë parasysh në çfarëdo formë të kontratës realizohet ajo. Kjo dispozitë mbështetet në tri baza thelbësore, të cilat janë edhe burimet kryesore të legjislaturës islame.
Pra bazat nga të cilat nxirret dispozita e kamatës janë:
a) Kurani;
b) Suneti;
c) Ixhmai (konsensusi ose unifikimi i muxhtehidëve të një kohe, nga umeti i Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, për një çështje të sheriatit).
Kamata konsiderohet nga mëkatet e mëdha (kebair) dhe është njëra nga shtatë mëkatet shkatërruese (Elmubikat), së bashku me shirkun e magjinë. Ebu Hurejre transmeton se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë: "Largohuni prej shtatë mëkateve shkatërruese (rrënuese)." Shokët e tij i thanë: "O i Dërguar i Allahut, cilat janë këto mëkate?" (Ai) Tha: "Të bërit rival Allahut (shirku), magjia (sihri), mbytja e njeriut që e ka ndaluar Allahu, me përjashtim nëse këtë e kërkon drejtësia (e fesë), keqpërdorimi (ngrënia) i pasurisë së jetimit, ngrënia e kamatës, ikja nga fushëbeteja dhe shpifja ndaj grave të ndershme besimtare." (Shënon Buhariu dhe Muslimi).
Nëse njeriu e mohon ndalimin e kamatës, atëherë ai ka bërë kufër (mosbesim), pasi që ka mohuar një aksiomë sheriatike (një njohuri fetare, të ditur dhe të padiskutueshme) dhe personi i këtillë kërkohet të pendohet. Nëse punon me kamat, duke mos e mohuar ndalimin, atëherë ai person është mëkatarë (fasik), i cili ka shkelur një ndalesë shumë të rrezikshme të Allahut dhe njërin nga mëkatet e mëdha. ("Fikhul Muamelat el Malije el Mukarin", dr. Alaudin Zateri, f.183).
Çfarë thotë Kurani për kamatën
Dijetari i njohur hanefi Shemsudin es Serhesi në librin e tij "El Mebsut", përmend pesë përfundime të ashpra, me të cilat kërcënohet personin i cili punon me kamatë. Ai këto kërcënime dhe dënime i nxjerrë nga ajetet kuranore.("El Mebsut" Es Serhesi, vëll.12, f.109).
1) Do të ringjallet sikurse ai që e ka kapluar shejtani.
Allahu i Lartësuar thotë: "Ata që e hanë kamatën, (Ditën e Gjykimit) nuk ngrihen ndryshe vetëm se si ngrihet ai çmenduri nga të prekurit e djallit. (kjo ndodh kështu) ngase thanë: Tregtia është njësoj sikurse edhe kamata!" E Allahu e ka lejuar tregtinë, por e ka ndaluar kamatën." (El Bekare, 275)
2. Asgjësimi dhe zhdukja e pasurisë
Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën, Allahu nuk e do asnjë mohues dhe mëkatar." (El Bekare, 276). Është për qëllim zhdukja dhe çrrënjosja e pasurisë, apo largimi i bereqetit, mospërmbushja e kënaqësisë dhe mosarritja e dobisë nga ajo pasuri që fitohet me kamatë.
3. Shpallje luftë Allahut
Ai që punon me kamatë i ka shpallur luftë Allahut të Lartësuar dhe nuk ka diskutim se sa humbës i madh do të jetë ky person. Allahu i Lartësuar thotë:
"E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk hiqni dorë nga kamata), ta dini se do të jeni në luftë me Allahun dhe të dërguarin e Tij. E nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kryet e mallit tuaj, askënd nuk dëmtoni e as vetë nuk dëmtoheni." (El Bekare, 279).
4. Mosbesim (kufri)
Allahu i Lartësuar thotë: "O ju që besuat, kini frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë, hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata." (El Bekare, 278).
Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën, Allahu nuk e do asnjë mohues (kefar) dhe mëkatar (ethim)." (El Bekare, 276).
Fjala "Kefar, mohues", e cila ka ardhur në fund të këtij ajeti, do të thotë mohues i Islamit, nëse thotë se kamata është e ndaluar dhe "Ethim, mëkatar", nëse e hanë dhe punon me kamat.("Fikhul Muamelat el Malije el Mukarin", dr. Alaudin Zateri, f.184).
5. Përjetshmëria në zjarr të xhehenemit
Allahu i Lartësuar thotë: "E kujtdo që i vjen këshilla nga Zoti i tij e shmanget prej kamatës, malli i tij, i fituar më parë (para ndalimit të kamatës), është i tij dhe çështja për këtë i takon Allahut. E, kushdo që i kthehet (punës me kamat, pas ndalimit), ai do të jetë banues i zjarrit, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë." (El Bekare, 275).
Këto ajete të sures El Bekare që u përmendën ishin vetëm disa prej ajeteve të cilat aludojnë për ndalimin e kamatës dhe se sa mëkat i madh është kjo vepër. Kemi edhe ajete tjera që vërtetojnë këtë gjë, por do të mjaftohemi me kaq.
Disa urtësi të ndalimit të kamatës në Islam
1) Kamata është fitim i sigurt nga diç e pasigurt
Kamata është që të marrësh pasurin e tjetrit pa kompensim, kjo për faktin se kush i jep dikujt një euro që pas një kohe t' ia merr dy euro, atij i shtohet euroja pa ndonjë shpagim. Për njeriun nuk është e lejuar që të merr pasurinë e tjetrit pa të drejtë. I Dërguari (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të) thotë: "Është mëkat që myslimani ta shaj vëllanë e tij (mysliman), ndërsa është kufër (mosbesim) vrasja e tij, kurse pasuria e
tij është e ndaluar sikurse që është i ndaluar gjaku i tij."(shënon Ahmedi).
2) Kamata i ndalon njerëzit të tregtojnë dhe të fitojnë
Nëse njeriu i cili ka një shumë të parave, ka mundësi që të arrij te fitimi nëpërmes dhënies së atyre parave me kamatë, pa u lodhur, atëherë ai nuk do të jep mundë që të punoj dhe të kërkoj fitim me tregti, prodhim, investime dhe punë tjera që janë të rënda për të. Kjo shkakton pasivitet duke favorizuar papunësi dhe ndërprerje të dobive njerëzore të cilat nuk rregullohen vetëm se duke u marrë ata me tregti, investime, zeje, industri, ndërtimtari, etj.
3) Kamata çon në ndërprerjen e mirësisë në mes njerëzve
Nëse ndalohet kamata, atëherë ata nxiten në dhënien e parave borxh duke mos pritur ndonjë përfitim material përveç shpërblimit prej Allahut të Lartësuar. Në anën tjetër, nëse do të lejohej kamata, atëherë mungesa e nevojtarit do ta bënte që ai të merr borxh me kamat dhe kjo e bënë që të ndërpritet ndihmesa, solidariteti dhe bamirësia në mes njerëzve.
4) Kamata shkakton dëme në shoqëri
Kjo për faktin se kamata i bën edhe më të theksuara hendeqet në mes të shtresave të shoqërisë (të pasurve dhe të varfërve). Të pasurit vazhdojnë të grumbullojnë pasuri, duke vjel përfitimet nga huat kamatarie, që i kanë dhënë dhe kështu bëhen edhe më të pasur, ndërsa të varfrit vazhdojnë të bëhen edhe më të varfër duke paguar borxhet e kamatës.
5) Kamata shkakton trazira ekonomike
Gjithashtu kamata është njëri nga shkaktarët më kryesor të trazirave ekonomike në shoqëri të ndryshme. Kjo për faktin se fitimet e kushtëzuara me kamatë bëjnë që t'u vërtetohen dobi investuesve, që i kanë dhënë parat për të hapur biznese, pa marrë parasysh a kanë arritur sukses apo jo në prodhim ato biznese. Kamata mund të jetë edhe shkaktar inflacionit monetar dhe i padrejtësive të ndryshme ekonomike. Shembulli më i qartë për këtë është kriza ekonomike botërore e tanishme, që rol të rëndësishëm në rregullimin e këtyre sistemeve ka edhe kamata.
Këto që i përmendëm më lartë janë vetëm disa nga urtësitë e ndalimit të kamatës.("Tefsiru Kurtubi", vëll.3, f. 359; "Ham Muvekin", Ibën Kajim el Xhevzije, vëll.2, f. 154).
Fitimi në tregti dhe fitimi në kamatë
Meqenëse në të dyja këto veprimtari realizohet fitimi, shpeshherë kur flasim rreth kamatës dhe tregtisë, shumë njerëz kanë paqartësi, pse vallë në shitblerje të lejohet fitimi, ndërsa në kamatë të mos lejohet. Në fakt këtë pikëpyetje e kanë ngritur edhe idhujtarët, kur panë se Muhamedi, lavdërimi e paqja qofshin mbi të, po e ndalonte kamatën. Allahu i Lartësuar përmend thënien e atyre që ishin kundër ndalimit të kamatës duke përcjellë: " ... ata thonë se tregtia është njëlloj si kamataria".(El Bekare, 275).
Mirëpo, Allahu u përgjigjet atyre se vërtet ka dallim mes tyre kur thotë: "Porse Allahu e ka lejuar tregtinë, kurse kamatarinë e ka ndaluar" (El Bekare, 275), prandaj edhe e ka lejuar njërën dhe e ka ndaluar tjetrën.
Fitimi sipas jurisprudencës islame është shtesa që nxirret nga kapitali i investuar, si rezultat i transformimit të atij kapitali në një aktivitet tregtar, ose fitimi është shtesa që i bëhet kapitalit të investuar, pas shndërrimit të kapitalit në një veprimtari investuese të ligjshme sikurse tregtia, prodhimi apo diçka tjetër, ("Err Rribhu Fil Fikhil Islami"), f.44)
Pra nga ky përkufizim u kuptua se fitimi, sipas parimeve islame, është rritja që ndodh si rezultat i shfrytëzimit të pasurisë në një aktivitet investues. Dhe në këtë aktivitet është i theksuar elementi i shndërrimi të kapitalit të investuar nga një gjendje në tjetrën, ashtu si është rrethana gjatë tregtisë, kur paratë e gatshme shndërrohen në mall, pastaj rikthehen në para prapë, duke u shtuar fitimi, ose edhe duke ndodhur humbja, ashtu si është e mundur të ndodh kjo në një tregti.
Ky transformim i pasurisë (parave të gatshme në mall dhe anasjelltas), që për pasoj sjell fitimin, është rezultat i mundit të cilin e jep njeriu, duke iu nënshtruar edhe rrezikut të mundshëm, pakësimit të kapitalit (humbjes). Ky fakt na jep të kuptojmë se pasuria, duke mos u vënë në punë dhe aktivitet tregtar, nuk ka mundësi të shtohet vetvetiu. Me fjalë tjera themi se euroja do të mbetet euro, vit pas viti, derisa atë ta merr tregtari dhe ta vë në aktivitet tregtar, në shitblerje dhe kështu një euro shtohet në shumë euro. Përndryshe paraja nuk lind para, që të shtohet vetvetiu.
P.sh. nëse një person merr hua njëmijë euro nga banka, që t'i kthej njëmijë e njëqind pas një viti, ato njëqind euro është kamata që përfitohet kundrejt vonesës së pagesës. Për të sqaruar dallimin në mes fitimit në tregti dhe fitimit në kamatë, vërejmë se në fitimin (tregtar) ndodh ndërthurja në mes të kapitalit të investuar dhe aktivitetit tregtar (mundit) që e jep tregtari, pra ai blen, shet dhe kështu si pasoj e punës së tij vjen deri te fitimi, kurse fitimi nga kamata, vjen si rezultat i posedimit të kapitalit, vetëm, pa aktivitet e punë (mund), pra pasuria sjell pasurinë.
Ndoshta, dikush mund të thotë se në të dy rastet edhe te fitimi edhe te kamata, ndodh shtimi apo rritja? Kjo është e saktë, por te fitimi tregtar, rritja është e ndërlidhur me veprimtarinë që e shndërron pasurinë nga një gjendje në një tjetër, kurse rritja në kamatë ndodh në vetë pasurinë, pra ndodh pa ndonjë aktivitet, njëmijë euro bëhen njëmijë e njëqind.
A është kamata investim që detyrimisht siguron fitim
Deri më tani kuptuam se dhënës i kamatës siguron fitimin pa dhënë asnjë mundë në ndonjë aktivitet tregtarë ose prodhues, kurse tregtari siguron fitimin duke vënë në përdorim kapitalin që e ka në dispozicion dhe duke e shndërruar atë nga pasuria në mall dhe anasjelltas. Ky ishte dallimi që e bënë të lejuar fitimin në tregti dhe e ndalon fitimin në kamatë.
Në anën tjetër, nëse dikush do të thoshte se dhënësi i kamatës edhe pse nuk jep vet mund, ai ka mundësi që me dhënien e parave të tij borxh, me kamatë, dikujt tjetër p.sh. tregtarit, që t'i investoj ato para dhe t'i vë në aktivitet tregtarë dhe kështu ai të merr kamatë, si pjesë të fitimit të realizuar nga tregtarit dhe jo se ato para janë shtuar duke mos qarkulluar.
Në këtë themi se njeriut i lejohet t'ia japë tjetrit paratë e tij, që të tregtojë me to, ose të bëjë ndonjë projekt, dhe me këtë ata dy bëhen ortakë; i pasuri investon paratë e tij, dhe tregtari investon mundin dhe eksperiencën e tij, e kështu bashkëveprojnë kapitali e puna. Jurisprudenca islame lejon një veprimtari të tillë, madje edhe nxitë në ortakëri të kësaj forme. Mirëpo në ortakëri të këtilla kërkohet që pronari i pasurisë, të jetë i guximshëm e i sjellshëm, dhe ta bart përgjegjësinë e rrezikshmërinë së bashku me tregtarin, nëse fitojnë, fitojnë së bashku dhe nëse humbin, e ndajnë humbjen bashkërisht. Kurse kamata siguron fitim të paracaktuar dhe të detyrueshme, pavarësisht a do të realizohet fitimi nga ai investim apo do të ndodh humbja.
Andaj lënia e pasurisë në dorën e tjetrit për një kohë që ai të bëj tregti me të dhe të përfitoj është e pasigurt, sepse ai ka mundësi të fitoj dhe ka mundësi të mos fitoj, madje edhe të humbë, ndërsa marrja e shtesës (kamatës) nga huadhënësi është e sigurt. Prandaj me anë të kamatës sigurojmë një përfitim të sigurt nga një fitim i pasigurt madje edhe të mundshëm që të humbet tërësisht dhe kështu me ndalimin e këtij përfitimi del në pah drejtësia islame në raport me të gjithë njerëzit në shoqëri. Feja jonë e pastër nuk lejon shfrytëzimin e pozitës dhe mundësive që i kanë të pasurit për t' i shfrytëzuar të varfëritë dhe ata që kanë nevojë për para, duke i futur ata në kushtëzime që u sigurojnë fitime të detyruara të pasurve.
Alaudin Abazi
Dituria Islame 320