Ministri Hyseni takoi Ambasadorët e Ligës së Shteteve Arabe dhe Organizatës së Konferencës Islamike.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka vazhduar edhe sot serinë e takimeve me përfaqësues të shumtë shtetesh dhe organizatash ndërkombëtare, që kanë misionet e tyre pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Përveç takimeve me përfaqësuesit e vendeve që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, ku ka ripërsëritur thirrjen për njohje pas Mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), Ministri Hyseni ka pasur edhe dy takime të veçanta me përfaqësuesit e misioneve të përhershme vëzhguese të Ligës së Shteteve Arabe dhe të Organizatës së Konferencës Islamike pranë Kombeve të Bashkuara.
Ministri ka takuar Ambasadorin Yahya A. Mahmassani të Ligës së Shteteve Arabe dhe Ambasadorin Ufuk Gokcen të Organizatës së Konferencës Islamike, me të cilët ka biseduar në lidhje me mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe njohjet.
Përveç takimeve, Ministri Hyseni u ka drejtuar letra Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Konferencës Islamike, Ekmeleddin Ihsanoglu, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ligës së Shteteve Arabe, Amr Moussa. Në këto letra, Ministri ka shkruar midis tjerash se, pas rikonfirmimit të së drejtës së Kosovës për pavarësi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, tash është koha kur shtetet duhet të lëvizin në drejtim të njohjes formale. P
o ashtu, Ministri u ka kërkuar sekretarëve të përgjithshëm të të dyja këtyre organizatave që të ushtrojnë ndikimin e tyre te shtetet anëtare të organizatave respektive.