PËRKUJTIMI I VDEKJES DHE PËRGATITJA PËR TË
Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibën Maxheh na përcjellin nga Ebu Hurejra r.a., se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Kujtojeni shpesh atë që ua prish qejfet” – vdekjen! Po këtë hadith e përmend edhe Ebu Nuajmi nga Omer ibën Hattabi r.a.
Bezzari shënon prej Enes ibën Malikut r.a., se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Përkujtojeni sa më shpesh atë që ua shkatërron çdo kënaqësi (vdekjen), sepse nuk ka njeri që nuk e përmend vdekjen kur është në vështirësi jetese e që Allahu mos ta pasuroi, e as dikënd që është në bollëk e që mos ta kufizojë!”
Ibën Maxheh përcjell nga Ibën Omeri r.a., se Pejgamberi a.s., u pyet: “Cili është besimtari më i zgjuar? Ai u pergjigj: “Ai që më së shumti e përkujton vdekjen dhe përgatitet më së miri për atë që vjen pas saj, ata janë më të mençurit!”
Transmeton Tirmidhiu nga Sheddad bin Eus r.a., se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka thënë: “I mençur është ai i cili llogaritë vetveten e tij dhe punon për atë që vjen pas vdekjes, ndërsa i dobët është ai që pason dëshirat e tij dhe shpreson se Allahu do t’ia falë!”
Ibën Ebi Ed-Dunja transmeton nga Enesi r.a., se Pejgamberi a.s., thotë: “Shtoni përkujtimin e vdekjes, sepse përkujtimi i vdekjes pastron gjynahet dhe largon dashurinë ndaj dunjasë!"
Po ashtu transmetohet nga Ata El-Horasani se Pejgamberi a.s., një ditë duke kaluar pranë një mexhlisi, dëgjoi zërat e tyre duke qeshur me të madhe dhe tha: “Shoqërojeni tubimin tuaj me atë që ua prish qejfet” – e pyetën: Çfarë është ajo që i prish qejfet? – Vdekja, u përgjigj Pejgamberi a.s.
Ibën Ebi Ed-Dunja dhe Bejhekiu në “Es-Shuab” përmendin prej Zejd Es-Sulejmiut se Pejgamberi a.s., kur shihte ndonjë pakujdesi në mesin e sahabeve u fliste me zë të lartë: “Ju ka arritur vdekja si shpërblim i domosdoshëm, prandaj ose do gjeni hidhërim e pikëllim ose gëzim e lumturi (pra, keni kujdes)!”.
Përcjell Taberaniu nga Ammari r.a., se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Vdekja është këshillues i mjaftueshëm!”
E kanë pyetur Pejgamberin a.s.: “O i Dërguar i Allahut, a do ringjallet ndokush së bashku me martirët (shehidët)? Ai u përgjigj: “Po, ai i cili brenda ditës e përkujton vdekjen njëzet herë!”
Komentatori i njohur i Kur’anit, Suddiu, duke e interpretuar fjalën e Allahut: “Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë...” , thotë: “për t’ju provuar se cili prej jush më së shumti e përkujton vdekjen, përgatitet më së miri për të dhe frikësohet më së shumti prej saj”. Kështu e ka shënuar Ibën Ebi Ed-Dunja dhe El-Bejhekiu në “Shuabul Iman”.
Ibën Ebi Shejbeh shënon në veprën e tij “El-Musannif” dhe Imam Ahmedi në “Ez-Zuhd” nga Ibën Sabit i cili tregon se në prani të Pejgamberit a.s., u përmend një njeri dhe folën fjalë të mira për të. Atëherë Pejgamberi a.s., i pyeti: “Si është përkujtimi i tij për vdekjen”? Ata thanë: Nuk e kemi dëgjuar ta kujtonte vdekjen. Atëherë Pejgamberi a.s. tha: “(shoku i juaj) nuk është i tillë çfarë e mendoni (nuk është në xhennetin e lartë ku ju e përmendni)!” Këtë hadith e transmeton edhe Ibën Ebi Ed-Dunja, El-Bezzari nga Enesi dhe Et-Taberaniu nga Sehl bin Sead.
Dikush kishte thënë: “Ai që e përkujton vdekjen shpesh, nderohet me tri gjëra: do të ngutet me pendim (teube), do t’i kënaqet zemra dhe do jetë i zellshëm në kryerjen e adhurimeve (ibadeteve). Ndërsa ai që e harron vdekjen, dënohet me tri gjëra: do ta zvarritë pendimin, nuk do jetë i kënaqur me rizkun (furnizimin) e tij dhe do bëhet përtac në adhurimin ndaj Zotit.”
Ibën Ebi Ed-Dunja përmend se Et-Tejmiu kishte thënë: “Dy gjëra më kanë këputur kënaqësitë e kësaj bote: kujtimi i vdekjes dhe përkujtimi i paraqitjes para Allahut të Lartësuar.”
Një dijetarë duke e komentuar ajetin kuranor: “...dhe mos e harro atë që të takon nga kjo botë...” kishte thënë: mos e harro hisen tënde të kësaj bote e që është qefini. Kjo lidhet me pjesën e parë të këtij ajetit: “Dhe me atë që të ka dhënë Allahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër”, pra përpiqu që nëpërmjet kësaj bote që ta dha Allahu, ta fitosh xhennetin, e mos harro se tërë pasurinë tënde do ta leshë, e do mbetet vetëm aq sa kushton qefini yt ashtu siç thotë poeti:
Pasuria jote që e ke mbledhur tërë jetën
Është vetëm qefini që mbulohesh dhe
Misku me të cilin lyhet qefini dhe kufoma jote
Ebu Nuajmi përmend prej Ebu Hurejres r.a, se një njeri erdhi te Pejgamberi a.s., dhe i tha: O i Dërguar i Allahut, ç’është me mua, përse nuk e dua vdekjen? Ai e pyeti: “A ke pasuri? Po – ia kheu njeriu. “Ndaje pasurinë, sepse zemra e besimtarit është e lidhur me pasurinë e tij. Prandaj, nëse e ndan pasurinë, dëshiron të jesh me të (të marrësh sa më shpejt shpërblimin e saj), por nëse e vonon dhe të mbetet pasuri, ke dëshirë të jesh me të (të jetosh me pasurinë) – iu përgjigj Pejgamberi a.s.!.”
Tregon Seid bin Mensur se Ebu Derda r.a., thoshte: “Vdekja është këshillë serioze dhe pakujdesi e shpejtë, prandaj mjafton vdekja si këshilluesi më i mirë dhe mjafton që ta këpusë dëshirën pas dunjasë dhe pas të mirave të saj. Sot në shtëpi, nesër në varr.”
Ibën Ebi Ed-Dunja përmend prej Rexha bin Hajvetit që kishte thënë: “Sa më shpesh që robi përkujton vdekjen, është më larg qejfeve dhe zilisë së vëllezërve.”
Shënon Ibën Ebi Shejbeh në “El-Musannif” dhe Ahmedi në “Ez-Zuhd” nga Ebu Ed-Derdai r.a., i cili kishte thënë: “Kush e kujton shpesh vdekjen, i zvogëlohet hasedi (zilia) dhe gëzimi.”
Shënon Ibën Ebi Shejbeh, Ahmedi në “Ez-Zuhd”, Ibën Ebi Ed-Dunja dhe El-Bejhekiu në “Shuabul Iman” nga Er-Rebi’ bin Enes i cili transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka thënë: “Mjafton që vdekja ta këpusë dëshirën pas dunjasë dhe të shton dashurinë ndaj ahiretit!”
Shënon Et-Taberaniu nga Tarik El-Muharibiu se i Dërguari i Allahut i kishte thënë: “O Tarik, përgatitu për vdekjen para ardhjes së saj!”
Tregon Xhabir bin Nuh se ndër këshillat e Omer bin Abdul Azizi drejtuar njërit prej familjarëve të tij, është edhe kjo: “Nëse e përkujton vdekjen gjatë ditës dhe gjatë natës, fiton urrejtje ndaj çdo gjëje që është kalimtare dhe të shtohet dashuria ndaj çdo gjëje që është e amshueshme dhe e përhershme”
Mexhmea Et-Tejmiu ka thënë: “Përkujtimi i vdekjes është pasuri”.
Kurse Shumejti kishte thënë: “Kush e vendos vdekjen para syve të tij (d.m.th. e përkujton vazhdimisht), nuk i kushton vëmendje të këqijave dhe të mirave të kësaj bote”:
Ka’bi kishte thënë: “Kush e njeh vdekjen, i lehtësohen fatkeqësitë dhe brengat e kësaj bote”.
Transmeton Ibën Ebi Ed-Dunja nga Hasan (el-Basriu) të ketë thënë: “Nëse një rob e ka në zemër kujtimin e vdekjes, dunjaja dhe çfarë ka në të i duket e ulët dhe e pavlerë”.
Katade tregon se dikush kishte thënë: “I bekuar dhe i lumtur është ai që e përkujton momentin e vdekjes”.
Malik bin Dinari përmend se Hakimi kishte thënë: “Përkujtimi i vdekjes është i mjaftueshëm për zemrën dhe e bën veprën të gjallëruar”.
Tregon Safija se një grua iu kishte ankuar Aishes r.a., për zemrën e vrazhdë, ndërsa Aishja r.a., e kishte këshilluar: “Kujtoje sa më shumë vdekjen dhe kjo do ta zbutë zemrën”.
Ebu Hazimi thoshte: “O biri i Ademit, pas vdekjes do të të vie lajmi (se a do të shpërblehesh apo ndëshkohesh, varësisht prej veprave tua në dunja)”.
Ibën Asakiri përmend se Ali ibën ebi Talibi r.a., ka thënë: “Varri është sunduku (arka) e veprave, e pas vdekjes do të informohesh ( se a do të shpërblehesh apo ndëshkohesh, varësisht prej veprave tua në dunja)”.
Ed-Dejlemiu përmend prej Enesit r.a., se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka thënë: “Zuhdi (asketizmi) më i mirë (më me vlerë) në këtë botë është përkujtimi i vdekjes, kurse ibadeti më i mirë (më me vlerë) është meditimi. Andaj kush e përkujton shpesh vdekjen, do ta gjej varrin e tij një kopsht prej kopshteve të xhennetit”.
Aliu r.a., thotë: “Njerëzit janë në gjumë, kur të vdesin do zgjohen nga gjumi”.
Et-Tirmidhiu transmeton nga Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi a.s. thotë: “Nuk ka njeri që vdes e që nuk pendohet”, sahabët e pyetën: Po si është pendesa e tij o i Dërguar i Allahut? Nëse ka qenë vepërmirë, pendohet pse nuk ka bërë edhe më tepër vepra të mira, mirëpo nëse ka qenë keqbërës, pendohet përse nuk e ka ndaluar vetveten nga veprat e liga – u përgjigj i Dërguari i Allahut s.a.v.s.!”
Marre nga libri me titull “Sherhus-Sudur fi sherhi halil meuta vel kubur” i dijetarit te madh, Imam Xhelaluddin Es-Sujuti (Allahu e meshirofte)