Një paralajmërim që kërkon vëmendjen tonë
--------------------------------------------------------------------------------
Sipas fesë islame, grumbullimi i pasurisë për t’a shtuar atë, është i panatyrshëm, i panjerëzishëm dhe çon në humbje të madhe.
"O ju që besuat, as pasuria juaj e as fëmijët tuaj të mos u shmangin prej adhurimit ndaj Allahut, e kush bën ashtu të tillët janë mu ata të humburit." (El
Munafikunë: 9)
Ky ajet kuranor e fton njerëzimin të përpiqet pak në këtë botë, për të fituar shpërblimin e përjetshëm në botën tjetër. Kjo është një thirrje për të shpëtuar veten nga preokupimi i tepërt me pasurinë dhe familjen, pasi këto të fundit mund të na shmangin prej adhurimit të Krijuesit.
Por ne njerëzit nuk jemi largpamës. Ne mendojmë më shumë për kënaqësitë momentale sesa për harmoninë e përkryer dhe qetësinë e plotë të botës tjetër. Allahu në kaptinën Et Tekathur thotë se njerëzit vazhdojnë të preokupohen për shtimin e pasurisë së kësaj bote, derisa të vizitojnë varret (të vdesin) dhe atëherë të pyeten për të mirat e dynjasë.
A mos do të thotë kjo se nuk duhet të vëmë pasuri? Sigurisht që jo, pasi pasuria dhe pasardhësit mund të jenë të dobishme për besimtarin. Veç kësaj, ne të gjithë kemi nevoja minimale që duhen përmbushur. Por duhet të kujtojmë se kënaqësitë e kësaj bote janë të përkohshme, ndërsa bota tjetër është më e dobishme dhe kjo e fundit fitohet duke qenë bujarë në bamirësi dhe duke përmbushur nevojat e të tjerëve, si ato të jetimit dhe udhëtarit. Pasuria na kthehet vetëm kur ne e dhurojmë atë.
Ata që jepen pas shumëfishimit të pasurisë dhe e shohin këtë botë si qëllim në vetvete dhe jo si një mjet për të arritur një qëllim më të lartë, janë fajtorë për një formë idhujtarie që bëjnë. Koha në të cilën jetojmë i ka shndërruar bankat e mëdha dhe institucionet financiare në idhuj. Miliarderët konkurrojnë ashpër me njëri-tjetrin dhe nuk i zë gjumi natën nga shqetësimi se mos humbin ndonjë marrëveshje të rëndësishme biznesi. Ndërsa bankierët, të cilët për shkak të papërgjegjshmërisë dhe pangopshmërisë së tyre, i nxjerrin punonjësit në rrugë të madhe, janë njerëz që kanë dalë jashtë kufijve të sjelljes njerëzore.
Ekonomia neoklasike tradicionalisht është fokusuar në katër kategori kryesore: toka, puna, kapitali dhe paraja. Tre të parat janë të kufizuara, ndërsa e katërta, paraja, është në teori e pakufizuar. Prandaj dhe lakmia për paranë në veçanti është dobësi e madhe njerëzore. Kështu, u krijua një sistem që e lejonte hapjen e një banke me një shumë fillestare prej 1 poundi (monedha britanike) dhe më pas e lejonte bankën t'i jepte 100 pound hua një klienti (shumë kjo më e madhe se depozita e bankës) duke i kërkuar atij në këmbim garanci pasurore.
Huadhënësi tani ka 100 pound përfshirë interesat e fituara pa mund. Banka vazhdon të japi hua derisa rritja kanceroze e shkaktuar nga lakmia për para çon në kolapsin e sistemit. Ky sistem ekonomik me bazë interesin, dikur ishte i ndaluar nga të gjitha besimet. Njerëzit kishin intuitë të pastër dhe vizion të thellë për të kuptuar se një sistem me bazë interesin do të kishte efekte shkatërruese të panumërta për shoqërinë.
Nga ana tjetër, sistemi klasik islam mbështetet mbi një standard ari dhe argjendi i cili mundëson stabilitet të vlerës së aseteve. Shoqëria myslimane në kulmin e lulëzimit të saj ishte shoqëri komerciale që nuk i dha kurrë vlerë parasë. Asnjëherë nuk u pa paraja si fund në vetvete.
Megjithatë, me heqjen e standardit të arit, u hoqën gjithashtu dhe kufizimet teorike që ekzistonin në lidhje me interesat. Kriza ekonomike e vitit të kaluar, pasojat përfundimtare të të cilës janë të paimagjinueshme, nxorri në pah efektet shkatërruese të një sistemi ekonomik me bazë interesin. Ne njerëzit nga natyra nuk jemi largpamës. Megjithatë, në kohë krize duhen marrë masa. Ka ardhur koha që të tregohemi më të zgjuar dhe më të përmbajtur. Besimtari nuk e tepron në grumbullimin e pasurisë së kësaj bote, pasi ai apo ajo e gjen lumturinë dhe paqen e vërtetë vetëm në përkujtimin e Zotit dhe në botën tjetër.
Ka ardhur koha të mendohemi seriozisht për një sistem alternativ ekonomik që të zëvendësojë sistemin aktual, rreziqet e të cilit tashmë janë të qarta. Pas pushtimit të Mekës, u shpall një ajet që i urdhëronte besimtarët të hiqnin dorë nga transaksionet me interes. Një sistem i ri që mbështetej mbi një standard ari dhe argjendi u vendos.
Ata që qenë mbështetur në sistemin e vjetër, fillimisht e patën të vështirë të kuptonin se si do të mund të funksiononte një sistem pa normë interesi. Një sistem i tillë jo vetëm që funksionoi, por falë tij u ndërtua dhe një qytetërim i suksesshëm.
Vitin e kaluar, ekonomia desh ra në humnerë. Tani ne duhet të tregojmë vetëpërmbajtje dhe urtësi, nëse duam të parandalojmë katastrofën e vërtetë ekonomike..