Njerëzit vdesin çdo ditë. Të vdesësh është ligj hyjnor i Allahut. Dikush shijon më shumë nga të mirat e të këqijat e kësaj bote, dikush më pak, e dikush aspak fare. Vitet, muajt, ditët, orët, sekondat janë të numëruara për secilin. Asnjë frymëmarrje më shumë ose më pak. Allahu i Lartësuar në Kuranin fisnik thotë: “Secili njeri do ta shijoj vdekjen, e shpërblimet tuaja u plotësohen Ditën e Kiametit, e kush shmanget zjarrit e futet në Xhenet, ai ka arritur shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër, pos një përjetim mashtrues.” (Ali Imran, 185)
Ashtu sikurse gjatësia, edhe pikëpamjet e njerëzve karshi vdekjes ndryshojnë. Dikush e urren, dikush e do, dikush dëshiron t’ia sjell vetes, dikush qëndron indiferent, dikush i frikësohet, e dikush e pret me mall.
Krejt kjo varet nga ajo se në çfarë beson dhe se çfarë janë pritshmëritë tua pas vdekjes. Për atë që nuk beson, nuk ka asgjë, pos një zbrazëti e madhe jo-ekzistente. Për ta, sapo të dal shpirti nga trupi, gjithçka mbaron. Shuhet e tretet në errësirë dhe asgjë. Por, për ne është ndryshe. Nuk mund të jetë kaq e thjeshtë. Absolutisht jo! Ne që besojmë se vdekja nuk është fundi, por fillimi i ri, kemi pikëpamje të kundërta me ata lartë. Nuk tretet shpirti, por trupi bëhet pluhur siç ka qenë në fillim. Shpirti nuk zhduket, por kalon në një botë tjetër dhe varësisht nga jo që ka vepruar në këtë botë (dynja), ka bërë një vend në botën tjetër (Ahiret). Pra, esenca është te shpirti, e jo te trupi.
Pra, vdekja në tërë realitetin e saj është një bukuri e trishtuar. Pse e trishtuar? Pasi që njerëzit janë të dobët ta konceptojnë kalimin nga një dimension në një dimension tjetër (dynja-ahiret) dhe posa dikush ndërron jetë, i kaplon ajo ndjenja se më nuk do ta shohin, e shoqëruar me dhimbje e trishtim. Vërtet, Pejga-mberi a.s., ka thënë që vdekja i ka agonitë e saj, dhe se patjetër që do t’i ketë, sepse është ndarje e shpirtit nga trupi, por nuk ka të bëjë fare me asgjësimin. Me asgjësimin nuk ka të bëjë, por me tjetërsimin patjetër.
Sapo të kalojnë shpirtrat e njerëzve në vendet e tyre në botën tjetër, disa e përjetojnë kënaqësinë e faljes dhe jetën me bollëk në xhenetet e Allahut të Lartësuar, Mëshirëplotë, të tjerët përjetojnë pranimin dhe pendimin të shoqëruar me dënime në xhehenem për pakujdesitë dhe veprat e tyre të liga në këtë botë. Allahu na ruajt!
Nuk do të bësh çfarëdo që të vjen përdore në këtë botë, dhe se të ngushëllohesh me atë mendimin e gabuar që do të vdesësh dhe do të mbaroj gjithçka. Jo, jo! Do të vdesësh dhe do të filloj gjithçka. Je në një vend të izoluar (Tokë), nga i cili mund të dalë vetëm shpirti pa trup.
Vetë pamundësia jote për të depërtuar jashtë këtij planeti, tregon qartë se ti je i kufizuar, i izoluar dhe i mbikëqyrur në çdo sekondë të jetës sate. Gjërat nuk janë aq të thjeshta sa mendon dhe se ti nuk ke aspak pushtet, madje as mbi vetën tënde.
Ti je krijesë e një Krijuesi, dhe si e tillë ke një Zot (Allah) që të ka krijuar dhe je komplet nën pushtetin dhe përkujdesjen e Tij. Vullneti i lirë që Ai ta ka lejuar, është gjëja nga e cila duhet të kesh frikë më së shumti. Ama vdekja, është përcaktim i Tij.
Nuk ekziston vullneti i lirë në vdekje. Prandaj edhe vetëvrasja është rreptësishtë e ndaluar. Vetëvrasja është t’i japësh jetës aq shumë rëndësi sa të duash ta përfundosh. Një njeri që nuk i jep botës fare rëndësi, e pret vdekjen me qetësi dhe me sportivitet, si një proces i cili duhet kryer, por duhet kryer në kohën e caktuar (caktimi i Allahut) dhe jo në mënyrë të njëanshme.
Pejgamberi a.s., ka thënë: “Askush prej jush të mos e dëshiroj vdekjen për shkak të një të keqeje që e ka goditur.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
Pra, nuk i takon njeriut që ta dëshirojë vdekjen, vetëm se punët nuk po i ecin mbarë, apo për ndonjë sprovë, sëmundje apo fatkeqësi.
Një njeri, besimtar i mirë, lutet dhe punon në përmirësimin e gjendjes së tij, dhe jo menjëherë zgjedh “rrugën e lehtë”, e cila fatkeqësisht do ta dërgoj në vuajtje e dëshpërim.
Në fund, vdekja do të vijë për atë që e do dhe atë që nuk e do, për atë që e pret dhe atë që nuk e pret, për atë që e beson dhe atë që nuk e beson. Vetëm se mënyra ndryshon, po ashtu edhe destinacioni. Deri vonë kam menduar se të gjithë njerëzit rënkojnë njëjtë në momentin e vdekjes, ama jo, kishte qenë mendim i gabuar. Njerëzit rënkonin në momentet e vdekjes në varësi të barrës së tyre që e kanë ngarkuar veten në këtë botë. Nuk është e njëjtë shpina e ngarkuar me atë të çliruar nga barra, ashtu edhe shpirtrat dhe rënkimet e tyre.