Udhëheqësi i delegacionit, Amar Abduhamid, aktivist pro-demokracisë, tha se nëse opozita do të qeverisë Sirinë, kjo e fundit shumë shpejt do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Unë mendoj se pas takimit të sotëm dhe kësaj vizite, si dhe duke u bazuar në bashkëpunimin tonë, i cili vetëm ka filluar, (njohja e pavarësisë së Kosovës) do të jetë numër një në agjendën tonë".
“Natyrisht se ne nuk mund të flasim në emër të popullit sirian, sepse ne jemi këshilltarë të grupeve të ndryshme politike në terren...Por, realiteti është se Kosova është në një pozicion të mirë që të përkrahet nga populli sirian, për shkak të këtij lloji të takimeve”.
“Ky është një fillim i mirë për raporte të fuqishme në mes të Kosovës dhe popullit sirian”, tha Abduhamid, i cili në vitin 2005 është detyruar të mërgojë në Merilend për shkak të aktiviteteve të tij kundër regjimit.
Ministri Hoxhaj, në anën tjetër, tha se Kosova “në mënyra të ndryshme do ta ndihmojë Sirinë në rindërtimin e një shteti demokratik, ku respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut”.
“Askush nuk ka mundur ta ndal rrjedhën e historisë, në shembullin e Kosovës. Askush nuk mund ta ndal rrjedhën e historisë që Siria së shpejti të jetë një vend demokratik dhe regjimit t’i vije fundi. Ne si Ministri e Punëve të Jashtme jemi mbështetës të këtij vendi”, tha Hoxhaj.
Kurse, Djengizkhan Haso, aktivist dhe anëtar i Këshillit të Asamblesë Kombëtare të kurdëve, tha se zhvillimet në Kosovë, që rezultuan me pavarësinë e vendit, janë shpresëdhënëse edhe për të ardhmen e popullit sirian.
“Para disa viteve ata ishin ‘nëntokë’ dhe s’kishin gjë, ndërsa sot po flasim me ministra, presidentë e kështu me radhë. Kjo na bën më optimistë dhe jemi të sigurt që ndryshimi në Siri do të jetë demokratik dhe i lirë. Ne shpresojmë se ai të ndodhë me sa më pak ushtarë, armë dhe të tjerë”, tha Haso.
Pjesë e këtij delegacioni të opozitës siriane është edhe Molham Aldorobi, përfaqësues i vëllazërisë myslimane në Siri.
Siria është përfshirë nga protestat antiqeveritare dhe dhuna, qysh në mars të vitit të kaluar. Grupet opozitare kërkojnë largimin nga pushteti të presidentit Bashar al-Asad.
Grupi sirian po qëndron në Kosovë me ftesë të Klubit për Politikë të Jashtme, ku të premten do të marrin pjesë në një konferencë me temën “Siria dhe leksionet nga Kosova”./rfe/