Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibën Maxheh na përcjellin nga
Ebu Hurejra r.a., se Pejgamberi a.s., ka thënë:
“Kujtojeni shpesh atë
që ua prish qejfet” – vdekjen! Po këtë hadith e përmend edhe Ebu
Nuajmi nga Omer ibën Hattabi r.a.
Bezzari shënon prej Enes ibën Malikut r.a., se Pejgamberi a.s., ka
thënë:
“Përkujtojeni sa më shpesh atë që ua shkatërron çdo kënaqësi
(vdekjen), sepse nuk ka njeri që nuk e përmend vdekjen kur është në
vështirësi jetese e që Allahu mos ta pasuroi, e as dikënd që është në
bollëk e që mos ta kufizojë!” Ibën Maxheh përcjell nga Ibën Omeri r.a., se Pejgamberi a.s., u pyet:
“Cili
është besimtari më i zgjuar? Ai u pergjigj:
“Ai që më së shumti e
përkujton vdekjen dhe përgatitet më së miri për atë që vjen pas saj,
ata janë më të mençurit!” Transmeton Tirmidhiu nga Sheddad bin Eus r.a., se i Dërguari i Allahut
s.a.v.s., ka thënë:
“I mençur është ai i cili llogaritë vetveten e
tij dhe punon për atë që vjen pas vdekjes, ndërsa i dobët është ai që
pason dëshirat e tij dhe shpreson se Allahu do t’ia falë!” Ibën Ebi Ed-Dunja transmeton nga Enesi r.a., se Pejgamberi a.s., thotë:
“Shtoni përkujtimin e vdekjes, sepse përkujtimi i vdekjes pastron
gjynahet dhe largon dashurinë ndaj dunjasë!"Po ashtu transmetohet nga Ata El-Horasani se Pejgamberi a.s., një
ditë duke kaluar pranë një mexhlisi, dëgjoi zërat e tyre duke qeshur me
të madhe dhe tha:
“Shoqërojeni tubimin tuaj me atë që ua prish
qejfet” – e pyetën: Çfarë është ajo që i prish qejfet? –
Vdekja,
u përgjigj Pejgamberi a.s.
Ibën Ebi Ed-Dunja dhe Bejhekiu në “Es-Shuab” përmendin prej Zejd
Es-Sulejmiut se Pejgamberi a.s., kur shihte ndonjë pakujdesi në mesin e
sahabeve u fliste me zë të lartë:
“Ju ka arritur vdekja si shpërblim i
domosdoshëm, prandaj ose do gjeni hidhërim e pikëllim ose gëzim e
lumturi (pra, keni kujdes)!”.
Përcjell Taberaniu nga Ammari r.a., se i Dërguari i Allahut ka thënë:
“Vdekja
është këshillues i mjaftueshëm!” E kanë pyetur Pejgamberin a.s.: “O i Dërguar i Allahut, a do ringjallet
ndokush së bashku me martirët (shehidët)? Ai u përgjigj:
“Po, ai i
cili brenda ditës e përkujton vdekjen njëzet herë!” Komentatori i njohur i Kur’anit, Suddiu, duke e interpretuar fjalën e
Allahut:
“Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se
cili prej jush është më vepërmirë...” , thotë: “për t’ju provuar se
cili prej jush më së shumti e përkujton vdekjen, përgatitet më së miri
për të dhe frikësohet më së shumti prej saj”. Kështu e ka shënuar Ibën
Ebi Ed-Dunja dhe El-Bejhekiu në “Shuabul Iman”.
Ibën Ebi Shejbeh shënon në veprën e tij “El-Musannif” dhe Imam Ahmedi
në “Ez-Zuhd” nga Ibën Sabit i cili tregon se në prani të Pejgamberit
a.s., u përmend një njeri dhe folën fjalë të mira për të. Atëherë
Pejgamberi a.s., i pyeti:
“Si është përkujtimi i tij për vdekjen”? Ata thanë: Nuk e kemi dëgjuar ta kujtonte vdekjen. Atëherë Pejgamberi
a.s. tha:
“(shoku i juaj) nuk është i tillë çfarë e mendoni (nuk
është në xhennetin e lartë ku ju e përmendni)!” Këtë hadith e
transmeton edhe Ibën Ebi Ed-Dunja, El-Bezzari nga Enesi dhe Et-Taberaniu
nga Sehl bin Sead.
Dikush kishte thënë: “Ai që e përkujton vdekjen shpesh, nderohet me tri
gjëra: do të ngutet me pendim (teube), do t’i kënaqet zemra dhe do jetë
i zellshëm në kryerjen e adhurimeve (ibadeteve). Ndërsa ai që e harron
vdekjen, dënohet me tri gjëra: do ta zvarritë pendimin, nuk do jetë i
kënaqur me rizkun (furnizimin) e tij dhe do bëhet përtac në adhurimin
ndaj Zotit.”
Ibën Ebi Ed-Dunja përmend se Et-Tejmiu kishte thënë: “Dy gjëra më kanë
këputur kënaqësitë e kësaj bote: kujtimi i vdekjes dhe përkujtimi i
paraqitjes para Allahut të Lartësuar.”
Një dijetarë duke e komentuar ajetin kuranor:
“...dhe mos e harro
atë që të takon nga kjo botë...” kishte thënë: mos e harro hisen
tënde të kësaj bote e që është qefini. Kjo lidhet me pjesën e parë të
këtij ajetit:
“Dhe me atë që të ka dhënë Allahu, kërko (ta fitosh)
botën tjetër”, pra përpiqu që nëpërmjet kësaj bote që ta dha Allahu,
ta fitosh xhennetin, e mos harro se tërë pasurinë tënde do ta leshë, e
do mbetet vetëm aq sa kushton qefini yt ashtu siç thotë poeti:
Pasuria jote që e ke mbledhur tërë jetën
Është vetëm qefini që mbulohesh dhe
Misku me të cilin lyhet qefini dhe kufoma jote
Ebu Nuajmi përmend prej Ebu Hurejres r.a, se një njeri
erdhi te Pejgamberi a.s., dhe i tha: O i Dërguar i Allahut, ç’është me
mua, përse nuk e dua vdekjen? Ai e pyeti:
“A ke pasuri? Po – ia
kheu njeriu.
“Ndaje pasurinë, sepse zemra e besimtarit është e lidhur
me pasurinë e tij. Prandaj, nëse e ndan pasurinë, dëshiron të jesh me
të (të marrësh sa më shpejt shpërblimin e saj), por nëse e vonon dhe të
mbetet pasuri, ke dëshirë të jesh me të (të jetosh me pasurinë) – iu
përgjigj Pejgamberi a.s.!.”
Tregon Seid bin Mensur se Ebu Derda r.a., thoshte: “Vdekja është
këshillë serioze dhe pakujdesi e shpejtë, prandaj mjafton vdekja si
këshilluesi më i mirë dhe mjafton që ta këpusë dëshirën pas dunjasë dhe
pas të mirave të saj. Sot në shtëpi, nesër në varr.”
Ibën Ebi Ed-Dunja përmend prej Rexha bin Hajvetit që kishte thënë: “Sa
më shpesh që robi përkujton vdekjen, është më larg qejfeve dhe zilisë
së vëllezërve.”
Shënon Ibën Ebi Shejbeh në “El-Musannif” dhe Ahmedi në “Ez-Zuhd” nga
Ebu Ed-Derdai r.a., i cili kishte thënë: “Kush e kujton shpesh vdekjen, i
zvogëlohet hasedi (zilia) dhe gëzimi.”
Shënon Ibën Ebi Shejbeh, Ahmedi në “Ez-Zuhd”, Ibën Ebi Ed-Dunja dhe
El-Bejhekiu në “Shuabul Iman” nga Er-Rebi’ bin Enes i cili transmeton se
i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka thënë:
“Mjafton që vdekja ta
këpusë dëshirën pas dunjasë dhe të shton dashurinë ndaj ahiretit!” Shënon Et-Taberaniu nga Tarik El-Muharibiu se i Dërguari i Allahut i
kishte thënë:
“O Tarik, përgatitu për vdekjen para ardhjes së saj!” Tregon Xhabir bin Nuh se ndër këshillat e Omer bin Abdul Azizi drejtuar
njërit prej familjarëve të tij, është edhe kjo: “Nëse e përkujton
vdekjen gjatë ditës dhe gjatë natës, fiton urrejtje ndaj çdo gjëje që
është kalimtare dhe të shtohet dashuria ndaj çdo gjëje që është e
amshueshme dhe e përhershme”
Mexhmea Et-Tejmiu ka thënë: “Përkujtimi i vdekjes është pasuri”.
Kurse Shumejti kishte thënë: “Kush e vendos vdekjen para syve të tij
(d.m.th. e përkujton vazhdimisht), nuk i kushton vëmendje të këqijave
dhe të mirave të kësaj bote”:
Ka’bi kishte thënë: “Kush e njeh vdekjen, i lehtësohen fatkeqësitë dhe
brengat e kësaj bote”.
Transmeton Ibën Ebi Ed-Dunja nga Hasan (el-Basriu) të ketë thënë: “Nëse
një rob e ka në zemër kujtimin e vdekjes, dunjaja dhe çfarë ka në të i
duket e ulët dhe e pavlerë”.
Katade tregon se dikush kishte thënë: “I bekuar dhe i lumtur është ai
që e përkujton momentin e vdekjes”.
Malik bin Dinari përmend se Hakimi kishte thënë: “Përkujtimi i vdekjes
është i mjaftueshëm për zemrën dhe e bën veprën të gjallëruar”.
Tregon Safija se një grua iu kishte ankuar Aishes r.a., për zemrën e
vrazhdë, ndërsa Aishja r.a., e kishte këshilluar: “Kujtoje sa më shumë
vdekjen dhe kjo do ta zbutë zemrën”.
Ebu Hazimi thoshte: “O biri i Ademit, pas vdekjes do të të vie lajmi
(se a do të shpërblehesh apo ndëshkohesh, varësisht prej veprave tua në
dunja)”.
Ibën Asakiri përmend se Ali ibën ebi Talibi r.a., ka thënë: “Varri
është sunduku (arka) e veprave, e pas vdekjes do të informohesh ( se a
do të shpërblehesh apo ndëshkohesh, varësisht prej veprave tua në
dunja)”.
Ed-Dejlemiu përmend prej Enesit r.a., se i Dërguari i Allahut s.a.v.s.,
ka thënë:
“Zuhdi (asketizmi) më i mirë (më me vlerë) në këtë botë
është përkujtimi i vdekjes, kurse ibadeti më i mirë (më me vlerë) është
meditimi. Andaj kush e përkujton shpesh vdekjen, do ta gjej varrin e tij
një kopsht prej kopshteve të xhennetit”.
Aliu r.a., thotë: “Njerëzit janë në gjumë, kur të
vdesin do zgjohen nga gjumi”.
Et-Tirmidhiu transmeton nga Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi a.s. thotë:
“Nuk
ka njeri që vdes e që nuk pendohet”, sahabët e pyetën: Po si është
pendesa e tij o i Dërguar i Allahut?
Nëse ka qenë vepërmirë, pendohet
pse nuk ka bërë edhe më tepër vepra të mira, mirëpo nëse ka qenë
keqbërës, pendohet përse nuk e ka ndaluar vetveten nga veprat e liga – u përgjigj i Dërguari i Allahut s.a.v.s.!”
Marre nga libri me titull “Sherhus-Sudur fi sherhi halil meuta vel
kubur” i dijetarit te madh, Imam Xhelaluddin Es-Sujuti (Allahu e
meshirofte).