Sikur ndodhem pranë xhamisë e cila thërret dhe ankohet tek Allahu duke thënë: -O Zot! Përse dyert e mia nuk hapen përveçse disa minuta të caktuara, duke qenë se konsiderohem prej vendeve më të dashura tek Ti? Përse privohen ata, të cilët zemrat e tyre janë të lidhura me mua - e ata janë të paktë- nga ulja në prehrin tim përveçse në momente të caktuara? O Allahu im! Unë te Ti e ngre këtë dëm dhe këtë turp! Ty të ankohem për ata që më bënë padrejtësi mua dhe të dashurve të mi, më penguan mua dhe i penguan ata nga vlera dhe begatia e përmendjes së emrit Tënd. "Kush është më fajtor se ai që pengon të përmendet nëpër xhamitë e Allahut Emri i Tij dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre?! Ata nuk duhet të hyjnë në to, përveçse të frikësuar. Për ata, në këtë jetë ka poshtërim, kurse në jetën tjetër dënim të madh.”1
O Zot, disa nga fqinjët e mi nga unë nuk i ndajnë vetëm disa hapa, megjithatë unë nuk i njoh e as ata nuk më njohin. A nuk e dinë ata se vizita e shpeshtë e tyre ndaj meje i bën të fitojnë dëshminë e besimit, i vesh ata me veshjen e frikës dhe i bën të udhëzuar, duke u argumentuar me fjalën Tënde o Zot: "Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që falin namazin dhe japin zekatin e që nuk i frikësohen askujt, përveç Allahut. Sigurisht që këta janë në rrugë të drejtë.”2
Dhe për shkak të fjalës së të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të: "Kur të shihni njeriun i cili viziton shpesh xhamitë, dëshmoni për besimin e tij.”3
A nuk dinë se imani i tyre nuk plotësohet përveçse me përmendjen e Allahut ndërmjet mureve të mia, duke u argumentuar me fjalët e Tua o Zot: "Në xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri i Tij, Atë e lavdërojnë në mëngjes dhe mbrëmje, njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për të përmendur Allahut dhe të cilët falin namazin dhe japin zekatin dhe të cilët kanë frikë nga Dita (e Kiametit), kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara. (Këta shpresojnë) që Allahu t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë e t’ua shtojë dhuntinë e Tij. Allahu i jep kujt të dojë, pa llogari.”4
Disa njerëz o Zot janë larguar nga unë duke mos ndier aspak neglizhencë, duke u justifikuar me distancën e largët dhe largësinë e shtëpisë (banimit). A nuk dinë ata se të parët e mirë e pëlqenin banimin larg xhamisë jo për të mos ardhur në xhami, por për t’iu shtuar shpërblimi. Është e çuditshme gjendja e munguesve nga gjerësia ime, e kryelartëve, e refuzuesve që të hyjnë në dyert e mia. A nuk i kanë dëgjuar këto hadithe të të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të: - "Namazi i njeriut me xhemat është më i vlefshëm sesa namazi i falur vetëm për njëzet e pesë shkallë. Nëse merr abdest mirë, pastaj del në xhami vetëm për namaz, çdo hap të cilin e bën do t’i ngrihet me të një shkallë dhe i shlyhet një mëkat. Kur të falet, melekët kërkojnë falje për të përderisa gjendet në xhami duke thënë: "O Allah, mëshiroje!” Vazhdon të jetë në namaz përderisa pret namazin vijues.”5 -
"Kush merr abdest mirë, pastaj del në namaz, ai konsiderohet në namaz përderisa e ka qëllim namazin. Atij në njërin hap i shkruhet një e mirë, ndërsa në hapin tjetër i shlyhet një mëkat. Kush prej jush dëgjon kiametin, mos të nxitojë. Shpërblimin më të madh e ka ai me shtëpi të largët.” Thanë: "Për çka, o Ebu Hurejra? Tha: "Për shkak të hapave të shumta.”6 -
"A dëshironi t’ju lajmëroj me çka Allahu i shlyen mëkatet dhe i lartëson gradët tuaja?” "Gjithsesi, o i Dërguar i Allahut”, thanë. I Dërguari tha: "Marrja e abdestit edhe atëherë kur është vështirë, shkuarja e shpeshtë në xhami dhe pritja e namazit pas namazit. Kjo është fortifikatë, kjo është fortifikatë.”7
O Zot, disa nga robërit e Tu, të cilët i njoh dhe më njohin, mungojnë në dy namazet, atë të sabahut dhe të jacisë. A nuk e kanë dëgjuar përgëzimin e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, i cili thotë: "Përgëzoji ata që ecin në errësirë për në xhami me dritë të plotë Ditën e Kiametit.”8
Më pikëllon shumë o Zot, gjersa unë jam prej vendeve më të dashura për Ty dhe i Dërguari ka lajmëruar se kush ulet në prehrin tim duke pritur namazin pas namazit, konsiderohet si luftëtar në rrugën e Allahut, i shkruhet shpërblimi i falësit përderisa pret namazin... Më shumë më pikëllon fakti se një grup njerëzish- ata janë shumë- vijnë tek unë me pasivitet dhe me përtaci. Kalojnë pak kohë dhe me një mundim dhe mërzi, por po këta në çështjet e kësaj bote janë shumë aktivë e të fuqishëm. Nxitojnë e nuk vonohen, presin orë të tëra duke mos u lodhur e mërzitur... disa prej tyre vijnë te unë vetëm atëherë kur e dëgjojnë ikametin pa ndonjë shkak. Vjen duke nxituar dhe jo i përqendruar, qëndron larg edukatës së hyrjes në xhami, shumë larg Sunetit të të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, i cili thotë: "Nëse dëgjoni kiametin, ecni duke qenë të qetë. Atë që do ta arrini, faleni dhe ajo që do t’ju kalojë, plotësojeni.” Disa robër o Zot, Ti e di, vijnë në namaz të vonuar dhe me përtaci. A nuk dinë të tillët se në këtë veprim ka përngjasim me hipokritët, për të cilët ke thënë: "...namazit i afrohen vetëm në mënyrë të ngathët”9
Gjithashtu ke thënë: "Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë.”10
Disa të tjerë o Zot, kur vjen Ramazani, edhe ata vijnë tek unë. Kur mbaron Ramazani, largohen nga unë. Ata e dinë shumë mirë se Ti je Zot në Ramazan dhe në të gjithë muajt e tjerë. Ata e dinë se namazi është obligim për ta gjatë Ramazanit dhe në të gjitha ditët e tjera. O Zot, kërkoj faljen Tënde! Butësinë Tënde e kërkoj o Zot! O robër të Allahut: "Prandaj rrekuni me njëri-tjetrin, duke kërkuar falje prej Zotit tuaj dhe një kopsht të gjerë sa qielli dhe Toka, që është e përgatitur për ata që i kanë besuar Allahut dhe të dërguarve të Tij.”11
O robër të Allahut, dijeni se koha po kalon, vitet po kalojnë. Dijeni se malli i Allahut është i shtrenjtë. Malli i Allahut është xheneti. Ai nuk fitohet me dëshira e as me prejardhje të lartë, as me punën e prindërve dhe të gjyshërve e as me shumë pasuri e fëmijë: "As pasuria juaj, as fëmijët tuaj nuk do t’ju afrojnë më shumë te Ne, por vetëm ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira (e meritojnë këtë). Ata do të kenë shpërblim të shumëfishtë për atë që kanë bërë dhe do të jenë të sigurt në banesa të larta (në Xhenet).”12
Muhamed Ahmed
Përktheu: Almedin Ejupi