Guineja-Bisau rikonfirmon njohjen e Kosovës
Në kuadër të aktiviteteve lobuese për shtimin e numrit të njohjeve për Kosovën, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka pasur të enjten një bisedë telefonike me presidentin e Guineja-Bisau, Malam Bacai Sanha, i cili me këtë rast ka rikonfirmuar, se institucionet e vendit të tij kanë proceduar deri në fund procesin e njohjes së Kosovës.
Deklarimet e fundit të zyrtarëve dhe mediave të Beogradit për kinse tërheqjen e njohjes së Pavarësisë së Kosovës apo ndalimin e procedimit të njohjes nga Guineja-Bisau, zëvendës kryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli i vlerëson si shpifje të ulëta dhe jo diplomatike.
Gjatë bisedës së zhvilluar të enjten rreth orës 15:30, me presidentin e Guineja Bisau, zëvendëskryeministri Pacolli ka marrë garanci, për mbështetje të pa rezervë për institucionet e Kosovës nga Guineja Bisau.
Presidenti i Guineja Bisau, Malam Bacai Sanha, i ka quajtur dezinformata spekulimet e mediave serbe për tërheqje të njohjes nga Guineja Bisau. Ai tha se vendi i tij e ka njohur Kosovën në përputhshmëri me vullnetin e popullit dhe institucioneve të Republikës së Guineja Bisau.
Zv. kryeministri Pacolli siguron popullin e Kosovës së procesi i njohjeve të reja për shtetin e pavarur të Kosovës nuk do të ndalet dhe se njohjet e reja do të vinë shumë shpejt, pavarësisht pengesave dhe vështirësive që krijohen nga propaganda e ashpër serbe.
Guineja Bisau e ka njohur shtetin e pavarur të Kosovës më 10 janar 2011, pas një angazhimi të gjatë lobues që Behgjet Pacolli kishte zhvilluar në këtë pjesë të botës, atëherë në cilësinë e presidentit të Aleancës Kosova e Re.