Halil Ibrahimi me qëllim ka
keqinterpretuar artikullin tim në lidhje me Vehabitë, të botuar në
Gazetën Java.
Të mundohesh me injorua pa kurrfar argumentesh bindëse një realitet në
të cilin jeton, kjo d.m.th. të jeshe injorant. Duke e lënë anash esencën
e shkrimit tim, Halili ka ofruar demagogji dhe insinuata.
Nuk është faji im por është paraqitja e Vehabive në tokat shqiptare,
paraqitja e tyre te fqinjët tanë, si dhe zgjerimi i tij si fenomen
global prapa të cilit qëndron Arabia Saudite (vendlindja e M.A. Vehabit)
e plot faktorë të tjerë, që më kanë shtyrë të shkruaj për këte çështje.
Me 15.04.'07., e kam dërguar shkrimin tim për botim në "Java",
kurse me 19.04.'07., ndërhyrja e policisë serbe pati si epilog humbjen e
jetës së Ismail Prentic.
Në fillim të shkrimit kam thënë se: "... është fjala për
besimtarë muslimanë, të cilët mes vete kanë lidhje shpirtërore me
besimtarët tjerë (pra, me të gjithë myslimanët), anipse Vehabitë e
komentojnë ndryshe islamin". Ky qëndrim imi është në frymën
islame, sepse muslimanët janë vëllezër. Halilit, vehabist, kjo si ka
bërë përshtypje dhe thotë: "Baxhakut mund të mos i ketë bëre
ubdate lajmeve, por ai u vra në Sanxhak". Qëndrim tepër naiv,
dashakeq. Thashë, shkrimin tim e kam dërguar 4 ditë para se të vritej i
ndjeri Ismail. Nëse lajmi ka qenë dezinformatë, nuk kam thënë se ne
duhet t'i besojmë.
Rasim Ljajic, kryetar i SDP, ka vlerësuar se akcioni i policisë ishte
kulmi i krizës prejse ishin paraqitur Vehabistët në Sanxhak, ("Oslobodenje",
23.04.'07.). Athua edhe kjo, sipas Halilit, qenka dezinformatë?
U desh te fliste ish-ministri Fatmir Rexhepi, dhe pastaj të paraqitet
trimi Halil, i cili thotë: "Po të kishin gjykatat tona 'vehabitë'
në përbërje të tyre, në këtë rast dikujt (mendon për F. Rexepin)
do të duhej t'i pritej gjuha për rrena qëllimkëqija që shkojnë në dëm
të kauzës së Kosovës". Po si është e mundur që qëndrimet e
vehabistëve të mbrohen rrejshëm në emër të kauzës së Kosovës? Është
kosovar apo nga ndonjë vend arab, i guximshmi Halil? Athua shqiptarët
tjerë (jo-vehabi), që punojnë nëpër gjykata, nuk qenkan muslimanë dhe
njerëz të mirë? Me një gjuhë të tillë nuk mund të mbrohet as Islami e as
kauza e Kosovës. Përkundrazi, ato kompromitohen dhe dëmtohen.
Në rrugën e Islamit nuk jam kalimtar i rastit e as besimtar naive e i
padijshëm. A e di Halili se ku janë shqiptarët muslimanë të cilët
vuajnë nga servilizmi?
H. Ibrahimi thotë: "Loja dhe përfolja e 'terrorizmit
islamik' dhe e 'vehabive' është më e preferuar viteve të
fundit ...". Po, kjo është e vërtetë sikurse shkaqet dhe
bartësitë e tyre. Unë kam bërë fjalë për vehabistët, jo për 'terrorizmin
islamik'.
Sikur të bëja fjalë për 'terrorizmin islamik', do te
thosha se ai është 'terrorizm anti-islam', i cili
rrezikon paqen botërore. Islami është fe e paqes.
Halili kot më ngatërron me të paqena
Nuk do të përdori fjalën hipokrizi por, a mundet me i mbrojtë të drejtat
dhe liritë e njeriut Halili, i cili vihet në mbrojtje të atyre vehabive
të cilët kanë ushtruar dhunë kundër njerëzve zyrtarë (imamëve,
myezinëve, mytevelive) dhe besimtarëve nëpër xhamia, për çka kam cituar
myftiun e Sanxhakut, Muamer Zukovic, i cili thotë: "... kemi
incidente nëpër xhamia dhe më së shumti në xhaminë qëndrore të cilën (vehabistët)
e kishin zgjedhur si më të rëndësishmen në Novi Pazar. Organizata e
vehabistëve e ka përfaqësinë e vet në Kosovë".
Nëse Halili, i dijshëm, e ka lexuar shkrimin tim të botuar në "Java",
atëherë pse nuk ka bërë fjalë për këto fakte? Halili i mohon faktet dhe
nuk distancohet nga veprime të tilla ant-islame.
Titulli i artikullit tim, "A janë vehabitë kanceri i fesë
islame?", nuk është imi, por si e kam thënë, është citat dhe
autor i tij është Senad Agic, njëri prej imamëve kryesor në Amerikë, ("Oslobodenje",
7.04.2007.). Unë këtë fjali e kam cituar, sepse Halili në shkrimin e
tij (gazeta "Besa", 21 shkurt '07.), "vehabistët
i paraqet si melaqe (engjuj)". Prandaj, Halili, ne
vend të gënjeshtrave dhe fjalëve ofenduese të cilat m'i drejton mua,
duke thënë, "vjell gjithë atë padije karshi tyre", ka qenë dashur t'i
pergjigjet imamit Senad, dhe lexuesve se, cila është e vërteta në lidhje
me vehabistët?
Ne shkrimin tim nuk mund të gjenden shprehje si: "... vehabitë
shqiptarë një rrezik i madh ...", sikurse shpif me pafytyrësi
në reagimin e tij Halili.
Sa u përket fotografive të botuara me shkrimin tim, ato i ka zgjedhur
për botim vet redaktori, pa pëlqimin tim. Sa kanë qenë në nivel të
profesionit gazetar, kjo është diçka tjetër. Kryesorja është se pas
kësaj nuk fshihen qëllime të këqia.
Ngutja dhe paragjykimet nuk janë cilësi të muslimanit, qoftë ai Halili,
mbrojtësi i vehabistëve, i cili të tjerëve u kërcënohet me "prerje
të gjuhës", kurse veten e harron.
Prandaj, retorika e varfër e Halilit, për 'teori amatore',
perveç tjerash dëshmon qëllimin tejet dashakeq të një fanatiku
shpirtngusht. Unë në shkrim kam përmendur emrin e Ismet Prenic'it (sot
edhe ky i ndjerë), dhe të Jusuf Borcicit, fotografitë e të cilve i kam
parë përmes ekraneve televizive dhe nëpër gazeta. Në lidhje me pamjet e
tyre unë e kam thënë të vërtetën, e cila ka qenë e prekshme për të
gjithë. Të njëjtat fotografi, se bashku me këtë shkrim, po ia dërgoj
për botim "Javës".
Qëllimi im nuk ka qenë të mbaj ligjerata fetare, e as histori për M.A.
Vehabin. Dihet se në botën islame janë të njohura katër medhhebe
(shkolla juridike islame), dhe se populli shqiptar e praktikon medhhebin
(shkollën juridike) Hanefi, së cilës i takoj edhe unë.
Vehabitë pretendojnë që me forma tjera, pra jo në kuadër të Bashkësisë
Islame të Kosovës, të ndryshojnë interpretimin tradicional të normave
islame, të cilat jetojnë me myslimanët e kësaj toke më tepër se pesë
shekuj. Gjithashtu, dihet se Vehabitë, ose si e quajnë vetveten - selefi
(selefizëm) - d.m.th. jomedhhebizëm, gjë që nënkupton se Vehabistët
janë kundër katër medhhebeve ekzistuese (shkollave juridike islame).
Dhe, këtu qëndron problemi kryesor për të cilin hesht Halili, i cili
mendon se është i guximshëm. Po pse atëherë po i frikohet të vërtetës në
lidhje me Vehabistët?
Sipas H. Ibrahimit, unë s'paskam "njohuritë themelore rreth
religjionit", atëherë do ishte mirë që ata që flasin për
vehabizëm, shiizëm, bektashizëm dhe në emër të 16 sekteve tjera islame,
të përgjigjen në pyetjen: "pse deri me sot nuk mundësua çlirimi
dhe bashkimin e Ymetit Muhammed, së paku në shtetet e Lindjes së Mesme
(pra, aty ku është vendlindja e Islamit dhe e Vehabit)?"...
Halili, heshtë për të gjitha këto. Pse?
Si e vlerëson Halili, shqiptar vehabist (selefi), ndarjen e tarikatit të
Bektashinjëve që u shpall (me 1994) fe e katërt në Shqipëri? Çka do të
ngjajë me popullin shqiptar dhe fenë islame nëse pas një kohe paraqiten
sekte si Ahmeditë, Vehabistët ... si ngjau në Bosnjë, Shqipëri, për t'u
regjistruar si fe?
Pse nuk ka kuptuar Halili se unë duke kritikuar sektet përçarëse kam
mbrojtur Islamin. Brengosja dhe interesimi im për Islamin dhe muslimanët
është legjitim. Nuk kam bër seleksionimin e muslimanëve. Jam i
angazhuar për bashkim dhe unitet. Vetëm kam përmendur rreziqet konkrete
dhe bartësit e tyre.
Si veprojnë Vehabistet (selefit) në Shqipëri?
Vetëm një shembull: "Lindja e një formacioni paralel me
Komunitetin Musliman nuk duket shumë e rastësishme pas disa zhvillimeve
të kohëve të fundit. Kështu, duhet të risillet në vemendje se vetëm pak
javë më parë, me kërkesë të disa përfaqësuesve të linjës së fortë, u
tentua ndryshimi i nenit 2 të statutit të Komunitetit Musliman. Në këte
nen është përcaktuar se tradita fetare në Shqipëri është ajo 'Hanefi',
pra, linjë e butë, ndërkohë që u kërkua ndryshimi i saj ne traditen
kuranore qe perfshin edhe linjen e fortë të quajtur 'Vehabizëm'",
(alb-muslimnews). Halili i shumëdijshëm për këto tendenca hesht.
Nëse edhe këto janë "polemika boshe", atëherë pse
Halili është paraqitur me shkrimin e tij në Gazetën Java? Për të
ofenduar kundërshtarin në mendime dhe për të irituar lexuesit?
Vehabistët, që e quajnë veten edhe unitarist dhe pasues të ehli
sunnetit, refuzojnë (prveç medhhebet) edhe imametin shiit dhe
institucionin e hilafetit, duke pohuar se hilafet universal nuk duhet të
ketë. Edhe për këte dallim të papajtueshëm Halili nuk bën asnjë fjalë.
Pse?
A mos duhet që para se t'i shtroja këto çështje të marrë leje nga i
guximshmi Halil?
A janë këto tabu tema për shumë intelektualë (aq sa janë) shqiptarë
muslimanë /jo vetëm/ të Kosovës?
Në lidhje me sektet, teologu Nexhat Ibrahimi në një shkrim me titull, "Roli
i sekteve në trojet shqiptare", mes tjerash, thotë: "Mendojmë
se është koha e fundit që Bashkësia Islame në Kosovë, Komuniteti
Musliman në Shqipri e Rijaseti në Maqedoni, intelektualisht dhe
shkencorisht, guximshëm dhe bindshëm të mbrojë vlerat e veta mbi
njëmijëvjeçare në këto toka. Roli i sekteve destruktive në këto toka do
të jetë fatal si për bashkësinë islame të vendit, ashtu edhe për
perspektiven politike të vendit", ("Besa", 20
shtator '06).
Halili, duke injoruar problemet esenciale, thirret në, "udhëzime
thjesht fetare për kthime në traditën e Kur'anit dhe sunnetit".
E di Halili mirë që edhe muslimanët sunnit, pra, edhe shqiptarët
muslimanë, e ndiejnë veten si pasues të ehli sunnetit, i cili gjithashtu
thirret në të njëjtat burime fetare. Cilët muslimanë, sipas Halilit,
kanë të drejtë në qëndrimet e veta? A nuk është kjo tendencë për
përçarje dhe ndarje të reja te shqiptarët muslimanë?
Nuk e kam ditur se do të dalë në provim para të shumëdijshmit e të
guximshmit Halil, i cili në vend se të ketë ndonjë qëndrim kritik në
lidhje me aktualitetin (dhe pas vrasjes se I. Prentic'it), ai vazhdon
t'i lavdërojë vehabitë dhe, përveç Shehezades, fërkohet edhe me "veprimet
pedofile të priftërinjëve katolikë". Kjo është irituese dhe
fare e pakuptimtë.
Shkroi: Nafi Baxhaku,
Suedi, qershorë 2007.
marrë nga: gazeta java